E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektligji: Kriteret për të qenë lektor në universitete

S’mund të japin mësim në ciklin e parë të studimeve, profesorët që nuk kanë të paktën titullin “Master të shkencave”

Rregulla të forta do të vendosen për të qenë pjesë e departamenteve dhe profesoratit në fakultetet e universiteteve publike. Nëse më parë, kriteret janë vendosur nga vetë institucioni dhe grupet përzgjedhëse për pedagogët, amendimet e ligjit të arsimit të lartë kërkojnë që me ligj të vendoset një kriter i ri. Sipas ndryshimeve kërkohet që lektorët, të cilët japin mësim në institucionet e arsimit të lartë publike, në ciklin e parë të studimeve, të kenë minimalisht titullin “Master shkencor”. Ndërkohë që për kurset apo ciklet e studimit parauniversitare, kërkohet që profesorët në këta “sektorë” të kenë të paktën titullin “Master”.

Projektligj

“Në kategorinë ‘lektorë’ janë anëtarët e personelit akademik që zhvillojnë veprimtari mësimore-kërkimore. Lektorët duhet të kenë të paktën diplomën master i shkencave ose ekuivalente me të dhe të përmbushin kriteret që përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Në kolegjet profesionale dhe në programet e studimeve jouniversitare, lektorët duhet të kenë diploma master sipas përcaktimit të nenit 26 të këtij ligji”, thuhet në projektligjin për disa ndryshime në ligjin e arsimit të lartë. Ndërkohë që po sipas këtij projektligji, përcaktohen edhe mundësitë e punësimit, sipas nevojave të institucionit.

“Autoritetet drejtuese të njësive kryesore me propozimin e përgjegjësve të njësisë bazë dhe të titullarit të grupit mësimor kërkimor, për të plotësuar nevojat e institucionit punësojnë personel akademik me kohë të plotë për veprimtari mësimore e kërkimore, për periudha semestrale ose njëvjeçare të përsëritshme, sipas kërkesave të vendit të punës. Modalitetet e pulsimit përcaktohen në statutin e institucioneve të arsimit të lartë”, thuhet në projektligj.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›