E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti dekoron me “Nderi i Kombit” 37 intelektualët e pushkatuar



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoroi dje me Urdhrin “Nderi i Kombit” 37 intelektualët e Tiranës të vrarë nga diktatura komuniste, në 28 tetor – 16 nëntor 1944. Ky nderim i lartë nga kryetari i shtetit përkon me 65-vjetorin e masakrës së terrorit komunist në Tiranë, i cili u mori jetën këtyre personave mendjendritur e të pafajshëm. “Kur partizanët me meritë po fitonin luftën dhe po projektonin çlirimin e Tiranës dhe të krejt Shqipërisë, komunistët, frymëzuesit politikë të luftës antifashiste, po projektonin ardhjen e tyre në pushtet. Nga 28 tetori deri më 16 nëntor 1944, për pak më shumë se dy javë, komunistët likuiduan 37 intelektualë të Tiranës, thjesht për shkak të besimit të tyre në idetë demokratike të zhvillimit të Shqipërisë së pasluftës”. Pikërisht, kjo gjë theksohet në motivacionin e Urdhrit të “Nderit të Kombit”, që kreu i shtetit u akordoi dje atyre pas vdekjes. Një vendim i marrë pas propozimit të Shoqatës Mbarëkombëtare të të Përndjekurve dhe të Persekutuarve dhe Qendrës së Rehabilitimit të Viktimave dhe të Torturave. Urdhri "Nderi i Kombit" është nga më të lartët që jepen në Republikën e Shqipërisë, i cili në njëfarë mënyre, vë në vend nderin e 37 intelektualeve të kryeqytetit. Me këtë rast, në Presidencë u organizua një ceremoni solemne. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekreteve përkatëse nga sekretari i përgjithshëm i institucionit, Aleksandër Flloko, kryetari i shtetit u dorëzoi urdhrin dhe dekretin e dekorimit familjarëve të intelektualëve të nderuar: Akil Sakiqi, Nazmi Uruçi, Fahri Dabulla, Mumtaz Kokalari, Vesim Kokalari, Ismail Petrela, Muharrem Lleshi, Muharrem Liku, Abdulla Saraçi, Jorgji Mema, Nebil Çika, Hamid Greblleshi, Subi Topulli, Kapllan Deliallisi, Jakup Deliallisi, Shefqet Deliallisi, Anton Fekeçi, Isuf Allamani, Boris Belevski, Minella Toçi, Selim Kelmendi, Selaudin Korça, Lluka Xhumari, Ali Panariti, Rakip Kalenja, Hasan Dine, Azis Blloshmi, Faik Shkupi, Mehmet Dada, Rifat Tërshana, Aleks Mavraqi, Selman Shtjefni, Petraq Pekmezi, Ndue Pali, Syrja Kokalari, Bajram Cuka, Lorenc Rasha. Ky vlerësim dhe nderim i lartë i Presidentit të Republikës, Bamir Topi, u bë në shenjë respekti dhe përuljeje për grupin e intelektualëve të vrarë nga terrori komunist nga 28 tetori deri më 16 nëntor 1944 me motivacionin: “Të martirizuar nga terrori komunist për shkak të besimit në idetë demokratike perëndimore të zhvillimit të Shqipërisë pas Luftës II Botërore”. Z. Bahri Liku, i ati i të cilit ka qenë një nga viktimat, shprehu mirënjohjen ndaj kreut të shtetit shqiptar për nderin e lartë, duke theksuar: “Në emër të familjarëve përshëndesim Presidentin e Republikës për këtë vlerësim kaq të madh që po u bëhet prindërve tanë. Njëkohësisht, falënderojmë shoqatën me Azem Allçin, Besim Ndregjonin dhe drejtorin e Qendrës së Rehabilitimit të Viktimave të Torturave, zotin Kati që na ka dhënë ndihmesën për këtë punë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›