E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza e ilaçeve mbërthen edhe dializën

26/10/2011  Pacientët duhet të sigurojnë vetë gjithçka për pastrimin e gjakut

Dikasteret heshtin, justifikim vonesat e burokracitë për tenderat

Kriza e barnave mbërthen pjesën dërrmuese të shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Krahas shumë shërbimeve të tjera alarmi kësaj radhe bie për pavijonin e hemodializës, ku prej kohësh pacientët që duhet të marrin dializën përballen me mungesën e barnave apo dhe të pajisjeve më elementare të trajtimit, të cilat në çdo rast duhet të sigurohen në mënyrë private kundrejt pagesës, edhe pse pacienti mund të jetë pjesë e skemës së sigurimeve shëndetësore. Justifikimi i mungesës së barnave, si gjithmonë, mbetet vonesa në zhvillimin e tenderave, për të cilët janë tejkaluar të gjitha afatet e parashikuara, duke mbajtur peng ofrimin e shërbimeve për pacientët që vuajnë nga komplikacionet e veshkës. Sipas mjekëve, këta pacientë në mënyrë të vazhdueshme duhet të pastrojnë gjakun, duke qenë se veshka e tyre për shkak të dëmtimeve nuk kryen më funksionet e saj. Mjekët konfirmojnë se vetë pacientët duhet të shqetësohen për sigurimin e barnave apo pajisjeve më elementare, siç janë shiringat, fashat etj., që nevojiten për kryerjen e trajtimit përkatës, në të kundërt rrezikojnë mosmarrjen e tij. Mungesa e barnave ndihet edhe në pavijonet e tjera, veçanërisht tek onkologjiku, ku kurat e shtrenjta trajtuese për tumoret nuk sigurohen në asnjë rast nga spitali. Pavarësisht kësaj situate, dikasteret përgjegjëse vijojnë të heshtin dhe të mbeten peng të procedurave burokratike, që në shumë raste kanë rrezikuar edhe shëndetin e popullatës.

Prej muajsh të tërë kriza e barnave ka mbërthyer pjesën dërrmuese të shërbimeve në QSUT, të cilat prej vitesh justifikohen nga vonesat dhe procedurat e stërzgjatura të zhvillimit të tenderave. Më e rëndë situata raportohet të jetë te shërbimi i onkologjikut, ku trajtohen sëmundjet tumorale, te kirurgjia e kardiologjia, pediatria, urologjia etj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›