Kriza ekonomike, SHBA ofron 200 milionë USD
Shtetet e Bashkuara kanë ofruar 200 milion dollarë në ndihmë urgjente për të ulur mungesat në ushqime në Afrikë dhe pjesë të tjera të botës. Shtëpia e Bardhë tha se paratë do të përdoren për të përballuar ndikimin e rritjes globale të çmimeve të ushqimeve bazë, përfshirë grurin dhe orizin. Ky njoftim erdhi pak pasi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-Moon bëri thirrje për masa emergjente për të parandaluar urinë në shumë pjesë të botës."Kriza që po rritet me shpejtësi e ofertës së ushqimeve në të gjithë botën ka arritur proporcione emergjente," ka thene Ban Ki-Moon. Edhe Banka Botërore ka deklaruar se dyfishimi i çmimeve të ushqimeve gjatë tri viteve të fundit mund të çojë 100 milion vetë në vendet në zhvillim thellë në varfëri."Ne kemi nevojë jo vetëm për masa afatshkurtra emergjence për të plotësuar nevojat kritike urgjente dhe për të shmangur urinë në shumë rajone në të gjithë botën, por edhe për një rritje të konsiderueshme të rendimentit të prodhimit të drithërave për ushqim," tha sekretari i përgjithshëm i OKB-së.Çmimet ushqimore në rritje kanë çuar tashm në demonstrata të dhunshme në Haiti e Bangladesh. Banka Botërore tha se trazirat sociale mund të përhapen nëse nuk ndalet rritja e çmimeve të ushqimeve.