E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza financiare, emigrantët rrallojnë ardhjet në Shqipëri

Kriza financiare që ka prekur gjithë botën po ndihet kudo. Shqiptarët kanë rralluar ardhjen në Shqipëri, ndërkohë që e njëjta situatë pritet të jetë edhe në festat e fundvitit. Kjo do të thotë më pak të ardhura për Shqipërinë dhe më shumë varfëri 

DURRES- Gjatë periudhës janar-tetor 2008 në portin e Durrësit kanë zbarkuar apo janë nisur më pak udhëtarë shqiptarë se vitin e kaluar. Shkak i numrit më të ulët të pasagjerëve mendohet të jetë kriza financiare që ka përfshirë vendet e rajonit.
Në 10 muaj në portin detar të Durrësit i cili është edhe më i madhi i vendit tonë kanë hyrë dhe kanë dalë me anë të trageteve rreth 395 mijë udhëtarë shqiptarë në një kohë që një vit më parë ky numër ishte 404 mijë. Numri i tyre është ulur me gati 10 mijë pasagjerë, tregojnë statistikat 10 mujore të portit. Ulja e numrit ka ardhur pas sezonit veror pikërisht në një kohë që kriza ekonomike e cila ka prekur rajonin është bërë më e ndjeshme. Një situatë e tillë pritet të reflektohet edhe në fund të këtij viti pasi priten më pak pushues me rastin e festave të cilat janë fare pranë.
Ndërkohë gjatë kësaj periudhe kanë hyrë dhe dalë 152 mijë autovetura dhe 38 mijë kamionë që sipas specialistëve të portit është një numër relativisht më i lartë se ai i një viti më parë.

Një numër i madh kamionësh vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuar pasi e kanë të pamundur të udhëtojnë drejt Italisë pasi nuk kanë leje qarkullimi italiane apso sic quhen ndryshe dizvolta. Ata janë në pritje të vitit të ardhshëm pasi autoritetet shtetërore italiane nuk kanë dhënë shenja për abrogimin e këtij ligji i cili ka vlerë për shoferët tanë, ata iranianë dhe sirianë.
Të njëjtin efekt ka edhe taksa për ton rrugë e cila penalizon me 500 deri 600 euro për kamion, kamionët tanë në raport me ato të vendeve të tjera.

(O.Zhupa/ BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›