Lamtumirë makina të vjetra në mbeturina, ja si do të riciklohen 12 milionë automjete çdo vit

Bashkimi Evropian do të zbatojë prej ditës së nesërme kuadrin e ri rregullator për projektimin, prodhimin, grumbullimin dhe trajtimin e automjeteve në fund të ciklit të tyre të jetës. Rregullorja e re synon të forcojë ekonominë rrethore në industrinë e automobilave dhe të rrisë autonominë strategjike të bllokut evropian për sa i përket lëndëve të para.
Shfrytëzimi i burimeve dhe reduktimi i mbeturinave
Çdo vit, në territorin e Bashkimit Evropian, rreth 10 deri në 12 milionë automjete arrijnë në fund të ciklit të tyre të shfrytëzimit. Trajtimi i pamjaftueshëm i tyre ka shkaktuar deri më sot humbje të mëdha ekonomike dhe dëme mjedisore.
“Automjetet në fund të jetës së tyre përfaqësojnë një burim të besueshëm të lëndëve të para të vlefshme. Kur ato nuk menaxhohen siç duhet, mund të shkaktojnë probleme mjedisore dhe ekonomia evropiane humbet miliona ton materiale.”, vëren BE-ja.
Përmes kësaj nisme, Komisioni Evropian synon të garantojë rikuperimin sistematik të çelikut, aluminit, bakrit dhe plastikës, duke ulur varësinë e industrisë evropiane nga importi i lëndëve të para të virgjëra.
Kufizime për përmbajtjen e plastikës dhe tregun e pjesëve të këmbimit
Për herë të parë, direktiva e re përcakton objektiva të detyrueshme për përdorimin e plastikës së ricikluar në prodhimin e mjeteve të reja. Njëkohësisht, masat e reja nxisin rikondicionimin dhe riprodhimin, me qëllim pasurimin e tregut me pjesë këmbimi të përdorura me cilësi të lartë.
Rregullorja sjell gjithashtu një kontroll më të rreptë mbi eksportet jashtë kufijve të bllokut evropian dhe rrit përgjegjësinë financiare të vetë prodhuesve.
“Forcimi i përgjegjësisë së prodhuesit do të sigurojë financimin e duhur të trajtimit të mbetjeve të automjeteve në fund të jetës dhe do të promovojë riciklimin me cilësi më të lartë. Për më tepër, vetëm automjetet e përshtatshme për rrugë do të eksportohen jashtë BE-së.”, thuhet në rregullore.
Ndryshimet ligjore pritet të transformojnë zinxhirin e furnizimit në industrinë e automobilave, duke diktuar standarde të reja mjedisore për prodhuesit dhe përpunuesit e mbetjeve teknologjike në të gjithë Evropën.
/rtsh.al/