Kriza e kritikës kaotike
Granit ZELA
Kështu nuk mund të vazhdohet më. Janë tetëmbëdhjetë vjet kohe pasdiktatoriale dhe kritika letrare është në letargji. Gjatë këtyre viteve kritika pak ka ndërruar, ajo vazhdon me temenanë e vjetër. Dyndja e masivizimit dhe mediatizimit të letërsisë është e plotë, kurse kritika është fragmentare. Një kohë tjetër shkrimi ka ardhur në letrat shqipe, por kritika nuk është në ballë të këtij proçesi shndërrimi, as në mes të saj. Kritika është në fund!
Sepse kemi shkrimtarë që merren me kritikë, filozofë, psikologë, mësues shkollash, dashamirës të letërsisë që merren me kritikë, e jo kritikë letrarë të specializuar në këtë lëmë. Ata që janë, numërohen me gishtat e dorës përballë sulmit vandal të mediokres në letërsi. Duhet një Kritikë e Re letrare, e cila nuk mund të vazhdojë të jetë më:
Kritikë e Hosanasë
Të gjitha shkrimet që shkruhen për veprat letrare vetëm thurin lavde për autorin. Ato nuk reshtin së nxjerri në pah vlerat e autorit i cili më së paku është një talent i vërtetë, madje në përmasat e gjeniut, por që bashkëkohësit nuk kanë largpamësinë e duhur për të parë përmasat e hatashme të gjeniut të ardhshëm. Nuk është kritikë ajo që vetëm lëvdon, vetëm ngre, vetëm zbulon nobelistë të provincës dhe të kombit. Nuk është kritikë serioze ajo që shndërrohet në pamflet përlëvdues për autorin, të cilin kësisoj e fundos një herë e mirë, duke i thënë në çapat e parë se ka arritur majat!
Kritikë e stërakademizuar
Kjo është kritikë që, kur rreh të flasë për një vepër letrare, nis e citon pafundësisht teoricienët e letërsisë, duke shkuar aq larg, sa rrallë përmendet vepra në shqyrtim, por merret me teori të përkthyera shkele shko nga mëtonjësi për me qenë kritik. Dhe fjalitë në këso rastesh janë aq të gjata, sa nuk dihet ku e kanë fillimin e ku mbarojnë, shpesh edhe pa kuptim. Ja një shembull nga kjo lloj kritike: “Montazhi asociativ e sforcon dihitominë e relacioneve midis modeleve aktanciale: shpesh kategoritë e njërit model ndërrojnë funksionin e vet dhe relacionin në modelin tjetër aktancial, si ndërrim funksionesh aktanciale nga një transformim dinamik në suaza të strukturës. Në këtë kontekst zakonisht karakterizohet një model bazik aktancial, të cilit me nënrenditje ose koekzistencë mund t’i nënshtrohen të tjerët. Mirëpo koherenca e teksit, e strukturës së veprës është koherencë sinkretike, entitet sinkretik, pavarësia e tërësive është evidente, prandaj edhe modelet aktanciale që nënrenditen ose koekzistojnë në raport me modelin bazik aktancial kanë funksione të dyfishta: si aktansë dhe si akterë.” Këtu bëhet fjalë për shqyrtimin e një vepre letrare apo për fantashkencë? A kanë kuptim fjalitë fjalia “Bën racionalizimin e ndjenjës dhe intuitizimin e racios, formalizimin e esencës dhe esencializimin e formës përmes reduksionizmit eidetic në dobi të onticitetit kategorial të artefaktit.”(?!)
Mendojmë se traktati teorik nuk është përkthyer mirë, ka faqe të tëra përkthimi banal, që shpien në një shkrim surrealist. Kësisoj, lexuesi tëhuajësohet e nuk nxitet ta kapë fare veprën me dorë.
Kritika biografike
Kjo lloj kritike parapëlqen të flaës për autorin, të numërojë bëmat e tij dhe gjëmat e kohës kur jetoi, pra, në njëfarë mënyre bën biografinë patetike të autorit, i cili nuk është mposhtur e nuk ka ndërmend të mposhtet nga asnjë lloj sistemi. Po japim pak fragmente nga kjo soj “kritike”. “Historia e popullit shqiptar është shkruar në forma të ndryshme gjatë shekujve, nëpër kohëra që gjithmonë ishin të trazuara, të tronditura, madje tragjike e rrallë të qeta, të ëmbla e të ngrohta.” Paskëtaj në këtë lloj kritike citohen vargje të tëra poezie apo pjesë të shkruara në prozë, për të mbështetur tezën historike të shpirtit luftarak jo vetëm të autorit/es. “Kontributi poetik i autores shihet në këto vargje dhe nuk stepet para furtunave zhbërëse, por qëndron i patrandur dhe krenar, sepse deti tash bëhet mal e malet kreshta, ndërsa poetesha bëhet “tel lahute”… ”Në baret buzë detit/ me Kamber Loshin kam qëndruar/ deti valët i bëri kreshta malesh /unë tel lahute u bëra dyfish e forcuar.”
Në raste të tjera, shtjellohet profesioni i autorit-es duke shprehur konsideratat e rastit, si: “Filan Fistëku është personalitet i njohur për shqiptarët në ekranet televizive shqiptare, duke filluar nga TVSH-ja e më tutje. Ajo njihet për modelimin e saj paksa të veçantë në disa emisione, që figurën e saj e mbështjellin me një dozë të matur respekti, lakmie e madje, pse jo, edhe xhelozie nga koleget e saj gazetare dhe moderatore...”
Kritika mediokre
Është ajo kritikë, që nuk flet fare e as për librin as për autorin e librit, po për autorin e shkirmit dhe gjendjen fizike e shpirtërore të tij. Pra, është kritikë që nuk thotë asgjë. Rëndom tregohet se si ka rënë libri në dorën e shkruesit, si nisi ai ta lexojë, me çfarë shpejtësie e lexoi etj., etj., duke përfunduar me ankthin që paskësh ngjallur faqe pas faqeje: “Sapo mbarova së lexuari librin, isha aq i tronditursa, sa ai më ra nga dora.” “Isha në ankth për zgjidhjen e kontradiktës në fund të librit. U lumturova që ajo u zgjidh natyrshëm e me mençuri.” Pra, jepen përjetime personale në leximin e librit dhe kaq.
Kritikë e shitur
Është kritikë e shitur tek organizuesi i kokteilit, që ndodh të jetë pasanik. Është shënim kritik që paguhet me rreshta, ku çdo lëvdatë dhe “zbulim” vlerash merr sasinë e caktuar të eurove. Kjo është forma më e zvetnuar e shkrimit në përgjithësi dhe kritika më e mjerë, që mund t’i bëhet një vepre po kaq të mjerë. Kjo lloj kritike angazhon industrinë e reklamës, duke paguar me përpikmëri çdo ingranazh të këtij mekanizmi me një përllogaritje të saktë të fitimit nga libri. Kritika e shitur është forma më kërcënuese sot e tjetërsimit dhe kaosit në fushën e letrave. Një kritikë e lapërdhosur (e korruptuar).
Nuk mund të vazhdohet më me kritikë të hosanasë, kritikë të stërakademizuar, kritikë mediokre dhe aq më pak të shitur. Ndaj dhe duhet një Kritikë e Re përballë një letërsie të kohës së lirisë, me instumentarë e frymëzim të ri, për një lexues që çdo ditë e më shumë tundohet mirëfilli ta braktisë letërsinë.
9 Nentor 2008