E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas shifrave të Alibeajt, opozita: Mashtrim me Përmbarimin, s’po zbatohet ende vendimi për “TemA”-n

Nga Tema

Pas konferencës për shtyp të ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ku është deklaruar se Përmbarimi ka ekzekutuar mbi 90% të vendimeve të gjykatave, ka reaguar opozita, e cila ka theksuar në Kuvend se fakti që nuk po zbatohet një vendim gjykate për gazetën “TemA” dëshmon krejt të kundërtën.

Deputetja e PS, Ermelinda Meksi, tha se ka shumë raste të moszbatimit të vendimeve të gjykatave, ndërsa para disa javësh ishte vetë presidenti i vendit që deklaroi se puna e dobët e Përmbarimit dhe skandalet që rrethojnë mënyrën si zbatohen vendimet e gjykatave tregon se autoriteti i shtetit ka rënë.

“Moszbatimet e vendimeve të gjykatave janë të panumërta, por do e ftoja ministrin (në rast replike me mua), të përgjigjej për 4 çështje sensitive për publikun që tregojnë se si te ne funksionon demokracia dhe zbatimi i ligjit.

Së pari, pse nuk zbatohet, zoti ministër, vendimi i gjykatës për çështjen e gazetës “TemA”, që të mos bëhemi objekt kritike në çdo raport ndërkombëtar?

Së dyti, pse, zoti ministër, nuk kërkoni zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për strehimin e shtetasve në shtëpi që kanë pronarë? Ka disa vendime për këtë, që nga 2006, 2007 dhe 2008 dhe janë shumë ata që presin zgjidhje nga ju.

Së treti, pse nuk respektoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ligjin e legalizimeve, që iu kërkoi të respektohen strukturat e pushtetit vendor, por e risillni përsëri në parlament pa korrigjime dhe kërkoni që këtë rol ta ketë ALUIZNI?

Së katërti, a e dini, z. ministër, se pothuaj të gjithë nëpunësit e hequr padrejtësisht nga puna pas 3 korrikut 2005, edhe pse i kanë fituar të gjitha gjyqet në të gjitha nivelet, nuk janë kthyer në punë? Çfarë bëjnë zyrat tuaja të Përmbarimit me këtë rast?”, - tha Meksi dje në Kuvend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›