E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza ekonomike, biznesi shqiptar preket më shumë

Biznesi shqiptar, foto arkiv

Krizën ekonomike ata po e ndjejnë gjithmonë e më shumë janë bizneset. Në bazë të të dhënave fiskale për 4 mujorin e këtij viti vërehet se tatim fitimi, i cili është pasqyrimi i ecurisë ekonomike të bizneseve, është ulur ndjeshëm. Shifrat e raportuara nga Ministria e Financave mbi ecurinë e treguesve fiskal tregojnë se përsëri zëri i të ardhurave nga tatimi mbi fitimin mbetet zëri më negativ, çka nënkupton krizën financiare që po thellohet gjithmonë e më shumë mbi bizneset vendase.

Referuar shifrave fiskale, të ardhurat e realizuara nga tatimi mbi fitimin për katër muajt e parë të këtij viti janë rreth 18 për qind më të ulëta krahasuar me të njëjtin katërmujor të një viti më parë. Ndërkohë që të ardhurat nga TVSH-ja paraqiten me një rritje prej vetëm 1.5 për qind. Sa i përket tatimit mbi të ardhurat personale dhe akcizës, Ministria e Financës raporton se janë me të njëjtët tregues si një vit më parë, pa reflektuar ndryshime. Nga ana tjetër shpenzimet janë ulur me 1.5 për qind gjatë katër muajve të parë të këtij viti, duke prekur më shumë investimet. Treguesit fiskal të muajit prill tregojnë se investimet janë shkurtuar me 30 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërkohë që buxheti i shtetit ka mbledhur rreth 106.2 miliardë lekë.

Një tregues negativ vihet re gjithashtu edhe në balancën midis të ardhurave dhe shpenzimeve, ku duket qartë se të ardhurat janë më të vogla se shpenzimet. Treguesit fiskalë të 4-mujorit të këtij viti, tregojnë se në arkën e shtetit kanë shkuar si të ardhura 106 miliardë lekë. Ndërkohë në anën tjetër, shpenzimet për këtë 4-mujor kanë kapur vlerën 117 miliardë lekë. Megjithatë në krahasim me një vit më parë vihet re se është shpenzuar më pak. Deficiti për katër muajt e 2012-s ka shënuar nivelin 11.4 miliard leke, duke pësuar gjithashtu rritje. /E.L/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›