E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza e euros forcohet leku

Monedha shqiptare ka fituar vazhdimisht pikë ndaj euros gjatë kësaj jave, duke u kuotuar të premten me 138.46 lekë ndaj euros, nga 138.83, që u këmbye të hënën në fillim të javës, sipas kursit zyrtar të publikuar nga Banka e Shqipërisë.
E fortë ka qenë monedha vendase edhe ndaj dollarit, rënia e të cilit ka qenë edhe më e thellë, duke zbritur në 109.62 lekë të premten, nga 110.85, që ishte niveli më i lartë të martën.

Tregu vendas duket i qetë dhe kërkesa për valuta relativisht e dobët, duke qenë larg situatës së trazuar në tregjet ndërkombëtare, të cilat janë të trembura nga një përshkallëzim i krizës globale si rrjedhojë e Greqisë, bankave spanjolle, që sapo u shpëtuan nga BE dhe rrezikut të recesionit të ekonomisë europiane.

Në tregjet ndërkombëtare, euro ka qenë relativisht e qëndrueshme ndaj dollarit, me luhatje të vogla, ndonëse shqetësimet për eurozonën po shtohen me afrimin e zgjedhjeve në Greqi, ku një fitore e radikalëve të majtë do të rrezikonte deri një dalje të vendit nga monedha e përbashkët.
Në një sondazh të fundit me 80 menaxherë të rezervave të bankave qendrore nëpër botë, ata u shprehën të kujdesshëm lidhur me të ardhmen e euros në parashikimet e tyre. Ata presin që në fund të vitit euro të tregtohet midis $1.15 dhe $1.25, krahasuar me nivelin e $1.26 që ishte euro të enjten. Një pakicë thonë se euro nuk do të ekzistojë nga fundi i vitit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›