Britani/ Konservatorët fitojnë zgjedhjet, por nuk arrijnë shumicën
Një fitore e përgjysmuar deri më tani mund të cilësohet epërsia e arritur nga numërimi i votave për partinë e opozitarit David Cameroun në Britaninë e Madhe. Pavarëissht kryesimit të Konservatorëve në këtë garë dhe fitores së më shumë vendeve në parlament, ata nuk kanë siguruar ende shumicën. Në dy të tretat e numërimit, Partia Konservatore ka siguruar 221 deputetë , ndërsa pasohet nga Laburistët me 167 vende dhe nga Liberal Demokratët me 36 vende në parlament. Deri më tani, Konservatorët e David Kamerun, renditen si partia e parë në Britani, duke sfiduar në këtë garë, laburistët e Gordon Broënit. Lideri i Partisë Konservatore, tha se është e qartë se Laburistët kanë humbur mandatin për të qeverisur vendin. Pritet që konservatorët të fitojnë 305 vende në parlamentin me 650 vende, ku 326 përbëjnë shumicën absolute. Partia Laburiste e kryeministrit Gordon Brown pritet të fitojë 255 vende dhe liberal-demokratët 59 vende. Fitorja e konservatorëve do t'i jepte fund pushtetit 13 vjeçar të Partisë Laburiste. Disa analistë kanë frikë se një rezultat jo i qartë nga zgjedhjet mund të shkaktojë vonesa në marrjen e masave lidhur me deficitin dhe të dëmtojë përpjekjet e rimëkëmbjes ekonomike. Nëse nuk arrihet të sigurohet shumica e nevojshme, atëherë një situatë e tillë do të çonte drejt një qeverie të koalicionit për herë të parë prej vitit 1974. Më herët një sondazh i kryer afër vendvotimeve nga transmetuesit kryesorë, BBC, Sky dhe ITV në Britani sugjeronte se konservatorët do të fitojnë, por pa shumicë të mjaftueshme. Mediat raportojnë se një ditë më parë, në zgjedhjet e përgjithshme në vend, disa zgjedhës nuk kanë mundur të votojnë në disa pjesë të vendit për shkak të rradhave të gjata në momentet kur qendrat e votimit po mbylleshin në orën 22:00 të mbrëmjes apo në orën 23:00 sipas orës sonë.