E Diel, 1 Nëntor 2026

Kronika e zhbërjes absurde

“Selvitë e Tivarit”, ky roman i absurdit, i konceptuar në tridhjetë e shtatë kapituj të gërshetuar bukur në çdo aspekt, ngërthen në vete gjithë varavingat ekzistenciale të njerëzve të thjeshtë, të përballur me sfidat e një jete përplot me ngjarje në

Ibrahim IBISHI

Nga pozicioni i narratorit të gjithëdijshëm, herë nga pozicioni i personazhit narrator, Mehmet Kraja evokon e rikonstrukton ngjarjet në ndërdije nga perspektiva e një fëmije, që do të ketë qenë banor i qytetit, ose njohës i mirë i kohës së konfliktit të tematizuar, kur Tivari do të binte nën sundimin e një ushtrie të huaj e të egër, po aq të huaj sa ajo e Dovletit. Kompozicionin e kësaj godine letrare e realizon me aktivitetet e një numri të madh personazhesh, që në të shumtën janë njerëz të thjeshtë, me sjellje të përçudnura, të mpleksura nga një çmenduri alla Kraja, të retarduar në njëfarë mënyre, të shthurur, tekanjozë, perversë, interesaxhinj që vrapojnë pas materiales, si dhe të tillë që i ka magjepsë “qejfi i mishit”, i servuar si një lloj opiumi nga pararoja e prapaskena e ushtrive të huaja dhe fuqive botërore të vendosjes. Autori dëshmon një shije të çuditshme në karakterizimin e personazheve, të cilët i fut me takt në “luftën” e tij artistike, si të ishin ushtarë të një ushtrie që nuk di për humbje.

Shenja e parashenja

Subjektin autori e fillon me përshkrimin bravuroz të ambjentit bregdetar, ku do të luhet një lojë absurde e njerëzimit, një realitet i përmbysur, ku njeriu i thjeshtë është i pafuqishëm të ndryshojë çkado qoftë, kur kihen parasysh rrethanat e kohës së ngjarjes dhe mentaliteti, të them gllabërues, ballkanas, në njërën anë dhe, në tjetrën, naiviteti i trashëguar dhe besimi në sinqeritetin njerëzor për vënien në vend të drejtësisë, si baraspeshë për mbijetesë.
Në kuadër të kësaj, Kraja apostrofon frikën e arsyeshme njerëzore e mërzinë që shkakton pritja në ankth e një lufte që flitej se do të ndodhte e përgjakshme. Zaten, parandjenjën e ankthshme të së pritshmes njerëzit e Kalasë së Tivarit e kishin ndier edhe më herët, në atë “mërzinë e moçme që thuhej se vinte nga pamja e zbrazët e detit dhe shiu që binte pareshtur”, e që autori duhet të ketë aluduar për njëtrajtshmërinë e jetës nën sundimin e Perandorisë Osmane. Por Krajës i duhet një parashenjë që ankthin e pritjes ta bëjë më të trishtë, më enigmatik, më të plotë. I duhet një profetizim që pritja e së nesërmes të krijojë ëndrra të trishta që, pastaj, njerëzit të mendojnë më shtruar për të ardhmen e tyre, e nëse jo për të tyren, së paku për atë të fëmijëve dhe gjeneratave që nuk duhet të zhbëhen.
Dhe e krijon borën që nuk është tamam borë, sepse “borë e vërtetë nuk ishte parë të binte në ato anë prej një kohe të gjatë”. Ajo ishte borë që e kishte qëndisur vetë autori, tek “e valviste lehtas era, e kthente në pluhurimë të mjegullt dhe e davariste në thërrmija gati të padukshme krahnezash të argjendta”. Është borë e s’është borë, diçka si borë. Dhe që kjo të shpjegohet, të kthen te bestytnia, sepse bora nuk është e zakonshme në brigjet e deteve të jugut. As nuk mund të mos u shkaktojë njerëzve shqetësime. Ata do të thonë, pa një pa dy: Kjo nuk është shenjë e mirë, sepse figurativisht bora ka kuptimin e ftohjes në diçka, e ankthit, e robërisë, kuptimin e ndjenjës së pasigurisë… Po këtë borë, autori e sforcon edhe në kapitullin e fundit, duke e përdorur po ashtu në kuptimin figurativ, por tashti në kuptimin e përcaktimit të kufirit shtetëror: “Bora kishte arritur deri te Qafa e Shkallës dhe ishte ndalur aty...” Dhe formon kështu një si unazë kompozicionale, duke krijuar në një rreth të plotë, figurativisht, filozofinë ekzistenciale të humbjes së identitetit njerëzor e kombëtar: borë në fillim të rrëfimit e borë në fund të romanit.

