E Diel, 1 Nëntor 2026

Filmimi i votave merr 1.5 milionë euro

Afro 1.5 milionë euro do t‘i kushtojë KQZ-së monitorimi i numërimit të votave. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përzgjedhur firmën që do të garantojnë procesin regjistrimit me kamera të numërimit të votave. R&T, një kompani shqiptare është firma që është përzgjedhur nga drejtoria përkatëse brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me një vlerë prej afërisht 1.5 milionë euro. Pritet që sot anëtarët e komisionit të njihen me përzgjedhjen e drejtorisë, emrat e kompanive të tjera që kanë aplikuar, ofertat e tyre dhe mbi ç‘kritere është bërë përzgjedhja. Ndërkohë që dje pasdite anëtarët dhe përfaqësuesit e partive politike kanë parë nga afër se si do të funksionojë demonstrimi i fletës së votimit përmes një kamere në një monitor. Demonstrimi është bërë në sallën qendrore të komisionit ku është parë nga afër se si do të funksionojë. Ndërsa anëtarët e opozitës, sidomos përfaqësuesit e opozitës e konsideruan provën si të pranueshme ata mbeten sërish skeptikë për funksionimin 100% të këtij procesi. Problem duket se do jetë koha që do të duhet për të verifikuar në kamera çdo fletë votimi. Në bazë të konstatimit dhe bisedave mes anëtarëve të pranishëm në këtë demonstrim duhen maksimumi 5-6 sekonda për të bërë verifikimin pa llogaritur këtu procesin e hapjes së fletës, fiksimit të saj në aparaturën që e shfaq mandej në monitor etj.

Vendosja e kamerave në qendrat e numërimit të votave është një risi në këto zgjedhje. Sanksionimi i tyre në Kodin Zgjedhor e detyroi KQZ që të marrë masat për të mundësuar funksionimin e tyre. Përmes një llogaritje për 66 qendra të numërimit të votave në të gjithë vendin duhen deri në 385 kamera dhe monitorë. Instalimi i tyre duhet të nisë 40 ditë para zgjedhjeve dhe duhet të mbarojë dhjetë ditë para zgjedhjeve. Ndërkohë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar punësimin e një personeli të veçantë që do të kujdeset për to. Veç të tjerash, KQZ ka marrë masat për të garantuar kushtet teknike të funksionimit të tyre si kabllo, gjenerator në rast se mungon energjia elektrike etj. Njëkohësisht dje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi udhëzimin për rolin e vëzhguesve në zgjedhjet e përgjithshme. Ndërsa u bë përcaktimi në Fletoren Zyrtare, problem që doli gjatë shqyrtimit të këtij drafti. Ndërsa u vendos që vëzhguesit duhet të kenë si dokument identifikues të jenë kartë identiteti ose pasaportë, duke përjashtuar çdo mundësi për t‘u identifikuar me certifikatë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›