E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza e parajsave fiskale

Era që fryn nga rrugicat e vjetra të qytetit të Gjenevës dhe del deri në rrugët luksoze të bregut të liqenit, këto ditë është bërë më e akullt se kurrë. Më 13 mars, Zvicra, prej kohësh sinonim i sekreteve kur bëhet fjalë për çështje bankare e financiare, ka pranuar lehtësimin e ligjeve në lidhje me sekretin bankar: një revolucion ky, që ka ndezur sirenat e alarmit në të gjitha bankat e vendit.

Vendimi për t‘iu afruar standardeve ndërkombëtare në lidhje me transparencën fiskale është rezultat i një sulmi ndërkombëtar kundër atyre vendeve, apo zonave të caktuara, bankat e të cilave ishin të mbrojtura nga një gardh i pakalueshëm fshehtësie. Në vijim të hapjes së një hetimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj bankës së fuqishme zvicerane "UBS", që është edhe administratori më i madh i pasurisë private në botë, qeveria e Bernës e ka detyruar grupin bankar që t‘u bëjë të ditur autoriteteve të Uashingtonit emrat e 300 klientëve që dyshohen për shmangie taksash.

Situata u bë edhe më kritike kur kërkesës dhe qëndrimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës iu shtuan edhe ato të vendeve të tjera si Gjermania, që tashmë kishin vendosur të mos ta toleronin më ekzistencën e anomalive të tilla, karakteristike jo vetëm për Zvicrën. Frika e një çështjeje problematike me Shtetet e Bashkuara bëri që edhe vende të tjera të rishihnin pozicionin e tyre në lidhje me sekretet bankare. Brenda një harku kohor disaditor, Austria, Luksemburgu, Lihtenshtejni dhe Andorra pranuan që të rishihnin ligjin në fjalë. Para tyre kishin bërë disa koncesione në këtë drejtim edhe Singapori dhe Hong Kongu. "Këto risi shënojnë një ndryshim thelbësor në bashkëpunimin fiskal ndërkombëtar, deklaroi sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (Ocse). Sipas tij, ndryshimi është thelbësor.

Aktiviteti shekullor

Zvicra ka qenë dhe është një nga "parajsat e taksave" më të famshme në botë. Pavarësisht se nuk ekzistojnë të dhëna të sakta, llogaritet që vendi alpin menaxhon thuajse një të tretën e 11 miliardë dollarëve të fondeve të huaja të shpërndara nëpër botë. Për Bernën ka qenë gjithmonë një biznes shumë fitimprurës ai i ruajtjes së të hollave të qytetarëve të huaj. Shërbimet financiare përbëjnë 13% të Prodhimit Kombëtar Bruto të vendit. Por kjo është vetëm një pjesë e pasurisë së Zvicrës, pasi bankat private janë ende një biznes me një shkallë fitimi tepër të lartë dhe një burim shumë i rëndësishëm për punësimin e zviceranëve.

