Skandali me tokat në Porto Romano: Argita, Basha dhe Fazlliç, pronarë edhe nëpërmjet “Rompetrol”-it
Skandali “Rompetrol” nisi fillimisht, kur në emisionin “Faktori Plus” u konstatua që Fazlliç ishte anëtar i vetëm i Bordit Mbikëqyrës të “Rompetrol Albania”. Më pas, të enjten, u verifikua skema e skandalit. Dy filialet e “Rompetrol”-it në Shqipëri kishin rreth 1 milion euro detyrime në shtet. Damir Fazlliç i udhëzon të falimentojnë dy filialet dhe të hapin dy të rejat.
Por, siç ka zbuluar gazetari i “Albania”-s, Habion Hasani, në numrin e djeshëm të gazetës “Albania”, te filiali i ri i hapur, “Rompetrol Albania” sh. a., rezulton që Fazlliç ka hyrë 40 për qind aksioner me firmën qipriote “Kelena L. T. D”. Fazlliç e përfaqëson atë firmë në Shqipëri, dhe ai tashmë i bie të ketë 40 për qind të tokës në Porto Romano, ku mendohet se ka dhe persona të tjerë të rëndësishëm, shumë të lidhur me kryeministrin Berisha.
Për të gjitha aktet noteriale sërish është përdorur Flutura Kola, bashkëpronarja në studio me Argita Berishën. Ajo ka bërë regjistrin e firmës “Rompetrol Albania” sh. a.
Si nisi historia e “Rompetrol Albania”
Në janar të vitit 2005, “Rompetrol Group NV” vendosi të blejë disa hektarë tokë në Porto Romano për të ndërtuar një impiant gjigant të depozitimit të naftës. Janari i 2005 ishte koha kur në Shqipëri Berisha kishte nisur përpjekjet për makiazh elektoral. Lulëzim Basha ishte thirrur nga Kosova, bashkë me disa të tjerë, për t’u vënë në dispozicion të PD në zgjedhjet që vinin. Pikërisht në atë kohë kompania holandeze, prej andej nga ku Basha ka shtëpinë, kishte një ide për të blerë tokë në Porto Romano. Ideja e investimit në Porto Romano u forcua shumë dhe u bë ide fikse për kryeministrin e ri, Sali Berisha, i cili erdhi në pushtet në shtator, 9 muaj pasi “Rompetrol NV” kishte vendosur të blinte tokë në Porto Romano.
Kështu, drejt Porto Romanos vërshoi gjithë kupola e pushtetit ‘Berisha’, Basha, Argita dhe Fazlliç. Në kohën që Basha ishte ministër i Transporteve, kunati i tij administronte kompaninë “Crown Acquisitions” të Fazlliçit. Ata kishin piketuar vendin ku do të blinin tokën. Siç rezulton më vonë nga dokumentet hipotekore, Fazlliç ka blerë disa hektarë tokë në Porto Romano në emër të kompanisë “Crown Acquisitions”. Kjo kompani rezulton ligjërisht e shitur tek “Altaria Research Limited” më 20 qershor të 2007, dhe ka regjistruar blerjen e tokës më 1 gusht 2007 (FAKSIMILE 1).
Administratore e kompanisë qipriote është avokatja Flutura Kola, bashkëpronare në studio me Argita Berishën. Fazlliç ngul këmbë që dhe kjo kompani është e tij. Nëse kjo është e vërtetë, ai duhet të arrestohet, sapo të zbresë në Shqipëri, për shkak të një mashtrimi financiar që ka bërë me shitjen fiktive në shumën 1,750 milionë euro. Po e vërteta reale është se pas studios “Kola & Associations” është thjesht Argita Berisha, bashkëpronare me Flutura Kolën.
Pra, dhjetëra hektarët e kompanisë “Crown Acquisitions” në Porto Romano janë një pjesë e problemit. Pjesa tjetër, ku implikohen dhe lobistët më të mëdhenj pranë Berishës, janë te kompania “Kelena LTD”, e cila përfaqësohet nga Damir Fazlliç, si aksionere 40 për qind e “Rompetrol”-it, të cilit i janë falur borxhet nga tatimet e Shqipërisë që të bëhej pronar Fazlliç. Firma “Rompetrol Albania” sh. a., u krijua si pasojë e bashkimit të aksioneve të “Rompetrol Group” NV me “Kelena” me seli në Limasol të Qipros. Sipas prokurës me Nr. 610, firma “Rompetrol Albania” do të përfaqësohej pikërisht nga “Rompetrol Group” NV me 60 për qind të aksioneve dhe “Kelena”, me 40 për qind të aksioneve (FAKSIMILE 2).
Pra, në Porto Romano deri tani kemi dy kompani që janë të njëjtët njerëz, “Crown Acquisitions”, me pronar “Altaria Research Limited” dhe “Rompetrol Albania” sh. a., me ortak “Kelena LTD” dhe “Rompetrol Grup NV”. Në të dyja rastet i përfshirë është Fazlliç dhe Kola e Malltezi. Emrat e lobistëve të tjerë pranë Berishës janë çështje kohe për t’u publikuar (FAKSIMILE 3).
Berisha për Parkun Energjitik të Porto Romanos
Kryeministri Berisha tha se ka një projekt real për ndërtimin e një TEC-i të madh prej 800 megavatësh, rreth 8 herë më i madh se TEC-i i Vlorës, dhe për ndërtimin e termocentraleve të tjera. “Porto Romano, - tha kryeministri, - do të jetë porti kryesor energjetik i Shqipërisë”. “Ne do të shkojmë edhe drejt TEC-eve më të mëdha, por nuk do ta ndërtojmë në breg”, - theksoi kryeministri, duke shtuar se Porto Romano nuk është i përshtatshëm për ndërtimin e centralit nuklear, por do të përzgjidhet me kujdes vendi, pasi duhen plotësuar disa kushte. Kryeministri theksoi se në Porto Romano nuk do të ketë central bërthamor, por do të ketë TEC-e me gaz, naftë dhe me qymyr.
Nxjerrë nga web i Këshillit të Ministrave