E Diel, 1 Nëntor 2026

Një burrë që qan…

(E megjithatë, askush nuk cënohet)

Nuk është turp të qajë burri. Përkundrazi, është hijeshi dhe lartësi zemre. Lotët e burrit nuk dalin kurrë kot. Ai nuk ngashërehet për çdo lloj dhimbje. I burojnë prej syve vetëm në heqje shumë të mëdha. Libri i Kukës është tronditës për ngjarjen që tregon, ai është shokues edhe për një arsye tjetër. Pjesa e parë e vlerës, ajo e shprehjes artistike të dramës që ka vuajtur dhe i dhemb pa pushim, nuk është objekt i këtij shkrimi. Pra, ky artikull nuk është një reçension për këtë libër.

Ky artikull ka për synim të dëshmojë dhe të tërheqë vëmendjen e opinionit publik për një pamje tjetër të asaj, që shoqëron rrëfimin e “burrit i cili qan”. Kjo ka të bëjë me shërbimin shëndetësor publik shqiptar. Po ndjekim nga afër dhe me një vagëllim shprese impulset, që kërkon t’i japë këtij shërbimi jetik ministrja Gode. Jemi bashkë me të. E megjithatë, ka pak gjasë që gjendja të ndryshojë. Nuk kemi të bëjmë me një sëmundje të zakonshme të këtij shërbimi, vetë ky shërbim I sëmurë po merr pamjen e tumorit.

Sipas “Burrit që qan”, pas tre vitesh kurimi në Shqipëri dhe në Turqi, në javët e fundit të jetës së saj bashkëshortja e autorit, një mësuese aq e mirë në qytetin e vet, shtrohet në një spital të rëndësishëm publik në kryeqytet. Nuk po e identifikojmë këtë grehinë. Nuk ka asnjë rëndësi. Me gisht nuk mund të kallëzohet vetëm një spital, por i gjithë sistemi shëndetësor. Më saktë, kjo akuzë thjesht duhet përsëritur, sepse nuk ka mbetur faqe gazete dhe kronikë televizive pa e bërë të ditur këtë problem. Fryma e korrupsionit është dëshpëruese dhe alarmante.

Autori bën shumë denoncime tronditëse, siç edhe përshkruan me respekt portrete e sjellje mjekësh të veçantë. Për të gjithë personat e spitalet përdor vetëm iniciale ose thjesht një gërmë. Nuk kërkon të fyejë asnjë njeri, porse gjithë kohës vetë është ndier i fyer gjer në palcë. Jo aq për paketat e lekëve bashkshish, ilaçet e munguara që duhej t’i blinte vetë apo për mungesën totale të shërbimit, sesa për etikën që shkelet me këmbë, humbjen e ndjeshmërisë dhe të dhembshurisë njerëzore. Mjekësia ka lindur prej humanizmit. Po mungoi ai, nuk ka më mjekësi, madje as biznes.

Ylli POLOVINA

Në të vërtetë, ky është titulli i një libri, por që i shkon edhe një artikulli me temë mprehtësisht të ditës. Po ta pranosh si të tillë, do të qe e dobishme që ai titull të kishte edhe një pjesë të dytë, ku të shprehej ideja se edhe shqiptarët duhet ta ngrenë zërin, të thërrasin, të bëjnë apel.
Por përse është fjala?

1.
“Një burrë që qan” është një libërth prej pak a shumë gjashtëdhjetë faqesh, një rrëfim i dhimbshëm i një burri shqiptar, i cili quhet Kadri Kuka. Atij para disa muajsh, pas një vuajtjeje të gjatë, i ndërroi jetë bashkëshortja. E mori me vete papritur një tumor gjiri, një “kokërr” e vogël sa një bajame, që kur e palpon për herë të parë të duket gjë krejt e pafajshme. Kadri Kuka është edhe gazetar, edhe njeri kulture, edhe autor librash. Ndryshe nga libri që promovoi dy-tre muaj më parë, dhe që lidhej me imazhin mbresëlënës të Beratit, kësaj radhe pena e tij kullon lot për bashkëshorten.
Nuk është turp të qajë burri.
Përkundrazi, është hijeshi dhe lartësi zemre. Lotët e burrit nuk dalin kurrë kot. Ai nuk ngashërehet për çdo lloj dhimbje. I burojnë prej syve vetëm në heqje shumë të mëdha.
Libri i Kukës është tronditës për ngjarjen që tregon, për ato tre vite lufte të Xhemiles së tij me vdekjen. Ai është shokues edhe për një arsye tjetër. Pjesa e parë e vlerës, ajo e shprehjes artistike të dramës që ka vuajtur dhe i dhemb pa pushim, nuk është objekt i këtij shkrimi.
Ky artikull ka për synim të dëshmojë dhe të tërheqë vëmendjen e opinionit publik për një pamje tjetër të asaj, që shoqëron rrëfimin e “burrit i cili qan”. Kjo ka të bëjë me shërbimin shëndetësor publik shqiptar. Po ndjekim nga afër dhe me një vagëllim shprese impulset, që kërkon t’i japë këtij shërbimi jetik ministrja Gode. Jemi bashkë me të. E megjithatë, ka pak gjasë që gjendja të ndryshojë. Nuk kemi të bëjmë me një sëmundje të zakonshme të këtij shërbimi, vetë ky shërbim I sëmurë po merr pamjen e tumorit.

