Një ngasje e shpirtit
“Nëse demat, kuajt dhe luanët do të kishin duar dhe do të ishin në gjendje të pikturonin, kuajt do t’i paraqisnin hyjnitë të ngjashëm me kuajt, demat me demat dhe luanët me luanët, sipas figurës që zotëron secili. Nga ana tjetër, etiopianët pohojnë se perënditë e tyre janë hundështypur dhe të zinj, trakasit se janë sykaltër e flokëkuq.”
Ubaldo NICOLA
Antropomorfizëm quhet prirja e natyrshme (në këndvështrimin psikologjik) për ta interpretuar botën fizike, madje edhe atë hyjnore, në ngjashmëri me përvojën e brendshme të njeriut. Në lashtësi, i pari që e përdori këtë ngasje të shpirtit ishte Ksenofani i Kolofonit (565-465 p.e.s.).
Duke kritikuar mishërimin e pamjes dhe të parimeve morale karakteristike të qenies njerëzore nga ana e perëndive, tipike për mitin homerik, ai argumentoi: “Nëse demat, kuajt dhe luanët do të kishin duar dhe do të ishin në gjendje të pikturonin, kuajt do t’i paraqisnin hyjnitë të ngjashëm me kuajt, demat me demat dhe luanët me luanët, sipas figurës që zotëron secili. Nga ana tjetër, etiopianët pohojnë se perënditë e tyre janë hundështypur dhe të zinj, trakasit se janë sykaltër e flokëkuq.”
Edhe pse në mënyrë më të zbehtë, gjurmë të qasjes antropomorfike gjenden te shumë mendimtarë të lashtësisë greke. Fizika e Aristotelit, për shembull, e karakterizuar thellësisht nga finalizmi, përfundonte me humanizimin e sjelljes së materies, duke shpallur maksima si: “Natyra nuk bën asgjë kot”; natyra “ka tmerr” nga zbrazëtia; rëndesa është “dëshira” e elementëve për t’u kthyer në vendin e tyre të natyrshëm.
* * *
I pranuar nga mendimi magjik, sidomos gjatë Rilindjes, parimi antropomorfik është kundërshtuar sidomos nga shkenca moderne, e cila ka parë aty pengesën më të madhe për arritjen e një marrëdhënie të drejtë (objektive, të paanshme) me botën natyrore.
Psikologjizimi i dukurive pengon analizën e natyrës si një botë në vetvete, të ngritur mbi parimet e saj (juxta propria principia) dhe të shpjegueshme vetëm në bazë të tyre.
Në epokën moderne, kritika e antropomorfizmit fetar luajti një rol të rëndësishëm në filozofinë e L. Fojerbahut, i cili pa aty një provë të zanafillës mondane të miteve... Çdo fe është një formë e pavetëdishme e tjetërsimit (dalja nga vetja), përmes së cilës njeriu krijon nga hiçi (nga mendja e tij) idenë e një hyjnie të përkryer, së cilës pastaj i nënshtrohet me iluzionin e zgjidhjes kësisoj të konflikteve të pashmangshme të gjendjes njerëzore.
Në shkencën e shekullit që sapo ka kaluar, është shtruar si problem brenda etologjisë.M ë 1965, në “Për sjelljen e kafshëve dhe të njeriut”, K. Lorenz, duke ndjekur drejtimin e Darvinit, mbështeti dobinë e një qasjeje antropomorfike, që lehtëson shpjegimin e sjelljes së kafshëve, duke i përqasur me modelin njerëzor.
Këtij konceptimi iu kundërvu etologu hollandez N. Tinbergen, sipas të cilit nuk ekzistojnë elementë objektivë për të mbështetur krahasimin mes përvojave sumbjektive njerëzore dhe atyre shtazore.
Përktheu Erion Kristo
9 Nentor 2008