E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza ekonomike, të hënën opozita protestë në Durrës

TIRANË- Ditën e hënë, Partia Socialiste së bashku me opozitën e bashkuar qytetare rinis valën e protestave për krizën ekonomike dhe hapjen e kutive.

Deputeti i PS-së, Blendi Klosi ka deklaruar sot se protesta nis në Durrës dhe do t'i kërkohet Sali Berishës, kryeministrit të votave të vjedhura e kutive të mbyllura, se qytetarët duan zgjidhje për krizën ekonomike dhe mbrojtje për bizneset e tyre.

"Të hënën 14 dhjetor ne do të protestojmë në Durrës për të gjitha pasojat e kutive të mbyllura, që nga rritja e çmimit të energjisë apo vizitave në spital, ngritjes se TEC-it famëkeq me qymyr te Zi, tek mosliberalizimi i vizave edhe për Shqipërinë bashkë me Serbinë, Malin e Zi e Maqedoninë. Të hënën 14 dhjetor ne do të protestojmë në Durrës për kapjen e shtetit nga fijet e interesave të një familjeje të vetme që dikton qeverisjen e vendit në favor të një grushti njerëzish"- tha ai.

Sipas Klosit, do të protestojmë në Durrës për shkeljen e autonomisë vendore dhe prerjen e fondeve për qytetin nga kjo qeveri ilegjitime; për liri e të drejta që kërcënohen përditë nga ky pushtet që grabiti votat për të grabitur Shqipërinë; për të bashkuar më tej zemrat e zërat e të gjithë shqiptarëve që nuk e pranojnë këtë qeveri të kthyer në regjim dhe këtë qeverisje të kthyer në sundim.

******

Kriza ekonomike, PS nis protestat të hënën

Protesta nis në Durrës. Jo vetëm hapja e kutive por edhe problemet aktuale në vend do të jenë në qendër të protestave. Asambleja mblidhet të mërkurën


TIRANË- Opozita nis të hënën fazën e dytë të protestave të saj paqësore në të gjithë Shqipërinë. Por, kësaj here në qendër të saj, nuk do të jetë vetëm çështja e transparencës së votës, por edhe një sërë problemesh ekonomiko-sociale, që shqetësojnë sot qytetarët shqiptarë, duke filluar që nga çmimi i energjisë elektrike, taksave për bizneset e vogla, kostoja e shërbimit shëndetësor etj.


Por, për këtë qëllim ditën e mërkurë në datën 16 dhjetor Partia Socialiste si forca më e madhe opozitare do të mbledhë Asamblenë Kombëtare, ku dhe pritet të referohet për secilën nga problematikat për të cilat edhe do të protestohet, si dhe të merren masa të mëtejshme organizative lidhur me aksionin politik të kësaj force.


Protestat


Forcat opozitare me qeverinë kanë vendosur që ta mbyllin vitin 2009 në sheshe duke protestuar jo vetëm për hapjen e kutive të votimit, por edhe ndaj politikave ekonomike, që po ndjek qeverisja e djathtë.


Burime pranë selisë rozë, si organizatore të këtij reagimi qytetar bëjnë të ditur se është programuar që të nisë një tur i dytë manifestimesh nëpër qytetet kryesore të vendit, për të mbërritur në datën 21 në kryeqytet, ku është parashikuar të mbahet sërish një miting i madh.


Turi i protestave do të nisë të hënën nga Durrësi për të vijuar më pas me Vlorën, Fierin, Beratin, Shkodrën dhe për ta mbyllur në Tiranë. Siç konfirmohet nga PS-ja në këto tubime do të protestohet pikërisht për çështjet, që prekin direkt standardin e jetës së qytetarëve shqiptar, siç janë vendimmarrjet e qeverisë shqiptare për fushat ekonomiko sociale.


Kështu, një prej këtyre çështjeve do të jetë vendimi i pritshëm i OSSH-së për të rritur në masën e mbi 40%-it të çmimit të energjisë elektrike, për të cilin qeveria shqiptare ka vendosur të mos ndërhyjë për të mbrojtur interesat e konsumatorëve.


Ndërkohë, nga ana tjetër selia rozë nëpërmjet reagimeve të saj zyrtare e ka konsideruar këtë vendim që pritet të hyjë në fuqi në fillim vitin e ardhshëm si një barrë të papërballueshme për shumicën e familjeve shqiptare.


Një tjetër problematikë për të cilën do të protestohet janë dhe vendimet e fundit të qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë për ndryshimin e taksave vendore, duke bërë kalimin e një sërë bizneseve të vogla në biznese të mëdha dhe duke rritur në këtë mënyrë taksat e tyre.


