E Shtunë, 31 Tetor 2026

Steinmeier, shqetësim për lirinë e medias në Shqipëri

Nga Tema

Zv/ kancelari dhe ministri i Jashtëm gjerman, si dhe kryetari interim i SPD, Frank-Walter Steinmeier, shprehu shqetësim për lirinë e medias në Shqipëri. Steinmeier pati një takim me drejtuesin e G-99, Erion Veliaj, ditën e djeshme në Potsdam të Gjermanisë. Takimi pasoi atë të Berishës dy ditë më parë. Në një njoftim të G99, theksohet se Veliaj informoi zv/kancelarin Steinmeier mbi synimin e opozitës shqiptare për të aplikuar për statusin e kandidatit, kur të marrin drejtimin e vendit në 2009.

“Shqipëria nuk mund të mbetet një enklavë jo-evropiane. Pas Maqedonisë e Kroacisë, statusi i kandidatit po bëhet realitet për Serbinë e Malin e Zi.

Qeveria e ardhshme nuk do të ketë komplekse inferioriteti ndaj fqinjëve dhe do të aplikojë menjëherë për statusin e kandidatit brenda 2009”, - tha Veliaj. Sipas kësaj zyre, Veliaj mori premtimin për angazhim nga ana e zv/kancelarit Steinmeier për

të rritur kuotat e bursave dhe vizave për studentët shqiptarë. “Sot, të gjithë trafikantët e kapur gëzojnë viza Schengen shumëvjeçare me disa hyrje-dalje, kurse një student ende ëndërron Perëndimin pas hekurave refuzuese të ambasadave, ju kërkoj të bëni më të mirën në fuqinë tuaj për ta ndryshuar këtë realitet”, - vijoi Veliaj.

Steinmeier kërkoi të informohej më tej për ecurinë e hetimeve mbi përfshirjen e qeverisë në tregtinë e armëve, si dhe shprehu shqetësim për lirinë e medias në Shqipëri pas gjobave që pasuan fushatën elektorale të filluar tashmë nga Berisha me spotet propagandistike. “Këto çështje përbëjnë shqetësim të vërtetë për vlerat evropiane, do t'i ngremë për diskutim në mbledhjen e radhës së ministrave të Jashtëm të BE”, - përfundoi Steinmeier. G99 ka dorëzuar tashmë një listë me shqetësimet dhe skandalet e ditëve të fundit, duke nënvizuar se imazhi i qeverisë ‘Berisha’ nuk është imazhi i Shqipërisë së vërtetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›