E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza greke, borxhi i qeverisë dhe roli i BSH-së

Ervin Koçi / Deputet

Sot diskutimi për stabilitetin e sistemit bankar është shumë sensibël dhe duhet trajtuar me kujdes për të mos krijuar panik te qytetarët, por në të njëjtën kohë, opinionet dhe analiza duhet të jenë reale që të ndërmerren masa dhe veprime konkrete për tu përballur me sfidat që ofron problematika e sistemit bankar. Banka e Shqipërisë, sigurinë e sistemit bankar e ka mbështetur në dy shifra pozitive; raporti i kredive kundrejt depozitave që është 63% dhe raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit, i cili është në nivelin 15.9%, që realisht janë tregues të mirë. Greqia deri dje e kishte sistemin bankar ndër më atraktivët në Evropë, por ishte ekonomia e vendit, keq-qeverisja në vite, borxhi publik i lartë, shifrat zyrtare të falsifikuara, simptoma që i ka dhe vendi ynë sot, që shkatërroi jo vetëm ekonominë, por dhe sistemin bankar. Analiza e sistemit bankar nuk mund të jetë e ndarë nga niveli i borxhit të keq, i cili është më i larti në rajon. Spanja e ka borxhin publik ndër më të ulëtit në vendet e eurozonës, por po merr ndihmë 100 miliardë euro për sektorin bankar.
Që nesër të mos jemi në të njëjtat situata si Greqia e Spanja, qeveria dhe BSh duhet të jenë me këmbë në tokë dhe jo të vazhdojnë me demagogji, nga përrallat e kryeministrit se jemi në parajsë ekonomike, te euforia e guvernatorit për parajsa bankare, sa që të dy kanë arritur deri atje, sa deklarojnë se shembullin e tyre po e çojnë në perëndim. BSh duhet të jetë më koherente dhe dinamike në politikën e saj monetare, të zhvillojë analiza objektive për situatën ekonomike në vend, për të orientuar politikat ekonomike të qeverisë, të ofrojë politika lehtësuese për bankat  e nivelit të dytë dhe klientët, e të jetë më transparente. BSh-ja ka dështuar në politikën e saj monetare, deri tani ka qenë inefiçiente dhe joadekuate. Ulja disa herë e normës bazë të interesit, si  instrument bazë i politikës monetare, është bërë me vonesë dhe nuk ka dhënë asnjë efekt real në ekonomi. Ajo nuk ka ndikuar në rritjen e konsumit dhe të kreditimit të ekonomisë, përkundrazi në muajt e fundit këto tregues janë përkeqësuar.
BSh duhet të bëj transparencën për aktivitetin financiar të bankave të nivelit të dytë, ku çdo qytetar duhet të ketë informacion  për borxhin e keq të çdo banke, sasinë e depozitave e të kredive si dhe mbi ecurinë financiare të tyre. BSh duhet të bëjë më shumë për të ndihmuar bankat e nivelit të dytë, pasi po hasin probleme konkrete në ekzekutimin e kolateraleve për kreditë e pashlyera, pengesa që vijnë nga ZRPP dhe gjykatat për procedurat e sekuestrimit të kolateraleve për kreditë pa asnjë shpresë arkëtimi.

Ajo duhet të ndërhyjë dhe të ushtrojë presion te qeveria për të  shlyer detyrimet që ka ndaj biznesit për punët e kryera, sot flitet për miliona euro borxh, ose sa 15% e gjithë borxhit të keq në sistemin bankar. Ky borxh qeveritar ka krijuar një efekt zinxhir të moslikuidimeve dhe hallka që e vuan janë bankat. BSh duhet të stimulojë bankat e nivelit të dytë për të lehtësuar procedurat për kredidhënien, sidomos ndaj bizneseve, pasi sot po lulëzon tregu i fajdeve, që nesër mund të kthehet në një gropë për ekonominë e vendit. Qeveria dhe BSh duhet të marrin masat e nevojshme për të garantuar të ardhmen e sigurt për financat e bankave dhe ato publike. Nesër do të jetë vonë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›