E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bankat nuk janë në rrezik

26/10/2011  Rritja ekonomike do të jetë 4 për qind. Do të respektohen këshillat e FMN-së për borxhin

Bode: Janë marrë masat që të mos prekemi nga kriza rajonale

Sistemi bankar shqiptar nuk është i rrezikuar nga kriza rajonale. Duke ju referuar situatave të vështira ekonomike që po kalojnë Greqia dhe Italia, dy vendet fqinje me Shqipërinë, ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi dje se, qeveria shqiptare ka marrë të gjitha masat në mënyrë që ekonomia shqiptare të mos ndiejë efektet e krizës së vendeve të rajonit. Gjatë një prononcimi për mediat, numri 1 i Financave siguroi gjithashtu se sistemi bankar në vend nuk është në rrezik nga kriza në këto vende. Deklarata e ministrit Bode u bë pas ceremonisë për shpërndarjen e certifikatave të titullit profesional "Ekspert Kontabël i Regjistruar" dhe "Kontabilist i Miratuar".

Deklaratat për FMN

Lidhur me parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar për një rritje ekonomike për vitin 2011 më të vogël se sa parashikon qeveria, Bode theksoi se, ajo do të jetë brenda parashikimit të bërë më herët nga qeveria për një rritje ekonomike prej 4% për vitin 2011. “Gjatë vitit 2011 ne i qëndrojmë parashikimit tonë për një rritje ekonomike prej 4%. FMN parashikoi një rritje ekonomike për Shqipërinë gjatë vitit 2010 prej 1 %, por rezultoi se ekonomia shqiptare u rrit me 3.5 % gjatë këtij viti”, - deklaroi ministri Bode. Lidhur me borxhin publik, ministri i Financave nënvizoi se do të respektohen këshillat e FMN-së për borxhin. “Janë marrë masa që borxhi publik të mos kalojë parashikimet e qeverisë shqiptare”, - theksoi në fjalën e tij për mediet, ministri Bode.

Raporti i FMN-së

Në një raport të publikuar pak ditë më parë, FMN i rekomandonte qeverisë shqiptare të mos kalonte kufirin prej 60% të borxhit publik, pasi ky nivel konsiderohet si rrezik për stabilitetin e ekonomive. Në po të njëjtin raport theksohej se ekonomia shqiptare mund të ndiente efektet e krizës në vendet e rajonit. Kreu i Financave është shprehur se rishikimi i buxhetit të shtetit për vitin 2011 nuk është tabu, në një kohë kur niveli i të ardhurave të mbledhura gjatë kësaj periudhe është më i vogël se sa planifikimi në muajin korrik. Megjithatë, një gjë e tillë nuk është në parashikimet e qeverisë. “Ne nuk parashikojmë të rishikojmë buxhetin e shtetit, pasi të ardhurat në buxhet edhe pse më të ulëta se sa planifikimi janë përsëri më të larta se sa para krizës globale”, - theksoi ministri. Sa i takon buxhetit të shtetit për vitin 2012, kreu i Financave theksoi se drafti është drejt përfundimit dhe se ai parashikon ruajtjen e prioriteteve të qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›