Qejfi i mishit

Shenja e dytë e ogurit të keq, në këtë fillim kompozicioni, është Zuke Kalimani, që në roman paraqitet si personazh enigmë (i tillë mbetet deri në fund), si nismë e një proçesi, një grua me histori të një gjaku të paqartë, për të cilën dinë pak njerëz, ndër ta Ilham Shaqir Suma, një personazh tjetër tërheqës, që Kraja i jep rolin e një vëzhguesi inteligjent të qiellit dhe të detit të etnisë, ai “njeh punët e dynjasë”, një njeri që e preokupojnë ecejaket e njerëzve të Kalasë dhe zhvillimet brenda saj. Ai më së miri e njeh Zuken. Ndërsa narratori – fëmijë është një si interpretues i filozofisë dhe “politikës” së tij, i cili mendimet dhe lajmet që merr nga Ilhami së pari i shqyrton me grupin e tij, Prekën dhe Samiun e Sumajve. Zukja, sipas kujtesës së Ilhamit, ishte një vajzë me përzierje gjaku, çerkeze-shqiptare, fëmijë i një martese të degjeneruar, e cila ik nga shtëpia për t’i shpëtuar torturës së gjakut të papastër. Askush nuk e di drejtimin e ikjes. Dhe, kur kthehet, kthehet triumfalisht, por në një kohë të gabuar, e kamur, me shërbëtore e vajza haremi. Qysh në nismë, lexuesi i kultivuar nuk do ta identifikonte Zuke Kalimanin vetëm si një grua që do të përfitojë nga lufta, por e sheh në ndërdije si një “kalë Troje”, përbrenda barkut të të cilit nuk do të ketë ushtarë të armikut me shpata, shtiza e topuzë, por diçka shumë më të rrezikshme, më të ashpër se çdo teh arme. Nga ky “bark” apo nënbark i magjishëm, do të shpërndahej aroma e një mirre hyjnore, aromë që e ysht dëshirën e secilit mashkull për “qejfin e mishit”, qejf që çdo burrë do ta vinte në gjumë të përgjithmonshëm, ose thënë drejtpërdrejt, do ta amortizonte dëshirën për kauzën njerëzore të qëndresës në luftë për dinjitet e atdhe. Dhe, për këtë, as Kraja - si autor e narrator i gjithëdijshëm, as Ilhami Suma - si një njeri i dijshëm, as personazhi narrator fëmijë - si kronikan i ngjarjeve të romanit, nuk mund ta kenë ditur se kush e risolli Zuken në Tivar: krajli i Cetinës, komandanti i ushtrisë së Dovletit, Stjuarti i çalë i Ingliterrës, apo të gjithë së bashku. E kjo bëhet edhe më e paqartë, kur pas disa vitesh nga vdekja e qytetit, Stjuarti i çalë kthehet e vdes pranë varrit të Zukes, mu në qytetin, të cilin mbase e ka krijuar me sakrifica për një kohë tjetër.

