Evropa sheh probleme në rritje në Lindje
Sa mundemi ta shfaqim unitetin evropian? Një samit katastrofik në Bruksel në fundjavë nxori lakuriq atë që të gjithë e dinim tashmë: kriza ekonomike globale po kërcënon të copëtojë tregun e vetëm të kontinentit dhe tranzicionin paqësor për një erë të re të prosperitetit evropian pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.
Mirek Topolanek, kryeministri i Republikës së Çekisë, një nga vendet e para të Bllokut Lindor që mban presidencën me rotacion të Bashkimit Evropian, paralajmëroi për “krizën më të madhe në historinë e integrimit evropian”.
Ferenc Gyurcsany, homologu i tij hungarez, foli mbi frikën se kriza ekonomike do të çonte te braktisja e të varfërve nga të pasurit, e Lindjes nga Perëndimi. “Nuk duam të tjera vija ndarëse. Nuk duam një Evropë të ndarë nga vija veri-jug apo lindje- perëndim. Ne nuk duhet të lejojmë një tjetër Perde të Hekurt që të instalohet.
Por përplasjet mes Lindjes dhe Perëndimit ishin të dukshme. Gjermania e përqeshi thirrjen e Hungarisë për një plan masiv shpëtimi për ekonomikë në prag të kolapsit në Evropën Lindore.
Francezët, që së fundmi ia dorëzuan presidencën e BE Çekisë, vazhduan të sillen si ata shoferët rrëmujaxhinj të sediljeve të pasme. Nicolas Sarkozy sugjeroi hapur që çekët nuk ishin në gjendje të drejtonin BE.
Të dielën, pas një dreke të tensionuar, të përgatitur nga çekët, ai madje pretendoi se e gjithë ideja e një samiti emergjence kishte ardhur nga ai dhe nga Angela Merkel, kancelarja gjermane.
Gjer më tani, qeveria e Letonisë është e vetmja që ka rënë në Lindje. Por ka gjithmonë e më shumë kërkesa të forta nga vende si Hungaria për plane shpëtimi nga partnerët e pasur evropianë. Gjermania, në mënyrë të kuptueshme, nuk po guxon duke u konsideruar si i vetmi burim për fondet. Ekonomia e saj është duke u kontraktuar dhe ka burime të kufizuara.
Problemi është serioz. Nëse Evropa nuk do të zgjidhë vështirësitë e saj, thonë analistët, euro do të rrëzohet, autoriteti i unionit do të minohet në mënyrë fatale dhe shtetet anëtare do e gjejnë veten në një valë ksenofobie dhe ekstremizmi, e inkurajuar nga një Rusi e plagosur, por konkurruese.
Robert Zoellick, presidenti i Bankës Botërore, tha muajin e kaluar: “Do të ishte natyrisht një tragjedi politike dhe njerëzore, nëse do të shihnim ribashkimin e Evropës pas 20 vitesh (që prej rënies së Murit të Berlinit), të binte në krizë tani”.
Dy vite më parë, BE festoi ditëlindjen e 50 në hijen e Brandenburg Gate. Simbolika e festimit të përvjetorit të Traktatit të Romës, në pikën ku ndahej dikur Perëndimi i lirë me Lindjen totalitariste, ishte e qartë. Liderët e vendeve të BE shoqëroheshin nga vargjet e Joe Cocker dhe deklaronin solemnisht: “Falë dëshirës për liri të njerëzve në Evropën Qendrore dhe Lindore, ndarja jo-natyrale e Evropës tashmë i përket të kaluarës.”
Por vendet e Lindjes vazhdojnë sërish të ndjehen të përçara, me dhjetë vende satelite sovjetike, anëtare të BE së zgjeruar (Sllovenia dhe Sllovakia po e përdorin tashmë euron). Nënte vende mbajtën një samit të tyrin të dielën duke diskutuar për keqardhjen se Perëndimi po i trajton ata si qytetarë të dorës së dytë.
Ndërkohë, samitet globale po forcojnë më shumë idenë e Lindjes se ata janë të ulur në vendet e fundit të autobusit.
G20, një grup vendesh të zhvilluara dhe në zhvillim, do të mbajnë diskutime të mëdha dhe një forum koordinimi për krizën gjatë një takimi në Londër muajin që vjen. Katër të mëdhatë - Gjermania, Franca, Britania dhe Italia - do të jenë aty.
Si për mirësjellje, çekët do të jenë aty me statusin e drejtuesve të presidencës së BE. Falë presidentit Sarkozy dhe Gordon Brown, Spanja dhe Holanda do të jenë në listën e miqve.
Por Polonia për shembull, e cila është një anëtare e re, e madhe dhe kryesore e vendeve të Lindjes në BE, është shmangur.
“Që kur u bë G22 dhe që kur Holanda është më e madhe se Polonia?”, - pyet një diplomat.
Polonia mund të ndjehet e lënduar, pse është lënë jashtë diskutimeve. Ekonomia e saj, edhe pse nën presion si gjithë të tjerat, është larg problemeve që kanë disa nga fqinjët e saj rajonalë.
Lindja nuk është monolite dhe disa ekonomi të shëndetshme të saj, si Polonia, Çekia dhe Sllovenia, janë shumë më mirë se Spanja, Irlanda apo Greqia.
