E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nafta zhytet në 103 dollarë për fuçi

Me këtë nivel, çmimi i naftës në Shqipëri duhet të bjerë deri në 140 lekë për litër nga 150-155 lekë aktualisht

Çmimi i naftës në tregun ndërkombëtar ra dje në 103 dollarë për fuçi, për herë të parë në pesë muaj, si pasojë e forcimit të dollarit dhe largimit të rrezikut të uraganeve në SHBA. Që nga e premtja e kaluar, nafta kushton tashmë 10 dollarë më lirë. Në rast se nafta stabilizohet në këtë kuotë, atëherë në tregun shqiptar çmimi mund të ulet në nivelin e marsit të këtij viti, kur nafta kushtonte 140 lekë për litër. Por ndërkohë, tregtarët e hidrokarbureve në vend tregojnë se rënia e çmimeve në tregun ndërkombëtar nuk mund të pasqyrohet në të njëjtin nivel në tregun shqiptar, për shkak se leku po dobësohet dukshëm kundrejt dollarit amerikan, monedha me të cilën blihet nafta. Dje dollari kushtoi 83.87 lekë, me forcim prej pesë lekësh në dy javë. Dobësimi i lekut gjatë dy javëve të fundit ka qenë me ritëm më të lartë sesa rënia e çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar.

Tregtarët e naftës në botë, besuan gjatë ditëve të fundit se vendet e pasura mund të detyroheshin të hapnin rezervat e tyre strategjike për shkak të uraganeve. Rezervat strategjike janë hapur vetëm një herë në 18 vitet e fundit, kur uragani “Katrina” shkatërroi pjesën dërrmuese të impianteve të naftës në Gjirin e Meksikës. Tashmë besohet se çmimi i naftës do të vijojë të ulet më tej, për shkak se konsumi në SHBA është në rënie ndërsa prodhimi është në rritje. Çmimi i naftës ka rënë me 30% që kur arriti kulmin në korrik në kuotën e 147 dollarëve për fuçi. Në tregun shqiptar, çmimi i naftës është ulur me rreth 14.6% që kur arriti kulmin në 172 lekë për litër. Tregu shqiptar vlerësohet se është shumë pak fleksibël. Dy javë më parë, ministri i Financave, z.Ridvan Bode premtoi se do të luftojë spekulimit në këtë treg, duke taksuar çmimin final të naftës. Burime nga tregtarët e naftës, bëjnë të ditur se një nga shkaqet e mos uljes së çmimeve të karburanteve në Shqipëri, është edhe vonesa e autoriteteve në uljen e referencës doganore për këto produkte.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›