E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka Botërore shuplakë Merkelit për menaxhimin e krizës

Presidenti i Bankës Botërore, Robert Zoellick, ka kritikuar ashpër qeverinë gjermane. Ai akuzon Merkelin se po i del ballë krizës pa plan të qartë. Kjo do të kushtojë më shumë, ka thënë ai. "Shumë gjëra në politikë bëhen si me zor, pa vizion, por ekonomia dhe tregjet kanë nevojë për orientim dhe qartësi", ka theksuar Zoellick. Kur para 20 vjetësh u shpërbë blloku Lindor, kancelari i atëhershëm Helmut Kohl kishte një vizion, se si duheshin zhvilluar gjërat. Kjo tani mungon, dhe sa më shumë që të zgjasë kjo gjendje, aq më shumë para kushton kjo, dhe aq më pak opsione për zgjidhje do të ketë".

Angela Merkel me Robert Zoellick-un u takua këtë të enjte për krizën në eurozonë . Presidenti i Bankës Botërore, Zoellick, kritikon se Europa ende nuk e ka një koncept sesi duhet ta zgjidhë krizën. Me ombrellën e shpëtimit, sipas tij, europianët vetëm se kanë fituar pak kohë. "Nuk dua ta kritikoj këtë, por kjo nuk e zgjidh problemin.". Zoellick i bëri thirrje Gjermanisë të marrë më shumë përgjegjësi për të zgjidhur krizën. "Gjermania, edhe për shkak të madhësisë së saj, luan një rol të rëndësishëm". Ai kujtoi se vende të tjera të rëndësishme si Franca apo Italia janë të zëna aktualisht më shumë me problemet e tyre. "Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, ndodhet para zgjedhjeve presidenciale; Italia po përfshihet nga turbulencat, Britania e Madhe nuk është pjesë e eurozonës." Taksapaguesit gjermanë duan t'u tregohet një kurs i qartë, ka thënë Presidenti i Bankës Botërore,"që udhëheqja politike t'u thotë, se në çfarë rruge po shkon Europa, nëse do të krijohet një union politik dhe financiar për të mbrojtur eurozonën”. Që në fillim të shtatorit erdhi kritika e parë nga shefi i Bankës Botërore, duke paralajmëruar se ekonomia botërore "po hyn në një zonë të re rreziku."

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›