E Diel, 1 Nëntor 2026

Quhet Ndoc Gjetja, poet dhe njeri



Elinda MARKU

Që kur kam njohur Ndoc Gjetjen
(poet dhe njeri)
nuk e di pse kam filluar të mendoj
e gati-gati e besoj mendimin tim se
Nuk ishte Homeri i verbër,
por bashkëkohësit e tij.
Kur u erdh shikimi grekëve,
Homeri nuk shikonte me gjithëmend më.
Keshtuqë “faji” i verbërise i mbeti përjetësisht
Homerit.

* * *
Kisha besuar se
Poetët janë nga pak perëndi dhe nga pak djaj.
Nga pak çmenduri dhe nga pak guxim për t’u çmendur
Nga pak njeri dhe nga pak mit
Nga pak luftë e nga shumë luftë për paqe.
Dhe të “sëmurë” nga memecëria,
çka kjo sëmundje i bën disa të përjetshëm.

* * *
Mbasi e njoha Ndocin, besimi im fillonte:
Secili poet eshte nga pak Krisht...
Ndërsa Ndoci është i gjithi!

Ndoci i ruan lotët për dhimbjet e të tjerëve
me lekurën e tij lidh plagët e qytetit
dhe të botës.
Shpirtin e bën shall të ngrohtë për foshnjën dashuri.
Ndoci asnjëhere nuk lidhi besë me vdekjen
ndonëse vdekja i preu pemën më të shëndoshë.
Po te kishim lindur unë edhe Ndoci në Greqi
do të kisha besuar se u ringjall edhe Homeri.
Po të mund ta quaj Shqiperinë Itakë
Do të kisha thënë se është kthyer Odisea.
Ndoci i njeh të gjitha gjërat e botës
dhe sidomos njerëzit.
Sidomos njerëzit i do kaq shumë.

* * *
Po të botohet dy tre herë fotoja e tij në shtyp internacional
do të kisha guxuar të them e të besoj
se mbas njëqind vjetësh, ndoshta mbas njëmijë vjetësh
Piktorët dhe skulptorët e kishave dhe të katedraleve
do ta kopjojnë fytyrën e Krishtit
nga fotoja e tanishme e Ndocit.
(Çdo dite e më shumë e besoj Krishtin të ringjallur.)
Sa herë e takoja Ndocin, ikja prej tij me shpinë
siç iki prej altarëve kur dal nga kisha.
Ndoci nuk i deshi (as nuk i do) sendet dhe postet,
ornametet. As shtepinë më të madhe se nevoja.
Paratë as të domosdoshmet nuk i do.
Ndoci është rojtari i shpirtit dhe trashigimtar i tij
në vendin tim -tonë.
Ai pothuaj nuk e di ç’është Nobeli
asnjë ëndërr nuk harxhoi për famën.
Ndoci në qytetin e tij është si një bibël
që ende nuk është lexuar.

* * *
Perendisë askush nuk ia njeh zërin
por ia ndjen dashurinë!
Paaftesitë e Ndocit janë...
Paaftësia për të urryer dhe, më e madhja paaftësi,
Paaftësia për t’u përulur, përveç dashurisë.
Paaftësia për t’u dukur, e për të qënë i lumtur….
I paaftë për të qënë i vdekshëm.

Ndoci është durimi që të fut frikën
dhe heshtja që të plas mendimin!
Ai është dashuria që ta shemb shpirtin
e ta ngre atë nga fillimi!

Të gjithë e duam Krishtin,
e duam në pendesën tonë pse e kryqëzuam
dhe në nevojën tonë për të na dashur Ai më shumë.

* * *
Që kur kam njohur Ndoc Gjetjen
(poet dhe njeri)
nuk e di pse kam filluar të mendoj
e ta besoj mendimin tim
se: Nuk ishte Homeri i verbër,
por bashkëkohësit e tij.
Dhe... kur u erdh shikimi grekëve,
Homeri nuk shikonte megjithëmend më.
Keshtuqë “faji” i verbërisë i mbeti përjetësisht…
Homerit.

Tigri i Borgesit

Kam kohë që lodhem të zbus
Tigrin e Borgesit
Nuk e di e kam, apo më ka zbutur.
E shoh se përballë meje rri ulur
në bisht, në bythë të një peme
të vjetër - sa molla e ndalueme
Tigri i Borgesit e ka origjinën në Eden
atje tek molla e tek fillimi
Ndersa jam zatetë as e zbutur as e mundur
në një pemë buzë rrugës së madhe
nga gjithëkush kalon,
në mos e gjuan me gurë
ia këput një degë
të trembë mizat
ose të bëjë fresk!
Të dy rrimë përballë
unë këndej
Tigri i Borgesit andej.

Vetë Borgesi
bastunin e ka kthyer në fyell
e po i bie!
Çoban që na ruan të dyve
Mua më ruan prej tigrit
e tigrin e ruan prej zbutjes!
Mesazh privat
E hodhe monedhën ?
Po ajrin si e perzieve?
Ti zgjodhe kuajt e bardhë të më ndjekësh.
Më mbylle në torrat e zeza të pritjes.
Ato janë të tejdukshme.
U bënë të tilla nga tundja e ajrit
prej frymës tënde dhe
aromës së ëndrrës së parmbrëmshme.
Unë di t'i lexoj largësitë.
Kam marrë një çmim për këtë.
Mund ta ndajë me ty, meqë askush nuk e di.
Meqë askujt s'guxoj t'ia them.
Ty po ta them, pa guxuar.
Kuajt e tu fluturojnë.
Edhe tejdukshmëria kalëron.
Mbi një ëndërr që dua ta shoh.
Në një ëndërr që dua të të kem.
Ti s'më lë as të ëndërroj. Më gënjen me kuaj
të bardhë të drunjtë - lojë serioze.
Pres e pres duke toritur gjumin.
Thonë se në gjumë je i pergjysëm me vdekjen.
Bën mirë që nuk fle
(që nuk flemë). Ata që pinë kafe,
duhan e pagjumësi të përzier me mërzi,
thonë se mund të vdesin shpejt.
Epo, të vdekshëm se të vdekshëm ,
pse nuk flasim të paktën.
Të paktën e të paktës, le të mendojmë për njëri-tjetrin.
Edhe mendimet mjaftojnë për të zvogluar botën.
Botën sa një grusht.
E di ku je ti tani në grushtin tim - botë?
Në kurriz të gishtit të vogël,
majen e të cilit e kafshoj pas çdo letre që të nis.
Kafshohem... jo prej pendimit, por se
herë më duket se thashë shumë e tepër, herë se nuk
i thashë të gjitha ato që desha të të them.
Ose që ti deshe.

8 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›