Durrës, dorëzohet në polici 35 vjeçari, akuzohet për aksident
DURRES- Të enjten pasdite është vetëdorëzuar në komisariatin e policisë së Durrësit Astrit Memolla 35 vjeçar, banues në lagjen 15 Spitallë. Gjykata e Apelit të këtij qyteti ka vendosur ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij nga “arrest shtëpie” në “arrest me burg”, pasi akuzohet se ai është autori i një aksidenti me pasojë vdekjen e një të moshuari.
Ngjarja ka ndodhur në muajin qershor të këtij viti kur në një rrugë të Durrësit mbeti i vdekur në një aksident automobilistik 80 vjeçari, Maksut Qyra lindur në Gramsh e banues në lagjen 17 të Durrësit.
Autori i aksidentit u largua nga vendi i aksidentit. Ndërkohë nga hetimi janë hedhur dyshime se autor i kësaj ngjarje është Memolla, i cili ka pranuar vullnetarisht ti nënshtrohet vendimit të apelit dhe ta presë në burg ditën e gjykimit.
(O.Zh/ BalkanWeb)