Kriza financiare, krizë e mendjes
Sapo kaloi java katastrofike në bursat e mbarë botës. Çështja trajtohet në mënyra të ndryshme nga shtypi perëndimor. Është fryma pesimiste që mbizotëron. Preokupimi i madh i njerëzve, që i drejton ata drejt bankave, ka bërë që ato të luajnë rolin e një këshillimoreje psikologjike dhe punonjësit e tyre janë kthyer në këshilltarë psikologjikë. Duket se perceptohet mirë situata e rëndë, por, për sa iu përket shkaqeve, duket sikur sytë i janë drejtuar qiellit. Në shumicën e rasteve çështja konsiderohet sikur është e një natyre ciklike dhe parashikohet vetëm koha sa mund të zgjasë kriza. Duket, ndonjëherë, sikur shkaku i asaj që po ndodh janë marsianët apo pozicionimi i yjeve.
Vërtet është pranuar nga studiuesit e ekonomisë që pas çrregullsisë së dinamikës ekonomike ekziston një ligj natyror që rregullonte raportet ekonomike. Po ashtu, sipas Adam Smith, ekonomia drejtohet nga një ligj natyror, të cilin e quan dorë të padukshme dhe qeveria duhet të lejojë të veprojë lirshmërisht mekanizmin e kërkesës dhe ofertës të të mirave dhe të shërbimeve. Por kjo nuk do të thotë që njeriu nuk duhet të përpiqet të kuptojë se çfarë po ndodh.
Analiza kritike e përfaqësuesve të Shkollës së Frankfurtit mund të ndihmojë shumë për të kuptuar. Në Dialektiken e iluminizmit Adorno dhe Horkheimer analizojnë, dëshpërimisht lidhjet dhe ndikimet e ekonomisë tek arsyetimi njerëzor. Sipas tyre, arsyeja është bërë një shtesë e thjeshtë e aparatit ekonomik dhe ka një ndarje të mendimit nga eksperienca të ndërgjegjes për botën nga ndërgjegjja për veten.
Njeriu, me sa duket, nuk e ka aftësinë që të kuptojë kapacitetet e tij, se çfarë mund të bëjë dhe çfarë i takon të ketë për atë që mund të bëjë. Po ashtu dhe bankierët nuk po kuptojnë (ose nuk duan të kuptojnë) aftësitë e klientëve të tyre për të shlyer kreditë.
Me sa duket dhe instinkti i dyshimit, të cilin filozofia e ka konsideruar si nëna e dijes, është i bllokuar. Kalimi në çështje filozofike nuk është i përshtatshëm për botën e financës, por të paktën ajo duhet të jetë e familjarizuar me teorinë e probabilitetit. E gjithë kjo krizë ndodh për faktin se në parashikimet për suksesin e punës së debitorëve nuk llogaritet as barazimi, pa lëre pastaj humbja; pra bëhet fjalë për një lojë ekonomike, ku ashtu si në sport llogaritet vetëm fitorja. Nuk është e rastit që, paralelisht me krizën financiare, ofertat ndaj sportistëve janë ulur. Nga ana tjetër duhet gjetur forca për t’i rezistuar joshjes së reklamave të bankave që me ofertat e tyre mbysin sinjalistikën rrugore deri në çorientimin e drejtuesve të makinave. Të ofrojnë kredi për shtëpi, për mobilje, për perde, për pishinë, për të studiuar në universitete private, për pushime; por ndoshta jo të gjithë e dinë atë shprehjen (kërkoj falje për mosnjohjen e autorit) që thotë: Bankat të japin çadrën, kur është dielli dhe ta kërkojnë kur bie shi.
* Pedagog në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës