E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Flamuri i BE në institucionet shqiptare, Xhaçka kërkon miratimin e aktit normativ! Tabaku: Mos e ktheni Kuvendin në noter

Pas hapjes së negociatave me BE, do të duhet edhe përafrimi i legjislacionit të Shqipërisë me atë të BE. Ndryshimi i parë ka nisur nga vendosja e flamurit të BE pranë atij shqiptar në institucione, për të cilën Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka tha se duhet miratuar nga të gjithë në Kuvend. Miratimi i këtij ndryshimi me akt normativ nga qeveria për ministren ndodhi për shkak të urgjencës dhe zhvillimeve të vrullshme për hapjen e negociatave.

“Janë vendime që mbështesin hapjen e negociatave. Ky akt normativ u miratuara me urgjencë për të gjetur gati për zhvillimet e vrullshme dhe intensive mes grupeve që pritet të ndodh së shpejti. Ky akt nënvizon rëndësinë e hapjes së negociatave me BE. Është një ndërhyje modeste ne ligj, por me rendësi të madhe historike dhe ilustron më së miri punën që na pret në të ardhmen deri në anëtarësimin e plotë si dhe përafrimin e kuadrit ligjor dhe institucional me atë të BE. Votoni këtë mendim dhe të vijojmë punën së bashku për integrimin në BE”, tha Xhaçka.

Fakti që ky ndryshim u bë me akt normativ nuk u mirëprit nga opozita, ku deputetja e PD-së, Jorida Tabaku tha se është e pakonceptueshme që edhe këtë ndryshim lidhur me flamurin e BE qeveria duhet ta bënte me akt normativ. Tabaku tha se opozita do e votojë, por akuzoi qeverinë se nuk duhet ta konsiderojë kuvendin si noter vetëm për të votuar, por duhet që të gjitha palët të angazhohen në dialog sidomos kur flitet për integrimin që është në dobi të gjithë shqiptarëve.

“Unë ndjej keqardhje, jo se nuk do parlamenti se përpiqet të përdorë çdo instrument që ka në dorë por për të marrë masa reale. Është fatkeqësi që ne nuk kemi pasur një Ministri Integrimi. U përpoqa të lexoja se si janë ndarë, as mish as peshk dhe sot mblidhemi për të diskutuar për flamurin. Vlerat e BE i respektojmë duke respektuar qytetarët që po largohen nga Shqipëria. Besoj që e gjithë opozita do të mbështesë këtë akt normativ se nuk ka asgjë të keqe por ndjej keqardhje që parlamenti trajtohet si noter ku kryeministri më 20 korrik ngre flamurin, më pas ngre aktin normativ për të justifikuar veprimin e tij. Po për çfarë jemi ne këtu? Për çfarë e ngremë kartonin? Shpresoj që muaji i fundit të ketë qenë reflektim për qeverinë shqiptare. Ne duhet të heqim dorë nga protagonizmi i tepërt dhe mania për të qenë i pari kudo. Sot qeveria nuk e ka kuptuar ende që ka ndryshuar metodologjia. Procesi i integrimit ky është, i ndryshimit, së pari të administratës dhe më pas të qytetarëve. Nuk ka qenë ndonjë struktura kaq e shpërndarë në një moment kaq të rëndësishëm sa ndodhet Shqipëria. Procesi i integrimit europian na bashkon. Unë e gjykoj ta shohim me përulësi, të angazhohet parlamenti dhe të shohim çfarë të bëjmë për procesin e integrimit. Të gjithë dje, pavarësisht kahut e dënuan sulmin kibernetik për Shqipërinë. Unë përshëndes mbështetjen e SHBA por edhe të gjitha masat që u morën dje ndaj Shqipërisë, por shpresoj që milionat e tenderave të kishin shërbyer për të mos arritur në këtë nivel. Të nisim diskutim për masat që po merr qeveria për sulmet e tjera kibernetike. Me notën pozitive të mbështetjes për proceset e rëndësishme dhe kërkesës për ta bërë debat të hapur që dhe qytetarët”, tha Tabaku.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›