E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Të ngrihet sa më shpejt komisioni parlamentar për reformën”

26/10/2011  Delegacioni i Komisionit të Venecies dhe ODIHR-it apel poetikës për bashkëpunim

Market: Puna duhet të nisë shpejt, sepse keni një numër të madh rekomandimesh

Herion Mesi

E gjithë puna për reformën zgjedhore duhet të përqendrohet mbi 53 rekomandimet e nxjerra nga vëzhguesit zgjedhorë të OSBE–ODIHR-it në shtator. Për këtë partitë politike duhet të mos presin dhjetorin e ardhshëm, por të ngrenë urgjentisht komisionin parlamentar për reformën zgjedhore në vend. Këto janë konkluzionet e nxjerra pas takimeve dyditore me krerët më të lartë politikë në vend nga delegacioni i përbashkët i Komisionit të Venecies dhe OSBE–ODIHR-it. Në konferencën e tyre për shtyp ekspertët zgjedhorë i bënë apel politikës shqiptare që komisioni parlamentar të nisë sa më parë punën për reformën zgjedhore. Ndërsa garantuan se ndërkombëtarët do të ofrojnë kontributin e tyre nëpërmjet rekomandimeve, delegacioni i përbashkët theksoi se ata nuk punojnë me partitë politike, por me trupat zyrtare. “Jemi këtu të kontribuojmë për reformën zgjedhore të Shqipërisë. Nuk duhet të shohim pas, por para. Do të nxjerrim një opinion në mes të dhjetorit, por disa përfundime janë gati tani. E para është nisja e punës dhe ngritja e një komisioni parlamentar për reformën zgjedhore. Jemi optimistë që do të funksionojë shpejt dhe më duhet të nënvizoj se puna duhet të nisë shpejt, sepse keni një numër të madh rekomandimesh. Çështjet janë të qarta, tani Kuvendi duhet të fillojë të punojë mbi opinionet. Më 16–17 do të kemi një opinion më të qartë për çështjet e OSBE–ODIHR. Jemi gati të punojmë me komisionin parlamentar. Ne nuk punojmë me partitë politike, por me trupat zyrtare. Ne jemi për të ofruar këshilla dhe ekspertizën e duhur”, - nënvizoi Market. Në të njëjtën linjë me Market u shpreh dhe përfaqësuesi i ODIHR-it, i cili theksoi se vizita e përbashkët tregon gatishmërinë për të ndihmuar komisionin parlamentar në zbatimin e reformave. “Kemi qenë në Shqipëri edhe muajin e kaluar. Kjo vizitë e përbashkët me Komisionin e Venecies tregon se OSBE–ODIHR-i është i gatshëm për të ndihmuar komisionin parlamentar për të zbatuar rekomandimet për reformën zgjedhore”, - theksoi përfaqësuesi i ODIHR-it. I pyetur mbi rekomandimet e Komisionit të Venecies, që pritet të jepen në dhjetor të këtij viti, sekretari i këtij komisioni u shpreh: “Nuk ka ndonjë dallim mes opinionit dhe rekomandimeve, ai do përmbajë rekomandime dhe unë nuk e di mirë cilat janë këto pyetje. Por besoj disa çështje që janë diskutuar do të reflektohen në opinion, sidomos çështjet pas zgjedhjeve lokale dhe parlamentare. Reforma shkon larg, rekomandimet e OSBE–ODIHR-it kanë përcaktuar çështjet që duhen zgjidhur dhe, nëse i zbatoni, atëherë do të bëni progres, ndaj mendoj se detyra kryesore është t’i qartësojmë këto rekomandime dhe të gjejmë mënyrat e duhura për t’i zbatuar ato”, - nënvizoi Market.

Rekomandimet

“Detyra jonë është që të bëjmë rekomandimet për të ardhmen dhe jo vlerësime për të kaluarën. Rekomandimet nga Komisioni i Venecies dhe OSBE–ODIHR-it do të analizohen në opinionin e përbashkët që do jepet për Shqipërinë. Opinioni formal i Komisionit të Venecies do të adoptohet në takimin e ardhshëm të këtij komisioni më 16–17 dhjetor”, - tha Market.

Dialogu politik

“Është e rëndësishme për të pasur këtë dialog tani para adoptimit të opinionit të dhjetorit dhe pastaj për të vazhduar më tej. Për këtë partitë politike duhet të mos presin dhjetorin e ardhshëm, por të ngrenë urgjentisht komisionin parlamentar për reformën zgjedhore në vend. Çështjet janë të qarta, tani Kuvendi duhet të fillojë të punojë mbi opinionet.”

ODIHR-i për Kodin

“Kodi Zgjedhor duhet ndryshuar për të trajtuar me vlefshmërinë e fletëve të votimit të hedhura në kutinë e votimit të gabuar, duke përfshirë edhe procedurat për fletët e votimit të tillë në tabelën e rezultateve, si dhe procedurat që duhet të ndiqen në rast të mospërputhjeve kur numri i votave të hedhura tejkalon numrin e nënshkrimeve në listën e zgjedhësve.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›