E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Mjaft": Ndryshimi i Kushtetutës, një kërcënim

Lëvizja "Mjaft" e cilëson ndryshimin e Kushtetutës një kërcënim të vendit. Kjo lëvizje reagoi dje para Kuvendit të Shqipërisë, pak para fillimit të seancës mbi reformën zgjedhore, duke shprehur shqetësimin për ujdinë politike PD-PS. Sipas qëndrimit të "Mjaft" ndryshimi që i bëhet Kushtetutës për të përmbushur qëllimet e dy partive, përbën një precedent shumë shqetësues për të ardhmen e demokracisë shqiptare. Aktivistë të kësaj lëvizjeje mbanin një parullë të madhe ku shkruhej: "Mos votoni diktaturën konsensuale". "Ndryshimet e propozuara që tentojnë ta shndërrojnë Presidentin e Republikës në një nëpunës të qeverisë, ndërsa Kryeministrin në një mbret me mandat, janë kryer dhe po finalizohen në mungesë të plotë transparence dhe pa zhvilluar më parë një debat të mirëfilltë publik", u shpreh një prej aktivistëve të lëvizjes "Mjaft".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›