Kriza ekonomike globale, rritja e çmimeve, kreu i grupit të PS-së takon fermerët në Fier

Kriza ekonomike globale, si dhe rritja e çmimeve, ka qenë në fokus të një takimi që kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, zhvilloi me fermerë në Fier. Zoti Balla parashikon që i gjithë prodhimi i këtij viti do të shitet dhe për më tepër me çmim më të lartë.
“Kemi komunikuar edhe me kryepleqtë e fshatrave ose dhe shoqatat e bujqve për ti nxitur që ata të jene më të bashkuar me njeri- tjetrin, në marrëdhënien e tyre me grosistët. Gjatë ditës kam pasur kontakt me një pjesë të madhe të atyre që janë tregtarët më të mëdhenj. Mund t’ju them që këtë vit çmimi i shitjes së grurit do të jetë mbi 50 lekë, një çmim dy fish më i lartë nga viti i kaluar”, u shpreh Balla.
Sipas tij, i gjithë gruri, prodhimi vendas, jo vetëm që do të shitet, por do të shitet me çmime më të lartë. Ajo që është e rëndësishme, sipas Ballës, është që bujqit të bëhen bashkë dhe të mos bie pre e atyre që janë grosistët, pra blerësit.
“Sot kam komunikuar me bujq dhe tregtarët që çmimi i shitjes të jetë në nivelet që thashë më lart. Duhet të pranojmë që prej 30 vitesh jemi në ekonomi tregu dhe çmimi në ekonomi tregu është një ekuacion mes kërkesës dhe ofertës, por në kushtet kur në tregun global ka rritje të drithërave, në këtë çmim asnjë prej bujqve nuk do të ketë humbje”, theksoi Balla.
Sipas tij, ministria e Bujqësisë ka qenë e qartë se nëse vjet është shitur me 260 lekë, sot është me 500 dhe kjo edhe për shkak të situatës globale së shitjes së drithërave.
“Ajo që biem dakord është që ky është një vit shumë i mbarë, por jam i sigurt që cilësia e grurit vendas është e lartë dhe të gjithë e kërkojnë dhe besoj që sasia e grurit do të tërhiqet. Për vitet më pas duhet të mendojmë që të rrisim kapacitetet e grumbullimit. Pra, një prej problematikave është se bujqit nuk kanë ku të akumulojnë prodhimin. Shpesh herë abuzimi vjen nga pamundësia për ta grumbulluar, duke e detyruar ta shesin ata menjëherë. Nuk është e vërtetë që sot çmimi i grurit është 360 lekë, përkundrazi, pasi kam komunikuar sot dhe në ditët e kaluara, mendoj që çmimi mesatar është 450-500 lekë”, deklaroi Balla.
/rtsh.al/