E Hënë, 2 Nëntor 2026

FIFA mbyll dyert e “Qemal Stafës”

10/03/2005  Incidentet e tifozëve në takimin me Ukrainën, boshatisin “tempullin” e futbollit shqiptar për ndeshjet me Gjeorgjinë dhe Kazakistanin

Duke bërë “ritin” normal të kontrollimit të faqeve të internetit, për të gjetur ndonjë lajm, tani, me atmosferën e ndeshjeve të Ligës së Kampioneve, të mbeten sytë te një titull bombastik. “FIFA punishes Albania, Costa Rica for croëd trouble”, që më shqip do të thotë: “FiFA dënon Shqipërinë, Kosta Rikën për rrëmujën e tifozëve”. Për të dytën nuk është se na “intereson” shumë, por emri Shqipëri të bën të klikosh mbi lajmin për të kuptuar më shumë. E duke hyrë më në brendësi të këtij raportimi zyrtar, që vjen nga selia e Trupit drejtues të futbollit botëror në Zyrih, kupton se nuk është një “shaka”. FIFA ka urdhëruar që si SHQIPERIA, ashtu edhe Kosta Rika, do t’i zhvillojnë ndeshjet e ardhshme eliminatore në fushën e tyre me dyer të mbyllura. Organi më i lartë drejtues i futbollit, thuhet më tej në komunikatë, e mori këtë vendim përmes Komitetit të tij Disiplinor, pas raportit të marrë nga gjyqtari i takimit të 9 shkurtit me Ukrainën (anglezi Stefen Benet), si edhe nga vëzhguesi i atij takimi. Shqipëria është dënuar me dy ndeshje me stadium të boshatisur dhe me një gjobë prej 34,400 dollarësh në adresë të FSHF-së (bëhet fjalë për takimin e 4 qershorit kundër Gjeorgjisë dhe atë të 3 shtatorit me Kazakistanin, që vijnë pas dy tranfertave të fundmarsit me Turqinë dhe Greqinë). Për hir të së vërtetës, në komunikatë thuhet, se për të njëjtën gjë, Kosta Rika është dënuar vetëm me një ndeshje me dyer të mbyllura dhe me një gjobë më të lehtë, prej 17,200 dollarësh. Në njoftimin zyrtar për mediat të publikuar në faqen zyrtare të FIFA-s në internet, thuhet se “gjatë ndeshjes së Shqipërisë me Ukrainën, zhvilluar më 9 shkurt në Tiranë, tifozët vendas kanë hedhur objekte në fushë, përfshirë këtu shishe plastike, monedha, çakmakë dhe bishta flamujsh. Ata kanë ndezur gjithashtu fishekzjarre dhe kanë hyrë në fushë në përfundim të takimit, i humbur 2-0 nga Shqipëria.” Raporti i FIFA-s shton gjithashtu se “organet e sigurisë nuk arritën të reagojnë në mënyrën e duhur”. Organi më i lartë drejtues i futbollit botëror thekson gjithashtu se e kishte gjobitur Federatën Shqiptare të Futbollit për incidente të ngjashme në muajin tetor dhe e kishte paralajmëruar se do të merrte masa akoma më të rënda, në rastin e përsëritjes së incidenteve. E kështu, pas paralajmërimit të tetorit dhe gjobës prej rreth 12,500 dollarësh, FSHF dhe Shqipëria marrin dënimin më të rëndë, prej atyre, “lojtarit të 12-të” të kësaj kombëtareje. Në komunikatë thuhet gjithashtu se Federata jonë ka të drejtë të apelojë deri në tre ditë pas njohjes me vendimin, i cili është përcjellë FSHF-së, gjithnjë sipas FIFA-s, më 8 mars. Kuqezinjtë goditen kështu në pikën e tyre më të dobët, duke u detyruar që t’i zhvillojnë dy ndeshjet e ardhshme eliminatore në fushën e tyre me një “Qemal Stafa” të boshatisur. Gjithsesi, tani duhet të mendojmë për transfertat e Turqisë dhe Greqisë, aty ku në fakt do të vendoset edhe fati i kësaj kombëtareje në kuadër të “Eliminatoreve Gjermani 2006”...