Analogjia në dy kohë

Pas këtyre parashenjave që profetizojnë kobin, narratori rendit rrëfimet me qëllim të dokumentimit të një tragjedie kombëtare. Këtu e andej, sikur fillon shthurja, e cila shtegton deri në fund, kur nis eksodi dhe ikja, e cila ka kuptimin e fshirjes nga kujtesa të kohësisë, por edhe nga faqja e dheut.
Thashethemet, ndërskamcat, imoraliteti deri në perversitet, tradhtia, thurja e merimangës nga spiun të ushtrive të huaja dhe qendrave ndërkombëtare të vendosjes, vrasje të mistershme të veshura me petk mitesh, vetëvrasje, njerëz të çmendur që shëtisin rrugëve, “parashikues” të së ardhmes, profiterë lufte, kriminelë, provokime ushtrish në konflikt, të vendosura në lindje e perëndim të Kalasë, deri në luftën e ushtrive të konfliktuara, që nuk vrasin ushtarët e njëra-tjetrës, por banorët duarthatë dhe të pafajshëm, që theren si cjapi te kasapi. Të gjitha këto janë gurët e një “ngrehine”, të krijuar me prapaskena dhe elementët përbërës të një kompozicioni letrar, të ndërtuar me shije artistike. Më pastaj ikja, e cila vjen si rezultat i rënies së qytetit, kur banorët e Kalasë e shohin të paarsyeshme të mbyllin portat, sepse autori vë në gojën e tyre këtë gjykim të drejtë: “Pse me na sha e me na prish gjumin, edhe ashtu kanë me hy e me dalë kur t’ju teket, sepse sahati kishte filluar të punonte allafrënga.”
Narratorin e këtyre ngjarjeve Kraja e ka të kujdesshëm, të paanshëm, një kronikan që i vrojton situatat nga këndi i një fëmije të rritur para kohe. Ai është një përcjellës besnik, derisa turmat e të ikurve ngjiten e ngjiten përpjetë me nam e gjëmë, me zorrë nëpër këmbë dhe nuk dinë nga të shkojnë, sepse “ujët e Bunës vinte i turbullt dhe se nuk ishte e mundur të kalohej matanë”, gjykon Kraja.
Prandaj dhembja e autorit për katrahurën degdisëse të masës së njerëzve që humbin atdheun, shfaqet mallëngjyese kur me fjalët e një personazhi të vdekur, i cili nuk mund të vdesë siç mbyllen sytë rëndom dhe endet nëpër turmën e të ikurve, thotë: “Nëse vjen edhe dikush tjetër prej vorreve të Tivarit, ma lëshoni nji za, due me pyet a ka fillue me dalë pranvera asaj ane.” Autori i përgjigjet nga këndej varri, natyrisht me pezm, duke aluduar për kohën e sotme.
Është e kuptueshme pse Kraja është i matur në realizimin, po dhe në deshifrimin e shpirtit të personazhit a të shpirtit kolektiv të etnisë. Ai nuk improvizon moral e ngjyrime false për të ngritur dhunshëm lart “moralin e popullit”. Atë realitet vetëm e vesh me përshkrime fantastike, që lexuesin e bëjnë ta përjetojë leximin si një film nostalgjik. Inisiativën “e popullit” për ndonjë kundërpërgjigje ndaj shkëputjes së qytetit e krahinës së tij nga trungu kombëtar, ia lë në ndërgjegje ndonjë Markagjoni, Markajungu a ndonjë individi si Ymer Efendia i Ulqinit, apo ndonjë delegacioni a këshilli, zgjedhur nga bashkësia e qytetarëve, përpjekje këto që i paraqet jo serioze, madje qesharake e të papërgjegjshme, sepse nuk kishin vizion të qartë për mbrojtjen e qytetit (atdheut), ngase herë i viheshin në dispozicion njërës, herë tjetrës ushtri. Ndërsa edhe më bukur e trajton përgjigjen e komandantëve të ushtrive të konfliktuara, me tërë arrogancën e paturpësinë idioteske të tyre, kur në shkëmbim të lirisë dhe kufijve kërkojnë gjërat më të kushtueshme e më të paprekshme, që lëndojnë integritetin moral e njerëzor dhe që tanët kurrë nuk kanë mundur vullnetarisht ta nëpërkëmbin. Pushtuesit me traditë amorale, të konfliktuar nga lakmia për sundim të përjetshëm, kërkojnë të njëjtat gjëra që kërkonte dikur bajlozi i zi nga Gjergj Elez Alia. Prandaj: vdekje, ose ikje. Dhe ikja për një çast është e imponuar, më e padhembshme, por e turpshme.