Në Gjenevë- qyteti kalvinist që në fund të ‘700-ës hapi dyert për familjet e pasura franceze, të cilat u ikën flakëve të revolucionit -ndryshimet janë shumë më të dukshme se gjetkë. Pjesa më e madhe e refugjatëve të asaj periudhe janë shndërruar në bankierë dhe kanë themeluar institute private, për shembull "Pictet" apo "Lombard Odier", disa prej të cilëve sot ende kontrollohen nga familjet e pronarëve origjinalë. Edhe pse kryeqyteti tregtar i Zvicrës është Zyrihu, ku kanë qendrat e tyre bankat kryesore të vendit, sektori i menaxhimit të trashëgimisë është më i zhvilluar në Gjenevë. Këtu ndodhen të paktën 140 banka private, në të cilat janë punësuar rreth 180 mijë persona. "Shqetësimi është shumë i kuptueshëm", thotë Mishel Derobert, drejtor i shoqatës së bankierëve privatë në Gjenevë. "Me rregullat e reja të konkurrencës vihet në pikëpyetje ekzistenca e një sektori të tërë". Ivan Pictet, partner administrativ i bankës së themeluar nga një paraardhës i tij 204 vjet më parë, ka llogaritur se sektori bankar zviceran mund të humbasë gjysmën e vlerës së tij, nëse ligji i sekretit do të zhduket. Kjo stuhi e ka goditur Zvicrën në një moment shumë të vështirë. Pas 4 vjet përfitimesh rekord dhe një rritjeje të shfrenuar, situata kishte filluar të ishte më normale. Me përjashtim të "UBS" dhe deri në njëfarë mase "Credit Suisse", sektori financiar ia kishte dalë që të shmangte pasojat më të rënda të krizës, pikërisht falë specializimit në çështjet e menaxhimit të trashëgimive. Por pjesa më e madhe e bankave nuk ia doli që të shmangte rënien e aksioneve dhe bonove. Zhvleftësimi i aseteve ka goditur dy burimet kryesore të fitimit të instituteve private: komisionet mbi blerjen e titujve kanë rënë kur klientët u bënë më të kujdesshëm në veprimet e tyre, ndërkohë që edhe fitimet nga menaxhimi i trashëgimive kanë rënë ndërsa asetet e investuesve humbnin vlerë. Edhe para ndryshimeve të fundit në lidhje me sekretin bankar, pjesa më e madhe e bankave private po haste vështirësi në planifikimin e zgjerimit dhe shtrirjes së biznesit. Më pas, nga Berna erdhi edhe goditja fatale. Që prej kohësh, menaxhimi i pasurive të huaja sipas rregullave zvicerane ishte vënë nën akuzë e nën sulm. Presionet ndërkombëtare për luftën kundër riciklimit të parave dhe kriminalitetit të organizuar kishin bërë që të aprovoheshin rregulla gjithnjë e më të ngurta në lidhje me identifikimin e klientëve. Kërkesa për një shtim të transparencës u shtua edhe si pasojë e frikës nga terrorizmi, pas ngjarjes së 11 shtatorit 2001. Amerikanët dyshonin se "parajsat e taksave" përdoreshin nga terroristët për të financuar atentatet. Por jo të gjitha bankat zvicerane kanë ndryshuar. Më të mëdhatë, si "UBS" e "Credit Suisse" dhe të tjera të përmasave të mesme, për shembull "Julius Baer", "Vontobel" dhe "Sarasin", kanë vendosur që të zgjerojnë aktivitetet e tyre duke hapur filiale në vende të ndryshme brenda ligjeve financiare përkatëse. Aktivitetet e reja janë përqendruar në Gjermani, Francë, Itali, Austri dhe Britani e Madhe. Sot, rreth 40% e 3000 nëpunësve të "Pictet" punon jashtë Zvicrës. Shumë banka të tjera më të vogla, megjithatë, nuk ia kanë dalë të veprojnë në këtë mënyrë, të frikësuara nga një hemorragji e mundshme e fondeve të padeklaruara. Sipas shumë bankierëve zviceranë, presionet e sotme janë pjesë e një plani më të madh. "Nuk bëhet fjalë vetëm për sekretin bankar, apo shmangien e taksave. Tashmë ka nisur një luftë tregtare", shpjegon Eric Syz, themelues i "Syz&Co", një bankë private në Gjenevë, e përmasave mesatare. Zvicra akuzon edhe mbështetësit e transparencës bankare për sjellje të dyfishtë. Për shembull, Gordon Braun akuzohet sepse nga njëra anë kërkon një bashkëpunim më të madh në shkëmbimin e informacionit fiskal, ndërkohë që nga ana tjetër tregohet shumë i ngathët në lidhje me zonat "offshore" britanike, të tilla si Xhersi apo ishuj Virgjine. Sipas zviceranëve, sulmohet Zvicra, por jo e njëjta situatë e ngjashme me Zvicrën, që gjendet edhe në disa zona të Shteteve të Bashkuara, si për shembull Majami, ku pasanikët amerikano-jugorë

fshehin miliardat e dollarëve të përfituar nga trafiqet.

