E Diel, 1 Nëntor 2026

Agjencitë e huaja: Kriza në eurozonë ndryshoi normat bazë të interesit

SHKRUAN: Sabina Veizaj 10-10-2011 11:42

Agjencia e lajmeve “Central Bank News” ka bërë me dije se disa Banka Qendrore, të cilat kanë vendosur të ndryshojnë normën bazë të interesit, ashtu si Shqipëria, përveç kushteve të brendshme janë diktuar drejtpërdrejt nga kriza në eurozonë.

Artikulli në fjalë citon se javën e kaluar gjatë analizës së politikës monetare 12 Banka Qendrore kanë riparë disa çështje të politikës monetare, duke ndryshuar normat bazë të interesit. Referuar artikullit në fjalë, ato Banka Qendrore që vendosën ndryshimin e normës bazë të interesit ishin: Shqipëria 0,25%, duke e çuar atë në 5.00%; Uganda e ka çuar normën bazë të interesit në 20.00%, Kenia në 11.00%; Vietnami në 15.00%; Serbia me 50%, duke e çuar normën bazë të interesi në 10.75%; dhe Ruanda me 50%, në 6.50%. Në të njëjtën kohë, artikulli bën me dije se ato Banka Qendrore që vendosën ta mbanin të pandryshuar normën bazë të interesit ishin: Australia 4.75%, Polonia 4.50%, Mbretëria e Bashkuar 0.50%, BE 1.50%, Peru 4.25%, dhe Japonia 0.10%. Artikulli i “Central Bank News” thekson se ajo që përbëri lajm në politikën monetare ishte njoftimi nga Banka Qendrore e Anglisë që do të hidhte 75 bilionë paund britanik në treg. Kështu që java që lamë pas, citon artikulli, ishte një javë me evente; nga ulja e normave bazë të interesit, ishin vende të cilat janë të lidhura ngushtë me Eurozonën; të cilat janë nën presion të egër përsa i përket krizës së borxheve sovrane. Ndërkaq, vendet e tjera ishin vende afrikane në zhvillim (dhe Aziatike), me ekonomi të cilat relativisht janë më pak të lidhura me Bashkimin Europian dhe më shumë të ekspozuara ndaj çmimeve komode dhe kërkesës konsumatore të lartë. Gjithsesi, vendimi për të qëndruar në vend ose për të marrë të tjera vendime u udhëhoq nga tregu global i avulluar financiar dhe parashikimet e paqarta për ekonominë. Duke iu referuar normave bazë të interesit të vendosura nga këshillat mbikëqyrës të bankave qendrore, Banka e Anglisë e mbajti atë të qëndrueshëm në 0.50%, duke hedhur në treg një shumë prej 75 bilion paund britanikë: “Hapat e ekspansionit global janë lëshuar, veçanërisht në tregun e eksporteve të Mbretërisë së Bashkuar. Të lidhura me gjendjen e disa vendeve për shkak të borxheve sovrane, këto tensione në botë kanë kërcënuar rimëkëmbjen e ekonomisë britanike. Në të njëjtën kohë, Banka Qendrore e Ugandës e rriti normën bazë të interesit me 11.00%. Sipas saj, presionet inflacioniste kanë vazhduar të rriten dhe së bashku me dobësimin e monedhës kanë kërcënuar ekonominë.”- citon artikulli. Duke iu referuar Shqipërisë, artikulli në fjalë thekson se “Banka e Shqipërisë e uli normën bazë të interesit në 5.00%: Kjo i shërben mbajtjes së objektivave për inflacionin në terma afatmesëm dhe në të njëjtën kohë i shërben kushteve monetare për të stimuluar aktivitetet ekonomike në vend. BSH e aplikoi sërish uljen e çmimit të lekut, si mjetin themelor për nxitjen e kreditimit të ekonomisë dhe nga ana tjetër uljen e kostove të borxhit në tërësi. Në një kohë kur çmimet paraqiten disi të stabilizuara, Banka e Shqipërisë aplikoi uljen e kostos së parasë si një mënyrë për të çliruar konsumin në ekonomi, i cili ka rënë ndjeshëm dy vitet e fundit.”- citon artikulli i “Central Bank News”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›