2.
Sipas “Burrit që qan”, pas tre vitesh kurimi në Shqipëri dhe në Turqi, në javët e fundit të jetës së saj bashkëshortja e autorit, një mësuese aq e mirë në qytetin e vet, shtrohet në një spital të rëndësishëm publik në kryeqytet.
Nuk po e identifikojmë këtë grehinë. Nuk ka asnjë rëndësi. Me gisht nuk mund të kallëzohet vetëm një spital, por i gjithë sistemi shëndetësor. Më saktë, kjo akuzë thjesht duhet përsëritur, sepse nuk ka mbetur faqe gazete dhe kronikë televizive pa e bërë të ditur këtë problem.
Kadri Kuke shkruan: “E shtrova time shoqe te Spitali… Së bashku me mua, ishte edhe vjehrra. Kur hymë në dhomën e pavijonit, më ranë në sy disa krevate hekuri dhe batanije të grisura. Ne na kishin thënë që në pavijon s’kishte asnjë krevat bosh, ndërsa vetëm në dhomën që ne shkuam kishte dy-tre krevate të tillë. Ime shoqe u sistemua në qoshe të dhomës. Që andej dukej T. dhe dielli ngrohte së pari krevatin e saj. Dhoma ishte plot hapësirë e dritë. Përballë nesh ishte një vajzë me një infeksion të rëndë në kockën e dorës së majtë. Së bashku me të ishte edhe e ëma, që gjithë ditën thurte triko. Herë pas here vinte doktori, që e mjekonte dhe e ëma e vajzës gjithnjë do t’i fuste ndonjë pesëmijëshe në xhep… Brenda dhomës, në një kthinë, ishte edhe banjoja dhe, kur ajo bllokohej, duhej të paguaje një sanitare… Ndërsa më e kendshmja ishte shpërndarësja e ushqimit, një grua bullafiqe dhe me pantallonat deri te kërthiza e barkut. Ajo fillonte e bërtiste që në hyrje të korridorit: “Hajde gra, kemi sallam sot… Sallam të mirë e të lirë!” E kështu kalonin ditët. Vizitat bëheshin rutinë. Kryeinfermieri i pavijonit ishte njeri shpirtmirë, por jo i zoti në profesion. Doktoresha, një vajzë e re me flokët kaçurrela dhe me çizme me majë, kur hynte në dhomë i përplaste aq shumë takat, sikur donte të thoshte: Më shikoni mua, sa bukur jam veshur!”

3.
Në librin “Një burrë që qan” Kadri Kuke bën edhe shumë denoncime të tjera, edhe më tronditëse nga ato që cituam, siç edhe përshkruan me respekt portrete e sjellje mjekësh të veçantë.
Për të gjithë personat e spitalet, qytetet në Shqipëri, në Mal të Zi apo në Turqi, ai përdor vetëm iniciale ose thjesht një gërmë.
Nuk kërkon të fyejë asnjë njeri, porse gjithë kohës vetë është ndier i fyer gjer në palcë. Jo aq për paketat e lekëve bashkshish, ilaçet e munguara që duhej t’i blinte vetë apo për mungesën totale të shërbimit. Jo aq për etikën që shkelet me këmbë, humbjen e ndjeshmërisë, dhembjes dhe humanizmit njerëzor. Siç të gjithë ne, që e kemi provuar kontaktin e parë dëshpërues dhe alarmant me shërbimin tonë shendetësor publik, fryma e përfitimit dhe e korrupsionit aty ka goditur dhe gjymtuar vetë thelbin e profesionit. Mjekësia ka lindur prej humanizmit. Po mungoi ajo, nuk ka më mjekësi, madje as biznes. Del një gjë tërësisht e pistë.
Nuk mund të shkohet më tej, pa u guxuar përballja e të gjithë shoqërisë sonë me këtë shthurrje dhe shprishje të identitetit. Ne kemi të meta, por nuk jemi aspak kjo lebeti. Sikur gjithçka ta vësh në vijë në këtë Shqipërinë tonë, të shkon mendja se prapë nuk do të ketë mbrodhësi me shërbimin shendetësor publik që kemi, me mjekun që po shformohet e shtrembërohet moralisht aty. Të vjen keq që në këto mjedise, ku ka mjaft profesionistë të vlerësuar, vetë ata sikur nuk kanë as kurajë e as dëshirë për të propozuar, por edhe për të aplikuar njëkohësisht, mënyrat e efektshme të shkuljes së kësaj sëmundjeje shoqërore.

4.
Shkrimtari Zija Çela, ca kohë më parë, bëri publik një libër (“Për dashurinë shkruhet pas vdekjes”) për sëmundjen e papritur nga tumori të djalit të tij, Dritanit, një përkthyes i magjishëm i letërsisë italiane, vetëm 36 vjeç. Është një libër që të lë pa frymë, jo vetëm për talentin artistik të të rrëfyerit, por mbi të gjitha për forcën e madhe të dëshirës për jetë, çka autori e shpreh gjenialisht edhe në rravgimet më tragjike. E megjithatë, në këtë libër voluminoz nuk gjen dot një episod shpërfilljeje apo etike të munguar në spitalet italiane.
Nuk po citoj ndonjë fragment për të pohuar se si është shërbimi i mjekëve vetëm disa dhjetra milje det, por prej “Burrit që qan” po shkëpus vetëm këta rreshta:
“Sëmundja tashmë ishte në kulmin e vet. Edhe marrja e oksigjenit e bezdiste. E hiqte tubin shpesh me dorë, por ne menjëherë ia vinim sërish te hundët. Hundët ishin bërë tërë plagë, për shkak të tubit të oksigjenit që mbante ditë e natë... Kishte raste që oksigjeni mbaronte dhe ime shoqe i ngjante atij peshkut që përpëlitet në zall... Të alarmuar, ne vraponim nga kati i tretë jashtë, ku flinte personi përgjegjës që ndërronte bombulat e oksigjenit. Personi i përgjumur ecte si një buallicë, sikur nuk kishte ndodhur asgjë...”

9 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›