Gjëra të mahnitshme ndodhin në Krishtlindje!Nga Ylli Doçi*Në prag të Krishtlindjes dhe me ardhjen e vitit të ri, natyrshëm ndjehet një atmosferë e hareshme. Fëmijët sidomos e presin këtë kohë si në ethe, presin një gjë të re, një surprize të këndshme
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Gjëra të mahnitshme ndodhin në Krishtlindje!Nga Ylli Doçi*Në prag të Krishtlindjes dhe me ardhjen e vitit të ri, natyrshëm ndjehet një atmosferë e hareshme. Fëmijët sidomos e presin këtë kohë si në ethe, presin një gjë të re, një surprize të këndshme, kurse të rriturit e kanë humbur këtë sens pritjeje me shpresë, nuk janë aq entuziastë. Jeta i ka dekurajuar dhe mësuar të mos ëndërrojnë shumë. Prisni ju ndonjë ndryshim në këtë stinë? A shpresoni për një surprizë? Sikur të ishte gjithçka e mundur, çfarë do të dëshironit? Një poezi thotë:
“Tek kthehesha nga dasma isha aq e lodhur sa pranë një burimi ndenja për t’u çlodhur/ Pastaj në ujët e kthjellët jam larë dhe me një gjethe prej lisi jam tharë/N’degën më të lartë bilbili ia thosh: këndo o bilbil, pse të mos këndosh?/ Plot hare e gaz e ke zemrën ti, ndërsa unë timen plot vrer e plot zi/Se Pieri i dashur nuk më dashka prapë, vetëm për një gonxhe që s’desha t’ia jap/ Ah sikur në degë gonxhja ende t’ish, dhe Pieri i dashur të më desh sërish.”
Çfarë është gonxhja e këputur në jetën tuaj? Keni ju ndonjë dëshirë kaq të parealizueshme, sa të kërkojë një kthim prapa të kohës? Do të doja të mos hiqni dorë nga ato ëndrra që duken të pamundura, edhe sikur gonxhja të jetë këputur.
Krishtlindja është koha më e mirë për të ëndërruar: Gjëra të mahnitshme ndodhin në Krishtlindje!
Historia e huazimit të djalit për Krishtlindje
Në një gazetë u shkrua një lajmërim: “A ka ndonjë vend ku mund të marrim hua një djalë të vogël 3 ose 4 vjeç për të kaluar me ne Krishtlindjen? Ne kemi një shtëpi të bukur dhe do të kujdesemi mjaft mirë për të dhe do ta sjellim shëndoshë e mirë prapë. Ne kishim një djalë të vogël, por ai nuk mund të qëndronte më gjatë dhe ne na merr malli aq shumë, kur vjen Krishtlindja”.
Edhe këtu një gonxhe ishte këputur. Një vejushë e re, për herë të parë nga vdekja e burrit një vit më parë, kur lexoi këtë, filloi të mendonte për dhimbjen e dikujt tjetër. Ajo kishte një djalë të vogël dhe fjalia “edhe ne kishim një djalë të vogël, por ai nuk mund të qëndronte më gjatë dhe ne na merr malli aq shumë”, e bëri të mendojë për dhimbjen e saj, por edhe për bekimin që kishte me djalin e saj, që ndriçonte Krishtlindjen për të. Gruaja iu përgjigj lajmërimit, duke shkuar bashkë me djalin te familja që bëri kërkesën.
Shkruesi i letrës ishte një i ve, me nënën e tij, që kishte humbur në një aksident gruan dhe djalin e tij të vogël. Së bashku ata gjetën një lumturi që s’mendonin se do u kthehej kurrë dhe jo vetëm për një Krishtlindje, por për gjithë jetën, sepse ata u martuan bashkë.
Gjëra të çuditshme ndodhin në Krishtlindje!
Krishtlindja është koha më e përshtatshme për të ëndërruar njeriu: Gjëra të mahnitshme kanë ndodhur në këtë stinë…
Një ilustrim
Ishte pragu i Krishtlindjes kur Beneti mori një telefonatë nga një shoqe e vjetër.
Suzana, farmacistja 51-vjeçare, po ndihmonte në organizimin e festës së 33-vjetorit të shkollës së mesme, meqë 30-vjetorin nuk e realizuan dot. Një person në veçanti mezi priste ta shihte përsëri, Benet Skot, për të cilin kishte marrë vesh se vuante prej vitesh nga veshkat dhe ishte në pritje për transplantim. Kur Benet kishte ardhur te shkolla e saj, ajo ishte e famshme në grupin e vajzave drejtuese të tifozëve, kurse ai një djalë i heshtur, por shpejt e gjenin veten bashkë në mësimet e pianos, në kor apo në punën për gazetën e shkollës. Në klasë të 7, të dy kishin marrë titullin “më të talentuarit” dhe në shkollë të mesme “të prerë për sukses”. Kishin kënduar duete bashkë dhe kishin qejf të kalonin kohë bashkë, sa kur mbaruan shkollën, Suzana i shkroi, “Shpresoj se nuk do më harrosh”.
