E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: LSI është forca kryesore opozitare

Nga L.Progni

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha dje se forca që drejton, është forca e parë opozitare. Deklarata e tij u bë gjatë Konferencës së Tretë të LRI së Tiranës. “LSI është bërë gjatë këtyre muajve shumë e fuqishme se më parë, sepse të gjithë shqiptarët që duan të jetojnë të lirë, që duan të jetojnë më dinjitet, që duan të kenë mundësi për të punuar dhe të kontribuar në vendin e tyre, për mirëqenien e tyre, të familjeve të tyre, të gjithë ata që nuk e durojnë këtë kastë të korruptuar mbështesin alternativën më parimore, më kurajozë dhe evropiane që ka Shqipëria, që është Lëvizja Socialiste për Integrim. Sepse, pavarësisht nga zgjedhjet e vitit 2005, pavarësisht nga raportet parlamentare është një fakt i pakundërshtueshëm në Tiranë, në Shqipëri dhe kudo, se që nga 21 prilli i këtij viti, që është dita e dytë e zezë në prill, pas 7 prillit të 1939, LSI është forca kryesore opozitare dhe shpresëdhënëse në Shqipëri tashmë, kundër pushtimit të një kaste gangsterësh”, - tha Meta.

Kryetari i LSI, duke iu referuar çështjes ‘Fazlliç’, tha se qeveria është kapur nga krimi. “Ndaj, jemi krenarë që askush në këtë lidhje nuk ka asnjë njohje me Fazlliçin. Nuk e njohim as në Shqipëri, as në Paris, as në Uashington dhe as në Sarajevë. Atë e njohin ata të kastës, e njohin ata që kanë futur tashmë në qeverisjen e vendit fenomenin e gangsterizmit, që nuk është gjë tjetër, por veçse ai i shfaqjes së Arturo Ui-ve të rinj dhe modernë, të atyre që kërcënojnë dhe shantazhojnë përfaqësuesit e popullit shqiptar që të mos hapin gojën, të atyre që shantazhojnë se mund të sjellin përfaqësues të krimit ballkanik në parlament, për t’i treguar vendin opozitës; të atyre që e ndryshuan Kushtetutën, siç e ndryshonte Arturo Ui i vërtetë, shumë dekada më parë. Sot, kemi një qeveri krejtësisht të pandjeshme dhe të papërgjegjshme. Një qeveri që nuk do t’ia dijë për ngritjen e çmimeve dhe për varfërinë katastrofike për shumicën e familjeve shqiptare. Kemi një qeveri, e cila nuk do t’ia dijë as për krizën që ndodh në Shtetet e Bashkuara dhe në vendet e zhvilluara, sepse në fund të fundit, ç’ndjeshmëri mund të kemi nga e njëjta qeveri, si ajo e piramidave që shkatërruan shtetin dhe ekonominë tonë 10 vjet më parë? Sot, dëgjojmë, jo vetëm nga përfaqësues të gjoja së djathtës, që nuk po e shohim gjëkund, por edhe nga ata që përfaqësojnë gjoja forca të majta, se vlerat e së majtës kanë marrë fund. Dhe, madje, kanë filluar të bëjnë kërkime përtej të majtës dhe përtej të djathtës, ndërsa ne iu themi se vlerat progresiste janë vendimtare për t’u orientuar drejt së ardhmes dhe drejt atyre programeve dhe politikave që zhvillojnë atë solidaritet të domosdoshme që lufton varfërinë. Dhe, të mos harrojmë se sot në Shqipëri 50 për qind e popullsisë jeton në këto nivele kritike”, - deklaroi Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›