E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza e re migratore në BE, Gjermania rinis dëbimet drejt Italisë, Danimarka paralajmëron mbylljen e kufijve

Zbatimi i Sistemit të Përbashkët Evropian të Azilit po sjell lëvizjet e para konkrete në politikat e kthimit të emigrantëve brenda Bashkimit Evropian. Gjermania ka konfirmuar se do të rinisë procedurat e dëbimit të azilkërkuesve drejt Italisë në kuadër të Rregullores së Dublinit, ndërsa Danimarka ka deklaruar gatishmërinë për të mbyllur tërësisht kufijtë e saj në rast të një vale të re migratore.

Marrëveshjet dypalëshe dhe Rregullorja e Dublinit

Reagimi nga Berlini erdhi pas përplasjeve diplomatike dhe mosmarrëveshjeve me Romën zyrtare lidhur me kthimin e emigrantëve. Një zëdhënëse e Ministrisë së Brendshme gjermane u shpreh e befasuar nga reagimet e fundit, duke kujtuar se kuadri ligjor për këto dëbime është përcaktuar me kohë përmes marrëveshjeve dypalëshe.

“Në vjeshtën e vitit 2025, ne nënshkruam marrëveshje dypalëshe me Italinë dhe Greqinë, duke përcaktuar se rregullat e Dublinit do të rizbatoheshin që nga hyrja në fuqi e Sistemit të Përbashkët Evropian të Azilit në qershor 2026.”, tha ajo.

Sipas autoriteteve gjermane, dëbimet e planifikuara drejt territorit italian u përkasin kryesisht rasteve të regjistruara pas hyrjes në fuqi të Paktit të ri të BE-së për Migracionin.

Danimarka në alarm pas ngjarjeve në Ceuta

Në të njëjtën kohë, kriza migratore dhe situata e tensionuar në enklavën spanjolle të Ceutës kanë nxitur debate urgjente parlamentare në Kopenhagen. Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, gjatë fjalës së saj në Folketing, theksoi se vendi është i gatshëm të ndërmarrë hapa ekstremë për të mbrojtur kufijtë kombëtarë.

“Një politikë rigoroze e migracionit është esenciale për Danimarkën dhe për Evropën. Në fund të fundit, do të bëjmë dhe mbylljen e plotë të kufirit në mënyrë që policia të mund të monitorojë të gjithë ata që hyjnë në Danimarkë.”, tha kryeministrja daneze.

Frederiksen siguroi se policia daneze ka përgatitur planet e emergjencës dhe se kontrollet kufitare mund të intensifikohen brenda pak orësh nëse vërehet lëvizje e shtuar e emigrantëve nëpër territorin evropian.

Debatet në institucionet evropiane dhe parlamentet kombëtare vazhdojnë të përqendrohen te gjetja e një ekuilibri mes zbatimit të rregullave të reja të azilit dhe ruajtjes së hapësirës Schengen përballë presionit në rritje në kufijtë e jashtëm të bllokut.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›