“Ngërci”, Topi siguron Ramën: Do të luaj rolin tim
Presidenti Bamir Topi e siguroi dje kryetarin e PS-së, Edi Rama, se do të vazhdojë të luajë rolin e tij si garant i Kushtetutës dhe i ligjit në funksion të rritjes së standardeve të institucioneve të drejtësisë. Kjo deklaratë erdhi pas kërkesave që kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i shprehu paraditen e djeshme Presidentit Bamir Topi në selinë presidenciale gjatë një takimi kokë me kokë për afro 45 minuta. Z. Rama i shprehu shqetësimin e opozitës se vendi ndodhet në një krizë të thellë të demokracisë, ku mungon shteti i së drejtës, ku i kërkoi të luajë rolin që i takon. Pak minuta pas takimit, Presidenti i Republikës bëri të ditur se Rama i shprehu atij shqetësimet për gjendjen aktuale të institucioneve të sistemit të drejtësisë si dhe të zhvillimeve më të fundit e situatën në vend.
Lidhur me këto shqetësime Presidenti garantoi kreun e PS-së se do të ndjekë çdo rrugë ligjore në funksion të pavarësisë së institucioneve. Zyra e shtypit e z. Topi njoftoi: “Pasi dëgjoi qëndrimin e kryetarit të Partisë Socialiste lidhur me këto çështje, Presidenti i Republikës ripërcaktoi edhe një herë pozicionin e tij kushtetues dhe e siguroi zotin Rama se do të vazhdojë të luajë rolin e tij si garant i Kushtetutës dhe i ligjit në funksion të rritjes së standardeve të institucioneve të drejtësisë, profesionalizmit dhe efektshmërisë, ndershmërisë dhe paanësisë së gjyqtarëve dhe se do të vazhdojë të punojë për konsolidimin e pavarësisë së këtyre institucioneve të shtetit të së drejtës. Ky takim mes Topit dhe Ramës është i pari që pas bojkotit që PS-ja i ka shpallur Kuvendit. PS-ja ka bojkotuar seancat parlamentare që pas zgjedhjes së deputetëve të rinj nën pretendimin se Kuvendi është ilegjitim, pasi u grabitën votat në zgjedhjet e 28 qershorit. Z. Rama konfirmoi për mediat se u takua me Presidentin për shqetësimet që ka opozita e majtë. “E kërkova këtë takim me Presidentin e Republikës, për të shprehur shqetësimin e thellë të opozitës ne emër të të gjithë popullit opozitar, çdo qytetari e qytetareje që kërkon shtet të së drejtës, në kushtet kur shteti i së drejtës ka rënë dhe ku kanë rënë të gjitha garancitë dhe vendi gjendet në një krizë të thellë të demokracisë”, - u shpreh Rama për mediat. Kreu i socialistëve nuk bëri të ditur nëse i kërkoi Presidentit të zgjidhë ngërçin politik, ku është futur vendi, por konfirmoi se i ilustroi Presidentit gjithë situatën kaotike në të cilën ndodhet vendi. “Pa dyshim që ia ilustrova me shembuj dhe fakte konkrete gjithë sapo ndodh dhe kërkova nga garanti i Kushtetutës që të garantojë liritë dhe të drejtat kushtetuese, duke luajtur rolin e tij”, - u shpreh Rama.