BERZH në Durrës, bizneset kanë nevojë për kreditim
Kriza ekonomike dhe vështirësitë e mëdha që po hasin bizneset në Durrës kanë qenë tema kryesore e diskutimeve në një takim midis Dhomës së Tregtisë me Përfaqësues të Bankës Europiane për Zhvillim, të cilët njëkohësisht janë dhe financues të projektit BAS (shërbime këshillimore për biznesin). Por jo të gjitha bizneset mund të ndihmohen nga ky projekt.
Përfaqësuesi i Bankës Europiane për Zhvillim, Neritan Mullai ka thënë se programi BAS ofron asistence ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për tu zhvilluar dhe rritur, duke nxitur aftësitë e tyre konkurruese, menaxhimin e marketingut dhe atë financiar, sistemet e menaxhimit të cilësisë dhe plane strategjike biznesi. Bashkëpunimi me bankat lokale është një nga zgjedhjet që ofrojnë përfaqësuesit e BERZH. BAS është një skemë plotësuese e Programit TAM të BEZH-it, që sjell ekspertizë menaxheriale nga industri specifike duke ofruar shërbime konsulencë nga ish drejtorë me eksperiencë nga vendet e zhvilluara. Për këtë është menduar nënshkrimi i një marrëveshjeje kreditimi me bankat lokale, për ndihmuar bizneset në nevojë. Kjo strategji është ndërmarrë për shkak të prekjes nga kriza financiare, e cila në vendin tonë ka kohë që ndihet përditë e më shumë. Në qytetin e Durrësit, bizneset prodhuese dhe ato të vogla prej kohësh kanë nisur të ndjejnë një rënie të thellë ekonomike, ndërsa shumë të tjerë e kanë mbyllur aktivitetin e tyre si shkak i mospërballimit të situatës. Statistikat e Drejtorisë së Tatim-Taksave në Bashki dhe në degën tatimore të Durrësit flasin për më shumë se 138 biznese të falimentuara gjatë vitit 2008, 80 subjekte të mbyllura përgjatë tre muajve të këtij viti, si dhe me dhjetëra kërkesa për mbyllje që janë depozituar pranë QKR-së në bashki. Gjatë takimit me përfaqësues të biznesit është thënë se një pjesë e aktivitete kanë ndeshur në jo pak vështirësi dhe se rimëkëmbja e tyre kërkonte kreditim. Shefi i zyrës së BERZH Daniel Berg është ndaluar edhe tek vizioni që duhet të ketë biznesi për të ardhmen dhe kolonat mbështetëse.