E Shtunë, 31 Tetor 2026

UNESCO restauron shtëpinë e Eqerem Çabejt

Në këtë vit të 100 vjetorit të lindjes të gjuhëtarit të shquar Eqrem Çabej, UNESCO pritet të nisë një projekt të veçantë restaurimi për shtëpinë e gurtë të tij në qytetin e Gjirokastrës. Ekspertët e monumenteve të kulturës vlerësojnë faktin se shtëpia e Çabejt në lagjen Hazmurat mbart vlera të veçanta arkitektonike dhe ndërtimore.

“Për shkak të këtyre vlerave ndërtimore por edhe në shenjë respekti për veprën e gjuhëtari të shquar UNESCO-e ka shpallur kthimin në identitet të banesës së gurtë prioritare për muajt në vazhdim”, thotë drejtori i Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Qytetit Muze, Rajmond Kola. Projekti i UNESCO-s krahas frenimit të rrënimit të kësaj banese synon restaurimin e disa prej elementëve kryesore të saj, dhe kryesisht punimeve karakteristike në ambjentet e brendshme të shtëpisë së gurtë.

Gjatë vitit të kaluar ministria e Kulturës zbatoi një projekt restaurues në një pjesë të kësaj banese. Ndërtimi i shtëpisë së gurtë të Çabejt daton në vitin 1866 ndërkohë që për rindërtimin e saj ka dy mbishkrime 1891 ndërsa në një të tretë më 1892.

Në botimin e tij "Qyteti muze i Gjirokastrës" studiuesi Emin Riza shkruan se "në gjendjen fillestare banesa ka qenë me dy oborre dhe me një ambient ndihmës përballë banesës në oborrin kryesor".

Në vitet 1891-92 banesa ka pësuar një rikonstruksion të rëndësishëm që ka konsistuar në shtesën e krahut të majtë me gjashtë ambiente, dy në secilin kat. Kjo shtesë është e lidhur për ndarjen e banesës në dy ambiente të veçanta. Sipas studiuesit Riza " në gjendjen e re porta origjinale i shërben pjesës së shtuar, në hapësirën ndërlidhëse të së cilës janë ndërtuar shkallë të reja.

Një portë e dytë e hapur gjatë rikonstruksionit i shërben pjesës origjinale".Pjesa e shtuar si pjesë origjinale, funksion si banesë më vete, ka oborrin e saj dhe daljen e veçantë në rrugë nëpërmjet portës karakteristike. Ambientet e shtuar në përgjithësi ruajnë, skemën funksionale të zakonshme të banesës gjirokastrite si dhe dekorin e pasur në dru veçanërisht në tavane. Gjendja shumë e mirë e pjesës së shtuar më 1891-1892 bën që të shërbejë si një vepër e rëndësishme për zhvillimin e elementëve të ndryshëm arkitektonikë dhe konstruktivë në këto vite.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›