Rama: Me sistemin e ri zgjedhor të vegjëlit s’përfitojnë më nga PS
Sipas Ramës, hapin një faqe të re në historinë e ballafaqimit ndërmjet partive politike shqiptare, duke theksuar veçanërisht faktin se me sistemin e ri zgjedhor, partitë e vogla nuk mund të përfitojnë atë që nuk meritojnë nga partitë e mëdha. “Kjo reformë e miratuar me një konsensus të gjerë, pas një debati të gjatë e të ndezur natyrshëm mes forcave politike, hap një kapitull të ri ballafaqimesh mes partive shqiptare, të cilat nuk mund të marrin më atë që nuk iu takon dhe nuk mund të jetojnë më në kurriz të njëra-tjetrës, duke luajtur “kukafshehti” me popullin sovran”, - tha Rama.
Reagimi
“Shpreh keqardhjen për të gjithë agresionin verbal të kohëve të fundit në adresën time e të Partisë Socialiste dhe uroj që të gjithë ta kuptojnë edhe më mirë sot, se kjo parti përfaqëson shumicën e shqiptarëve e shqiptareve dhe as shantazhohet e as ndalet në rrugën e saj të re…. Është koha e forcës së qetë dhe jo e gjuhës së forcës. Është koha e rikonceptimit të filozofisë së bashkëpunimit mes të gjitha forcave e individëve që duan fundin e tranzicionit, fundin e politikës së vjetër dhe fundin politik të simbolit të kësaj politike, kryeministrit Sali Berisha.
Është koha e vënies së interesave të Shqipërisë në axhendën e një bashkimi të ri mbi çdo aritmetikë të vjetër koalicionesh, ku lihen pas dere qytetarët e interesat e tyre. Për këtë bashkim të ri, Partia Socialiste dhe unë jemi me mish dhe me shpirt të angazhuar e në këtë bashkim të ri janë të ftuar të gjithë”, - tha dje Rama në përgjigje të të gjitha akuzave që kanë mbërritur në adresë të tij nga krerët e partive të majta opozitare dhe në mënyrë të veçantë Ilir Meta i LSI, i cili dje shpalli largimin përfundimtar nga koalicioni me Ramën. Në deklaratën e djeshme Rama u shpreh edhe për qëndrimin që do të mbajë në vazhdim PS ndaj kryeministrit Berisha për çështjen e Gërdecit. Rama u shpreh se PS do të respektojë normat demokratike, sipas të cilave, për kryeministrin Berisha vendos vota e elektoratit shqiptar. “Në demokraci dhe në kuptimin tonë për demokracinë, një kryeministër largohet me dorëheqje ose me votë. Është fare e qartë, që qëndrimi ynë dhe rruga jonë janë konform këtij kuptimi të shëndetshëm të demokracisë. Secili mban përgjegjësitë e veta morale e politike dhe është populli ai që gjykon dhe vendos, kur individët me pushtet nuk janë në gjendje të gjykojnë e të vendosin për veten e tyre, në emër të moralit të politikës e të politikës së moralit”, - tha Rama.