Por nuk mund të mohohet frika që po shqetëson shumë nga vendet që festuan lirinë e tyre post-sovjetike duke u zhytur me kokë në tregtinë e lirë të mallrave të shërbimeve dhe duke u karikuar në ekspansionin e borxheve.
Kompanitë perëndimore ndjeheshin mirë në Lindje me kostot e ulëta të punës. Tashmë ekziston frika se këto fabrika do të mbyllen. Në Hungari dhe kudo, qytetarët kanë braktisur kreditë në monedhat vendase për interesa më të ulëta në euro ose në franga zvicerane. Tashmë pagesat mujore janë shumë të larta për t’u përballuar.
Bankat italiane dhe austriake u lejuan të blejnë shumë prej kompanive kryesore të shërbimit financiar. Tashmë ka një frikë të legjitimuar se ata do riatdhesojnë fondet e tyre në rënie për t’u fokusuar në tregjet vendas.
Ndërkohë, shumë borxhe janë marrë dhe risku i mospagimit është në rritje. Lindja duhet të ripaguajë ose të nënshkruajë marrëveshje të reja që mbulojnë një borxh afatshkurtër prej 400 miliardë dollarësh.
Vendet baltike kanë fiksuar monedhat e tyre me euron, me shpresën për të përshpejtuar hyrjen e tyre në monedhën e vetme. Por mungesa e hapësirës së nevojshme për manovra nënkupton shkurtim të shpenzimeve, ndërsa eksportet po shkatërrohen dhe recesioni po thellohet.
Kostoja e nxjerrjes së evropianëve të Lindjes nga kriza, përfshirë vendet e varfra të BE, llogaritet te 169 miliardë paund nga Hungaria, një shumë që nuk u pranua në samitin e Brukselit.
Por shifra mund të mos jetë ekstreme. Zoellick, në Bankën Botërore, bëri thirrje për Evropën Perëndimore që të gjejnë pjesën e luanit prej 85 miliardë paund për kapitalin e bankave në Lindje - një shumë e madhe kjo, kur vendet e Perëndimit po përballen vetë me krizën. Një vendim të premten e kaluar nga Banka Evropiane për Investim, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Botërore për të ofruar 33 miliardë paund duket një pikë në oqean.
Pavarësisht se si ndihet Gjermania si shpëtimtarja e alternativës së fundit, e vërteta është se BE nuk mund të lejojë që vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore të përçahen: pasojat politike të një Perdeje të Hekurt do ishin tepër të rënda.
BE ka nevojë për një plan për t’ua shitur votuesve perëndimore si një kontratë të ekonomive të tyre. Me kaq sa duket, ajo ka vënë dhe në frena të ndjeshme zgjerimin e mëtejshëm. Gjermania dhe Holanda bllokuan javën e fundit një vlerësim për aplikimin për anëtarësim nga ana e Malit të Zi.
Premtimet afatgjata, të bëra në vitin 2003 se Shqipëria, Bosnja dhe Serbia do të merren në konsideratë për anëtarësim në BE, duket se janë thyer. Oferta për anëtarësimin e Turqisë janë shtyrë.
Muajin tjetër, Gjermania, Austria dhe Belgjika pritet të zgjerojnë kufizimet për punonjësit nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, fiks pas pesë vitesh, pasi u bashkuan me BE. 11 vende kanë paralajmëruar se kufizimet për Bullgarinë dhe Rumaninë, të cilat u bashkuan me BE në vitin 2007, do hyjnë në fuqi deri në vitin 2012.
Por Thomas Klau, drejtori i Parisit për Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, paralajmëron se këto masa do të kërcënojnë stabilitetin në Evropë.
Premtimet e ndryshme për anëtarësim në BE ishin një forcë e rëndësishme për reformat ekonomike dhe kanë sjellë prosperitet, edhe pse kjo rritje kaotike dhe borxhi i madh kontribuuan për përplasjen.
Një BE e zgjeruar me tregje të hapura nga kontribuar duke shpërndarë mirëqenie në bllok.
“Rimarrja e angazhimeve të firmosura për anëtarësim në BE do të ishte shkatërrimtare”, - thotë Klau.
Pikërisht kur Evropa ka nevojë të mbajë hapur derën për anëtarët e rinj të ardhshëm, ka nevojë dhe të mbrojë ndershmërinë e tregjeve dhe shoqërive të saj nga proteksionizmi. Vendet e reja të BE u rritën me 5.5% në vit gjatë pesë viteve përpara krizës, në krahasim me 3% përpara anëtarësimit.
Ndërkohë, Perëndimi duhet të kujtojë se eksportet me Lindjen janë trefishuar në dekadën e fundit dhe tregtia Lindje-Perëndim ka gjeneruar tre milionë vende pune.
Njëzet vjet pas rënies së Murit të Berlinit, Evropa ka nevojë për unitet dhe për një sens të ri qëllimi. Klau nënvizon se interesat evropiane duhet të ngrihen në nivel botëror dhe BE duhet të tentojë të dalë me një zë gjatë samitit të G20 në Londër.
“Kontributi i Evropës është absolutisht vital”, - thotë ai. “Përgjigjja nuk mund të lihet vetëm tek amerikanët dhe kinezët.”