Zviceranët thonë se raporti i besimit me klientin çon në çështje etike më të gjera, që kanë të bëjnë me marrëdhëniet e qytetarëve me shtetin. Në demokracinë e drejtpërdrejtë zvicerane, sipas së cilës çdo vendim i qeverisë mund t‘i nënshtrohet një referendumi, raporti i privilegjuar klient-bankë konsiderohet si "një e drejtë". Megjithatë, shmangia e taksave është vetëm një nga arsyet e depozitimit të parave në bankat "offshore". Sipas zviceranëve, ligji i tyre i sekretit bankar është sanksionuar në vitin 1934 edhe si një masë mbrojtjeje e hebrenjve nga nazistët. Ata që i kanë çuar pasuritë e tyre në Zvicër së fundmi, e kanë bërë një hap të tillë edhe për të shmangur inflacionin, korrupsionin dhe kriminalitetin. Të paktën kështu pretendojnë bankat zvicerane.

Strategjia e Bernës

Në ato anë, një nga politikanët e huaj më të urryer është ministri gjerman i Financave, Peer Steinbruck. Ai konsiderohet si armiku i hapur dhe i madh i sekretit bankar. Parlamentari zviceran, Thomas Muller, e ka krahasuar me gjermanët që qarkullonin nëpër rrugë me pallto të mëdha lëkure e çizme deri në gju, pra me vetë nazistët. Për të qetësuar disi bankierët, ka menduar së fundmi ministri i Financës në Bernë, Hans-Rudolf Merz, sipas të cilit, për të negociuar traktatet e taksimit të dyfishtë mund të duhen disa vjet. Por edhe nëse ndryshimet do të ndodhnin, Zvicra mund të kërkojë avantazhe për bankat e saj, si për shembull mundësi më të mëdha aksesi në tregjet ndërkombëtare. Sigurisht që vendimet dhe veprimet e qeverisë do të bazohen edhe në veprimet e vendeve të tjera me status të njëjtë me Zvicrën.

Një ndryshim i pashmangshëm

Kohët e fundit, fluksi i parave në Zvicër ka ardhur kryesisht nga Rusia, Azia, Lindja e Mesme, ku presioni fiskal është minimal. Por vendosja e parave në Zvicër nuk bëhet nga klientët vetëm për shmangien e taksave. Sipas disa bankierëve zviceranë, të huajt janë të tërhequr edhe nga cilësia e shërbimeve bankare e taksat e arsyeshme.

///Blendi kjo të jetë box//

Si mund të hapësh një llogari sekrete

Ndryshe nga ata që qarkullojnë para të pista, sepse e kanë zanat një gjë të tillë, Jason Sharman, një profesor i universitetit "Grifith" në Australi, nuk ka hapur një llogari të tillë për fitim, por për studim. Mjetet e tij kanë qenë vetëm 10 mijë dollarë dhe një akses në "Google", e përmes tyre ai ka demonstruar se sa e lehtë është hapja e një llogarie sekrete bankare dhe krijimi i shoqërive anonime. Në këtë mënyrë ai ka bërë të ditur publikisht një realitet që me siguri nuk u ka pëlqyer përfaqësuesve të G20-ës. Riciklimi i parave, mashtrimet me taksat, llogaritë sekrete nëpër botë, janë të gjitha më se të zakonshme në ekonomitë më të mëdha të planetit. Zakoni i moskërkimit të identitetit për atë që hap një llogari, apo një ndërmarrje, edhe pse është i ndaluar në "parajsat taksore", vazhdon të lulëzojë në Shtetet e Bashkuara. Kjo u mundëson mashtruesve të të gjithë botës që të ngrenë ndërmarrje fantazma për të shmangur ligjin dhe pa u hyrë ferra në këmbë. Në Nevada, për shembull, një vend ky me 2.6 milionë banorë, ka rreth 400 mijë ndërmarrje të regjistruara. Sipas një studimi, 90% e këtyre ndërmarrjeve kanë në krye të tyre persona që kanë precedentë në thyerjen e ligjeve fiskale federale. Shtetet e Bashkuara nuk janë vendi i vetëm me probleme të tilla. Profesori i mësipërm e zhvilloi "eksperimentin" e tij në 45 vende të ndryshme dhe pati sukses në 17 raste. Një nga vendet e mësipërme është Britania e Madhe, ku brenda 45 minutash në internet është mundësuar ngritja e një shoqërie pa ofruar të dhëna personale dhe është filluar marrja e vlerës së aksioneve. Kjo mund të bëhet me 1400 dollarë.

