E Shtunë, 31 Tetor 2026

Loja e Metës në zgjedhjen e Presidentit

Pëllumb Xhufi

Nëse i referohem një pamjeje televizive nga takimi i fundit të krerëve të partive parlamentare, për ditë të diel, më duhet të them që sjellja e z. Meta ishte një sjellje prej gaztori. Besoj se ju kujtohet se si zgërdhihej përpara kamerave, si për të treguar se ai është aq i madh, aq i rëndë, saqë përpara madhështisë së tij edhe ky akt solemn i zgjedhjes së kreut të shtetit shqiptar nuk meriton të trajtohet veçse si një komedi groteske. Sigurisht, z. Meta nuk është i vetmi ndër politikanët tanë që tallen me figurën e Presidentit të Republikës. Por ai është më konsistenti. Me të njëjtin cinizëm ai i ka përdhosur zgjedhjet presidenciale edhe në 2002, edhe në 2007, kur ndjehej gjigant duke prodhuar presidentë pambarim, nga një në çdo orë. Kjo sjellje prej gaztori me postin e Presidentit ka rrëzuar në mënyrë të parikuperueshme mitin e z. Meta si një burrë shteti i përgjegjshëm, mbi të cilin mit u mbështet edhe karriera e shpejtë e tij politike. Dhe me këtë, ka mbaruar edhe politikani Meta, i cili nuk kishte çti ofronte tjetër politikës shqiptare. Loja me president i ka interesuar Metës si një rast për të bërë diversion tek kundërshtarët e për ti hutuar ata me breshërinë e kandidaturave të tij. Pamja e politikanëve dhe e gazetarëve të hutuar, që rendin pas emrave të breshëruar nga ai vetë, shkakton një kënaqësi të çuditshme, patologjike tek ai. Por kjo është vetëm njëra anë, më e dukshmja dhe më e shëmtuara e qasjes presidenciale të z. Meta. Në një tjetër vështrim, Z. Meta ka dashur ta kthejë çdo rast të zgjedhjes së presidentit në një moment për faktorizimin e vet, gjithnjë në funksion të realizimit të ëndrrës së vet kryeministrore. Nëse do ti ofrohej të zgjidhte midis një mandati një vjeçar kryeministror dhe një mandati të përjetshëm presidencial, ai pa dyshim do zgjidhte të parin. Çështje pragmatizmi. Gjithsesi, kësaj radhe, qasja e tij ndaj procesit të zgjedhjes së presidentit të ardhshëm ka qenë më përfshirëse e më komplekse.

U mundua, sigurisht, të ndërtojë profilin e një integruesi, të një ndërtuesi të konsensusit për një president, që do të favorizonte marrjen e statusit kandidat, pra të zgjedhur bashkarisht nga qeveria dhe opozita. Por kjo qe një lojë, sa për të tërhequr opozitën në një proces fiktiv. Pas dështimit të tentativës së parë, z. Meta u tërhoq menjëherë në folenë e tij, dmth. të Berishës, i cili gjithsesi, i la mundësinë që të vazhdonte të ushtronte sportin e preferuar të propozimit të kandidaturave presidenciale. Këtu vlen të bëhet një konstatim tjetër. Kandidaturat e sjellura prej tij nuk duken të jenë pa lidhje me problematikat e tij personale. Z. Meta është përfolur fort për rolin e tij në gatimin e marrëveshjes së ndarjes së detit me Greqinë, për afera të rënda korruptive, për lidhje afariste, e jo vetëm, me mjedise të dyshimta sllavoserbe. Në këtë vështrim, kandidaturat e prodhuara apo të mbështetura prej tij, janë persona që për profilin që kanë dhe aktivitetin profesional të tyre, me siguri kanë dijeni për çështjet në fjalë.

Ashtu siç duhet të ketë, në cilësinë e Ministrit të Brendshëm e të ish-Ministrit të Drejtësisë, edhe presidenti i ri, z. Nishani, të cilin gjithashtu z. Meta e mbështeti fort, pa çka se shkelte mbi deklaratat solemne të tij, se nuk do të votonte një president politik e shprehje ekskluzive të shumicës. Pra, z. Meta u gajas së rishmi. Pas këtij kopilllëku të ri të tij, midis shumë rebuseve të tjerë të politikës shqiptare, mbetet për tu parë edhe cili do të jetë në të ardhmen raporti i z. Meta me shqiptarët, me opozitën dhe me partnerët ndërkombëtarë. Do të ishte një tregues shumë i vlefshëm edhe për të matur nivelin e budallallëkut të të mashtruarve të radhës.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›