E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ultimatumi i Ramës/ Stafi i ambasadës së Iranit largohet nga Shqipëria, djegin dokumentat! Policia hyn në godinë

Një ditë pas ultimatumit të vendosur nga Kryeministri Edi Rama, stafi i ambasadës së Iranit ka boshatisur zyrat. Kreu i qeverisë i vendosi dje ( 7 shtator) Ambasadës së Iranit afat 24-orë për t’u larguar nga Shqipëria, pas akuzave se ka prova të pakontestueshme se fshihen pas sulmit kibernetik që goditi vendin në muajin korrik.

Në këtë kuadër, pak orë para largimit nga Shqipëria, diplomatët iranianë sipas Reuters, kanë djegur të gjitha dokumentat duke i vënë flakën brenda një kazani brenda muireve rrethuese të ambasadës. Policia ka mbërritur në ambientet e Ambasadës për të bërë të mundur largimin e punonjësve, të cilët ishin larguar më herët, duke djegur gjithashtu çdo dokument që mund të përdorej si provë për përfshirje në sulmin kibernetik që goditi shërbimet publike në vendin tonë.

Pas kreut të qeverisë i cili e konsideroi sulmin kibernetik si kërcënim për paralizimin e shërbimeve publike, vjedhje të dhënash shterërore, dhe shkaktim kaosi e pasigurie në vend, edhe Uashingtoni drejtoi gishtin e fajit drejt Iranit ndërsa premtoi se “do të ndërmarrë veprime të mëtejshme për ta mbajtur përgjegjës për veprimet që kërcënojnë sigurinë e një aleati të SHBA”.

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Teheranit i cili ka dënuar ashpër vendimin e qeverisë Rama për ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike duke i konsideruar pretendimet për sulmin kibernetik si të pabaza.

Shqipëria dhe Irani kanë pasur marrëdhënie të tensionuara që nga viti 2014, kur Shqipëria pranoi rreth 3000 anëtarë të grupit opozitar në mërgim Organizata e Muxhahidëve Popullor të Iranit, e njohur edhe me emrin e saj farsi Mujahideen-e-Khalq, të cilët janë vendosur në një kamp pranë Durrësit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›