E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza financiare, Shqipëria shkel standardin e NATO-s për buxhetin e mbrojtjes

Qeveria shqiptare ka për detyrë të shpenzojë 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për sektorin e mbrojtjes, si pasojë e anëtarësimit në NATO, por të dhënat e vitit 2010 tregojnë se shpenzimet e Ministrisë së Mbrojtjes përbëjnë vetëm 1.08 për qind të PBB-së.

Sipas gazetës Shqip, të dhënat nga bilanci i qeverisë tregojnë se buxheti i mbrojtjes për vitin 2010 u caktua në masën 25 miliardë lekë, shifër kjo e barabartë me 2 për qind të PBB-së, por qeveria ra në vështirësi për shkak të mungesës së të ardhurave dhe në qershor 2010 e reduktoi buxhetin fillestar për mbrojtjen në 19.7 miliardë lekë ose vetëm 1.6 për qind të PBB-së. Sikur të mos mjaftonin shkurtimet e mesvitit, Ministria e Mbrojtjes u tregua e paaftë të realizojë edhe buxhetin e mbetur. Në fund, shpenzimet e kësaj ministrie për vitin 2010 qenë 13.3 miliardë lekë ose vetëm 1.08 për qind e PBB-së.

Shqipërisë iu vu si objektiv nga NATO në vitin 2005 rritja e buxhetit të mbrojtjes gradualisht deri sa të arrinin 2 për qind të PBB-së, që është edhe minimumi i lejuar për vendet anëtare. Sugjerimi ishte që shpenzimet e mbrojtjes të rriteshin gradualisht me 0.1 për qind të PBB-së në vit deri sa të arrihej kuota. Por në vitin 2006, qeveria shqiptare vendosi në mënyrë të njëanshme të rrisë shpenzimet për mbrojtjen, duke e zbatuar këtë kriter para anëtarësimit.

Vendimi i qeverisë u prit pa shumë entuziazëm në NATO për shkak se ishte artificial. Në atë kohë, buxheti i qeverisë për mbrojtjen ishte vetëm 1 për qind e PBB-së dhe dyfishimi i shpenzimeve qe vështirë të absorbohej, qoftë si barrë për buxhetin e shtetit, ashtu edhe nga vetë Ministria e Mbrojtjes.

Nuk vonoi shumë dhe u pa se rritja e buxhetit nuk ishte një vendim lehtësisht i zbatueshëm në terren. Në vitin 2007, kur qeveria programoi për herë të parë shpenzime të larta për mbrojtjen, në qendrën e rekrutimit në Bunavi të Vlorës, rekrutët e rinj u filmuan duke bërë stërvitje me shapka dhe atlete.

Qeveria vijoi ti mbetet besnike premtimit të saj gjatë hartimit të buxheteve të viteve pasardhëse sa i përket akordimit të fondeve për mbrojtjen, por këto mbetën thjesht premtime e nuk u bënë asnjëherë realitet. Përkundrazi, shpenzimet e buxhetit për mbrojtjen në raport me PBB-në, shënuan një minimum historik në vitin 2009 në vetëm 1.02 për qind të PBB-së.

Shqipëria u prania në NATO në vitin 2009 së bashku me Kroacinë. Ushtrisë shqiptare iu dha detyra të kryejë tranzicionin nga sistemi i ushtrisë me rekrutë në ushtri tërësisht profesionale me forca vullnetare përkundrejt pagesës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›