Rrëfimi paralel

Fundin e librit autori e sjell të dhembshëm, por të arsyeshëm, duke e përmbyllur me një rrëfim paralel për fundin e jetës së Ilham Shaqir Sumës dhe Selim Çerkezit, duke treguar herë për njërin e herë për tjetrin, por edhe për fundin e Zuke Kalimanit dhe Stjuartit të çalë. Personazhet e kapitujve të parë, Zuke Kalimani, Selim Çerkezi e Stjuarti i çalë etj., tashmë prehen në varrezat ndanë mureve të kalasë, në qetësi, nën hijet e selvive, sepse nuk kanë mundur të ikin, nuk kanë mundur të jetojnë pa ngrohtësinë e vendit të fëmijërisë pa fëmijëri. Ndërsa, sipas asaj që Kraja pasqyron në kreun e fundit, lexuesi do ta shohë Ilham Shaqir Sumen si mohikanin e fundit, i cili kurrë nuk u josh nga “qejfi i mishit”, por jetoi e vdiq duke ëndërruar për diçka më madhore, në dallim prej personazheve të tjerë që karakterizohen nga jeta e shthurur. Për ta treguar pa koment vetminë e frikshme të qytetit, autori demonstron vullnetin për të mos rrëfyer, përtej kësaj, asnjë fjalë për të, por ai nuk e lë pa rrëfyer në ndërdijen e lexuesit, i cili do ta kuptojë se selvitë e Tivarit janë simbol i ekzistencës së një cope atdheu, të shndërruar në relikte antikiteti, që nuk kanë siguri, siç nuk kanë siguri as Kalaja, Kroi i Nuseve, Përroi i Bindit, Kulla e Princit, Kulla e Sahatit dhe emërvende të tjera. Mehmet Kraja është shkrimtar i veçantë në fshirjen pa gjurmë të kufirit që ndan realitetin e fiksionin në një rrëfim letrar. Ai i bën personazhet që në të njëjtën kohë të jetojnë e të veprojnë edhe andej, edhe këndej atij kufiri të imagjinuar, që ndanë kohën reale dhe atë të improvizuaren në shkrim.
Autori është njohës i mirë jo veç i gjuhës së personazheve të tij, por edhe i mentalitetit të tyre, i bëmave, trimërive, tradhtive, i zhargonit që Kraja e nxjerr në original. E ky origjinalitet i banalitetit të njeriut të thjeshtë, të lodhur nga pritja e ankthshme që shkakton frikën e pasigurinë për jetën, shfaqet edhe simpatik, edhe i zbutur me humorin e lehtë ironizues, që e çlodh lexuesin, duke e siguruar atë për vërtetësinë dhe natyrshmërinë e dialogjeve në roman. Në përgjithësi, ky roman i absurdit, i konceptuar në tridhjetë e shtatë kapituj të gërshetuar bukur në çdo aspekt, ngërthen në vete gjithë varavingat ekzistenciale të njerëzve të thjeshtë, të përballur me sfidat e një jete përplot me ngjarje në një realitet të përmbysur shoqëror e historik, i cili edhe sot nuk mund të fshihet aq lehtë nga kujtesa kolektive, që do të thotë, edhe më tutje ka një ngjashmëri me absurditetin e të tashmes së pasigurt.

9 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›