Nisur pikërisht nga efektet që mbartin këto vendime në buxhetet e bashkive dhe komunave në këto manifestime do të bashkohen drejtuesit dhe administrata e njësive të qeverisjes vendore, të cilët jo më larg se një javë kërkuan në një tjetër protestë të zhvilluar në Tiranë respektimin e autonomisë vendore.


Në protesta do të ftohen të marrin pjesë edhe qytetarët e tjerë dhe kryesisht kategoritë në nevojë, si të papunët apo të vobektit të cilëve sipas PS-së për shkak të boshatisjes së arkës së shtetit kanë disa muaj që nuk kanë marrë ndihmën ekonomike.


Protestat e programuara në ditët në vijim do t'i kushtojnë rëndësi edhe kërkesave për një shërbim më të mirë dhe më social në spitale, por edhe një politikë ndryshe për mallrat e konsumit të përditshëm, që siç konfirmoi edhe INSTAT në publikimin e saj të fundit kanë shënuar sërish rritje të konsiderueshme çmimesh.


Asambleja


Krahas protestave që do të organizojë, Partia Socialiste do të mbledhë edhe Asamblenë Kombëtare si forumin më të lartë vendimmarrës mes dy kongreseve.


Objekt i diskutimeve të saj do të jenë pikërisht çështjet për të cilat dhe do të protestohet në këtë tur manifestimesh. Sipas burimeve nga PS-ja, në mbledhjen e këtij forumi të ditës së mërkurë është programuar që për secilën nga çështjet objekt proteste do të mbahet nga një referim nga deputetë dhe përfaqësues të lartë të kësaj force, të cilët do të analizojnë efektet direkte që kanë vendimet e mazhorancës tek qytetarët shqiptarë, por edhe tek çdo aktor interesi, siç është rasti i pushtetit vendor.


Protestat e opozitës do të ndërpriten me afrimin e festave të fundvitit për të filluar pas datës 10 janar, ku pritet të ketë një përshkallëzim të tyre.

**********************************

Kryetari i PS-së flet për anëtarësimin e partisë në PES


Rama: 8 Dhjetori, historike për PS-në

TIRANË- Çdo 8 dhjetor për Partinë Socialiste do të jetë një festë e dyfishtë për vetë faktin se në këtë datë, ajo do të kremtojë ditën shembjes së diktaturës, por edhe të anëtarësimit të saj me të drejtë vote në Partinë e Socialistëve Europiane.


Për të festuar pikërisht këtë anëtarësim, Partia Socialiste e Shqipërisë ka zhvilluar dje një festë të vogël në një nga lokalet pranë selisë së saj qendrore, ku janë mbledhur përveç kryetarit dhe deputetëve edhe shumë figura të tjera, që kanë kontribuar në forcimin dhe zhvillimin e saj.


Në një fjalë të shkurtër të mbajtur me këtë rast kryetari i PSSH-së Edi Rama e ka quajtur anëtarësimin në këtë organizatë të madhe të socialistëve dhe socialdemokratëve europiane si një moment historik për këtë forcë dhe për të gjithë anëtarët e saj, socialistë e progresistë.


Sipas tij, ky është një ogur i mirë, që erdhi pikërisht në një datë të shënuar, 19 vjet pas nisjes së lëvizjeve demokratike në vendin tonë. "8 dhjetori i pardjeshëm ishte një ditë e shënuar. Historike për Partinë Socialiste.


Partia jonë, me unanimitet të plotë, u pranua nga Kongresi i PES-it si anëtare me të drejtë vote në partinë e socialistëve dhe progresistëve europianë. Sot ne kemi përfaqësuesin tonë, edhe në presidencën e kësaj force të madhe të politikës europiane", - tha Rama.


Por takimi i djeshëm nuk do të jetë e vetmi për këtë rast, pasi kreu i socialistëve shqiptarë ka paralajmëruar një tjetër festë në fillimin e vitit të ri, ku përveç emrave, që kanë ndihmuar në rritjen e kësaj force pritet të marrin pjesë edhe drejtues të lartë të dy organizatave më të mëdha socialiste, pra përfaqësues të Internacionales Socialiste dhe PSE-së.


"Kemi mbërritur një stacion me rëndësi strategjike për të nesërmen, jemi integruar në një realitet të ri europian dhe na takon të festojmë, me të gjithë ata që e sollën Partinë Socialiste të Shqipërisë deri këtu, në një festë brezash që do ta bëjmë në ditët e para të vitit të ardhshëm, me praninë e gëzueshme simbolike këtu në Tiranë të miqve të vjetër e partnerëve të rinj të Partisë Socialiste Europiane", - tha Rama, duke vlerësuar historinë 19 vjeçare të PSSH-së pavarësisht momenteve të trishta që, sipas tij, nuk kanë munguar edhe për këtë forcë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›