E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza ekonomike armatos grekët

Dyqan armësh, foto arkiv

Kriza ekonomike dhe pasiguria për të mbrojtur paratë apo pronat e tyre, kanë detyruar qytetarët grekë që të nisin një armatosje masive.

Janë mbi 1 milion armë luftarake të cilat janë blerë nga qytetarë të ndryshëm gjatë muajve të fundit në mbarë Greqinë, gjë e cila ka tronditur edhe autoritet shtetërore.

Kjo gjë ka gjetur jehonë dhe është bërë çështje dite edhe në masmedian e shtetit fqinj, duke e krahasuar edhe me Shqipërinë e vitit 1997.

“Grekët kanë marrë armët!”,- kështu shkruan sot gazeta greke Proto Thema, duke konstatuar se aktualisht qarkullojnë në vend mbi 1 milion të tilla pa llogaritur këtu armët e gjahut të cilat presupozohet të jenë me leje nga autoritet.

“Rritja e krimit dhe frika, se mund të përballen papritur me një keqbërës të armatosur me Kallashnikov, bën që njerëzit të kërkojnë mbrojtjen në një armë”,- shkruan gazeta, duke iu referuar burimeve nga ministria e Mbrojtjes së Qytetarit.

Sipas këtyre burimeve, rreth 3500 njerëz kanë marrë leje nga policia për të mbajtur në shtëpi një pistoletë ose një armë tjetër të lehtë, 200 mijë është numri i poseduesve të armëve për gjueti dhe disa mijëra kërkesa të tjera janë depozituar duke pritur përgjigje për leje dhe pajisje me armë.

Pa harruar këtu mijëra armë të paligjshme që mbërrijnë në Greqi nga vendet fqinjë, apo edhe vende të tjera europiane, me destinacion bandat kriminale.

Gazeta shkruan se është fare e thjeshtë procedura për pajisjen me një armë në Greqi.

Gjithkujt i mjafton një deklaratë nga mjeku, i cili konfirmon se nuk ka probleme psikologjike dhe menjëherë mund të pajiset me një armë.

Me këtë procedurë të thjeshtë shumë grekë kanë bërë si pronë të tyren, një mjet të rrezikshëm, pa u trajnuar më parë për përdorimin e tij. /Proto Thema/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›