Duka: Do apelojmë!

Në antipod me Shefin e Ekipeve Kombëtare, presidenti i FSHF-së, Armando Duka deklaron me sinqerit për “Metropol Sport” se “është në dijeni të dënimit në fjalë”. Njëshi i Federatës Shqiptare të Futbollit shton se “organi që ai drejton do të apelojë për këtë vendim të marrë nga FIFA. Më duket vendim shumë i rëndë. Ne jemi të ndërgjegjshëm për incidentet e tifozëve, por nuk prisnim një masë kaq drastike ndëshkuese.” Ka qenë ky prononcimi i Dukës, i cili ka shtuar se për informacion më të detajuar, në lidhje me një qëndrim zyrtar të FSHF-së, do të ketë edhe një komunikatë për shtyp, nga zyra e shtypit në FSHF. (M.S.)

Çela: Nuk di gjë!

Të bësh “kinezin” duket se është detyra më e lehtë në kohërat e sotme. Por jo përherë mund të “eci” një linjë e tillë. Shembulli: Besnik Çela, shef i Ekipeve Kombëtare pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Dje, zoti Çela, i kontaktuar me telefon nga redaksia e “Metropol Sport” dhe i pyetur për dijeninë e tij në lidhje me dënimin e FIFA-s për fushën e Shqipërisë, është përgjigjur shkurtimisht: “Nuk kam dijeni për këtë gjë. Nesër, kur të shkoj në zyrë, do të merrem me këtë punë.” Me sa duket, për shefin e Ekipeve Kombëtare, puna mbaron atëherë kur del nga zyra dhe, megjithëse bëhet fjalë për raste të tilla, një vendim shumë i rëndë për futbollin shqiptar, ai përpiqet ta trajtojë çështjen sipas mënyrës së tij, shkurt duke bërë “kinezin”. Në fakt, në komunikatën e FIFA-s thuhet se vendimi i është bërë publik Federatave të prekura (Shqipërisë dhe Kosta Rikës) që në datën 8 mars dhe nuk ka mundësi që zoti Çela të mos jetë informuar nga diçka e tillë. Bëhet fjalë për një zyrtar të lartë të FSHF-së, të cilit nuk i “lejohet” të informohet nga gazetarët në raste të tilla, të cilët vetë, e kanë marrë lajmin përmes internetit. (M.S.)

Zyrtare

Reagon FSHF-ja

Ndaj vendimit të marrë nga FIFA, ka ardhur edhe një reagim zyrtar i FSHF-së, që ka publikuar për të gjitha mediat qëndrimin e saj zyrtar. Në deklaratë, ndër të tjera thuhet se “vendimi është i shkallës së parë dhe se FSHF-ja do të apelojë pranë Komisionit të Apelit në FIFA.” Gjithashtu, FSHF-ja “dëshiron t’i kujtojë opinionit publik se vendimi i dhënë nga Komisioni i Disiplinës së FIFA-s duhet të shërbejë si një këmbanë alarmi që organizimi i një ndeshje futbolli nuk është vetëm një njoftim nëpërmjet medias. Fifa po i kushton vëmendje të veçantë organizimit të ndeshjeve, por edhe masave të sigurisë së stadiumeve gjatë zhvillimit të tyre dhe për këtë duam të vëmë në dukje se elementi bazë në këtë pikë është kryerja me profesionalizëm e detyrës nga personeli përgjegjës i stadiumit.” Në komunikatës e saj, Federata Shqiptare e Futbollit, dëshiron të “kujtojë opinionin publik shqipar, që është njëkohësisht edhe mbështetësi më i madh i kombëtares, se në mbarë botën, dhuna nëpër stadiume, në çfarëdo lloj forme, është e dënueshme. FSHF-ja do të analizojë të gjitha shkaqet dhe faktorët e këtij rasti të hidhur dhe të izoluar,” thuhet më tej në komunikatë, “në mënyrë që të mos përsëriten precedentë të tjerë në të ardhmen,” përfundon njoftimi zyrtar për shtyp i zyrës së FSHF-së.

(botim me shkurtime i njoftimit zyrtar për shtyp të FSHF-së)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›