Por, siç ndodh zakonisht pas shkollës, ata morën rrugë të ndryshme. Tani, pas disa dekadash, Suzana jetonte në veri, me një punë që i pëlqente dhe shokë e udhëtime, megjithëse ishte e pamartuar, ndërsa Benet jetonte me të shoqen dhe dy fëmijë pranë një universiteti, ku jepte mësim.
“Tani do t’i humb të gjitha”, - mendonte Suzana. Por, në telefon Beneti nuk e përmendi asnjëherë sëmundjen e tij. Ai i tregonte për planet e tij dhe i thoshte sa krenar ishte për fëmijët dhe sa dëshirë kishte të udhëtonte me gruan nëpër Evropë. Suzana e dinte gjendjen e tij dhe i tha se kishte një veshkë tepër, që mund t’ia jepte atij. Ai, megjithëse u prek shumë nga kjo, nuk pranoi dhe me shumë argumente i tha, jo. “S’mund të kërkoj një gjë të tillë prej teje”, - tha Beneti. “Unë po e ofroj, nuk po e kërkon ti, unë po e bëj për familjen tënde gjithashtu”, - iu përgjigj Suzana. Por ai refuzoi disa herë gjatë muajve në vazhdim. Pastaj, mu përpara festës ai u bë keq dhe doktorët i thanë që pa një transplantim do të vdiste për pak muaj. Suzana e intensifikoi lutjen e saj. “Të lutem, më lër të të ndihmoj”, - ishte kërkesa e saj. Dhe më në fund Beneti pranoi. Analizat mrekullisht dolën që ishte e përshtatshme, sepse e shoqja e tij e kishte provuar dhe shanset ishin të vogla. Doktorët thanë se përshtatshmëri e tillë ishte e rrallë edhe me binjakët. Pak muaj më vonë ata ishin në sallën e operacionit. Kur Suzana u zgjua pyeti për Benetin. I thanë se kishte dalë me sukses. Kur e takoi, Beneti tha: “Si falënderohet dikush që të kthen jetën?” “Ti veç kujdesu për veshkën time”, - ia ktheu Suzana duke fshirë lotët e saj.
Çfarë shoqeje që kemi këtu! Ajo zgjodhi të jetonte me gjysmë kapaciteti për shokun e klasës, jo të dashurin, por thjesht një shok. A keni ju dikë që sakrifikon kështu për ju?
A do të dëshironit të kishit një shok të tille? Unë mund t’ju them se kam një lajm të mirë për ju personalisht. Krishtlindja është koha më e përshtatshme për të ëndërruar njeriu: Gjëra të mahnitshme kanë ndodhur në këtë stinë. Ja me e mahnitshmja: “… Fëmija që është ngjizur në të është nga Shpirti i Shenjtë. Ajo do të lindë një djalë dhe ti do t’ia vësh emrin Jezu, sepse ai do ta shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre. E gjithë kjo ndodhi që të përmbushej çfarë kishte thënë Zoti nëpërmjet profetit: Virgjëresha do të ngjizet dhe do të lindë një djalë, që do të quhet Emanuel, që e përkthyer do të thotë: Perëndia është me ne”, Mateu 1:18-25.
Mesazhi që përcjell Krishtlindja është se Perëndia erdhi midis nesh. Erdhi, dhe trëndafili i kuq është një bebe në një stallë, Emanuel-Perëndia me ne, prekja e shpresës (shpresë për përmbushje, për jetën me bollëk, në paqe dhe harmoni, dashuri dhe përjetësi).
Sakrifica e Suzanës dhe Krishtlindja
Ajo zgjodhi të jetonte me gjysmën e kapacitetit të veshkave, kurse Perëndia Bir, Personi i dytë i Trinisë, zgjodhi të kufizonte kapacitetet e Tij hyjnore vetëm në aq sa rrasej në një trup Njerëzor. Kjo është një mrekulli më e madhe se thjesht lindja nga virgjëresha. Prandaj Krishtlindja nënkupton dy mrekulli; lindjen nga një virgjëreshë dhe Mishërimin e të padukshmit.
Krishtlindja është koha më e përshtatshme për të ëndërruar njeriu: Gjëra të mahnitshme kanë ndodhur në këtë stinë…
* Pastor në kishën Guri i Themelit