Parajsat fiskale dhe territoret "offshore"

Me këtë term njihen vendet me një sistem fiskal të lehtë, apo që nuk ekziston fare. Në kategorinë e parë bëjnë pjesë shtetet dhe territoret që u ofrojnë qytetarëve të huaj mundësinë e shmangies së taksave të vendit të origjinës. Për të tërhequr paratë nga jashtë, shpesh "parajsat fiskale" u ofrojnë qytetarëve të huaj kushte edhe më të favorshme nga ato që u ofrojnë qytetarëve të tyre. Qendrat financiare "offshore", ndërkohë, janë vende ose territore që aplikojnë një regjim administrativ i cili favorizon bankat, kompanitë e sigurimeve dhe menaxherët e fondeve private, por nuk kanë një sistem taksash veçanërisht të favorshëm për klientët e huaj.

Shifrat e shmangieve

Këto zona "gri" u marrin financave publike dhjetëra miliardë euro. Kontrollet e munguara fiskale vlerësohen në 10 miliardë dollarë në vit për Shtetet e Bashkuara dhe 30 miliardë euro për Gjermaninë, rreth 20% për Francën dhe Britaninë e Madhe. Sipas vlerësimeve më të fundit, "parajsat fiskale" menaxhojnë një pasuri 10 mijë miliardë të flukseve financiare botërore.

Lista e zezë e OCSE-së

Sipas të drejtës ndërkombëtare, "parajsat fiskale" nuk janë të paligjshme. Nuk ekzistojnë rregulla për harmonizimin e sistemeve të taksacionit edhe brenda vendeve të BE-së. Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim ka hartuar një listë të zezë të "parajsave fiskale" që refuzojnë të bashkëpunojnë me drejtësinë dhe administratat e vendeve të tjera për të luftuar shmangien e taksave dhe riciklimin e parave të pista. Këto shtete dhe territore përcaktohen si "jobashkëpunuese" dhe ndahen në tre kategori: vende që refuzojnë çdo lloj shkëmbimi informacioni në çfarëdolloj drejtimi; vende që refuzojnë shkëmbimin e informacionit në lidhje me shmangien e taksave (Zvicra), ose në përgjithësi për taksat (Singapori); dhe ato që kanë rregulla shumë favorizuese për të huajt, por që pranojnë ofrimin e të dhënave.

Zonat "gri" të Evropës

Sipas "Transparency Internacional", "parajsat fiskale" dhe qendrat financiare "offshore" kanë të përbashkët 5 karakteristika: rregulla shumë strikte në lidhje me sekretin bankar; taksa mbi të ardhurat bazë; bashkëpunim ndërkombëtar në fushën e drejtësisë shumë të kufizuar, apo krejtësisht të munguar; kërkesa minimale për hapjen e llogarive dhe krijimin e shoqërive dhe stabilitetin ekonomik e politik. Vendet që u përgjigjen këtyre kritereve janë rreth 50 në të gjithë botën dhe gjysma e tyre ndodhet në Evropë. Në Bashkimin Evropian, Irlanda konsiderohet si një "parajsë fiskale" bashkëpunuese, ndërsa Belgjika, Austria dhe Luksemburgu kanë një sekret bankar shumë të rreptë. Vende të tjera janë Lihtenshtejn, Andorra, Monako etj.

Thelbi i krizës

Një pjesë e mirë e instrumenteve të sofistikuara financiare që provokuan krizën financiare aktuale, u konceptuan në territoret apo vendet "offshore"



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›