Dëbora izolon zona të tëra, trashësia 45 cm
KUKËS - Reshjet e dendura të dëborës vijojnë të mbajnë të izoluara mjaft komuna të Qarkut Kukës. Dita e premte ka shtuar numrin e tyre, si rezultat i rënies së reshjeve edhe gjatë natës së të enjtes. Mjaft rrugë mbeten shumë të vështira për t'u përshkuar dhe shumë zona pa energji elektrike.
Rënia e dëborës me intensitet të lartë dhe mosndërprerja e
Kukës - Reshjet e dendura të dëborës vijojnë të mbajnë të izoluara mjaft komuna të Qarkut Kukës. Dita e premte ka shtuar numrin e tyre, si rezultat i rënies së reshjeve edhe gjatë natës së të enjtes. Mjaft rrugë mbeten shumë të vështira për t’u përshkuar dhe shumë zona pa energji elektrike.
Rënia e dëborës me intensitet të lartë dhe mosndërprerja e saj ka shtuar gjatë ditës së sotme numrin e komunave, të cilat mbeten të izoluara dhe nuk komunikojnë fare me Kukësin. Ndryshe nga sa raportohet nga institucionet shtetërore, Bushtrica, Kalisi, Arrni, Shishtaveci, Topojani, Zapodi, Grykë-çaja, Surroi, Lekbibaj, Margegaj e Xhinaj janë të bllokuara dhe akoma borëpastrueset nuk kanë mundur të hapin akset rrugore. Gjatë natës së shkuar, i gjithë rajoni i verilindjes u përfshi nga reshjet e dëborës dhe nga temperatura të ulëta. Në qytetin e Kukësit trashësia e dëborës shkon nga 15 deri në 20 cm, ndërsa në zonat malore deri në 45 cm. Drejtuesit e rrugëve vëmendje të posaçme po i kushtojnë aksit kombëtar të rrugës Kukës-Tiranë, për ta mbajtur në funksion të plotë dhe për të shmangur aksidentet e mundshme. Në këtë aks, në segmentet problematike të Kalimashit, Shënmrisë dhe Qafë-Shllakut po punojnë tre borëpastruese, si dhe po hidhet kripë dhe skorie. Drejtori i rrugëve, Rushit Gashi, ka deklaruar se atje dëbora është shumë e madhe dhe se po punohet për largimin apo hedhjen e kripës dhe skories prej dy ditësh me radhë. Sa u takon akseve të tjera Kukës-Krumë dhe Krumë-Qafë-Prush mbeten të kalueshme. Ndërsa akset Kukës-Bushtricë, Kukës-Peshkopi, Kukës-Shishtavec, Kukës-Arrën janë pothuajse të pakalueshme. Sipas banorëve të këtyre zonave, atje gjithçka mbretërohet nga dëbora, e cila ka arritur deri në 45 cm dhe ende borëpastrueset nuk kanë shkuar për të larguar borën. Një banor i komunës Shishtavec thotë për “Korrierin”, se rruga nuk është e hapur dhe se nuk është e vërtetë që kjo zonë komunikon me zonat e tjera. “Sot jam ngritur që herët për të udhëtuar drejt Kukësit, por kur kam mbërritur në qendër të komunës, që ndodhet një orë larg fshatit tim, kam parë se ajo nuk lidhej fare me rrugën. Dëbora këtu ka arritur në 45 cm dhe është shumë e vështirë që të hapet rruga”, shprehet ai. Këtë fakt e ka pohuar edhe vetë kryekomunari, i cili ka deklaruar se sot vetëm makina e tij, që është e madhe, ka ardhur nga Shishtaveci. “Vetëm makina ime ka mundur të çajë dëborën dhe rruga është keq fare. Makinat e tjera që deshën të vinin në Kukës, janë kthyer mbrapsht dhe fshatarët gjithashtu. Bora atje është shumë e madhe”, shprehet kështu Dylejman Nela. Ndërsa një banor i komunës Bushtricë, Fatmir Tota, ka deklaruar se fshatrat nuk lidhen as me qendrën e komunës, për shkak të dëborës së madhe. “Jam në fshatin Gjegje dhe këtu dëbora ka arritur në 45 cm. Dje ka pasur rreth 30 cm dëborë, por me reshjet e mbrëmshme ato shkuan në 45 cm. Temperaturat janë shumë të ulëta dhe ne nuk lëvizim dot nga këtu, pasi rrugët janë të izoluara nga dëbora. As në qendrën e komunës nuk mund të shkojmë”, shprehet kështu Fatmiri, banor i komunës Bushtricë. E njëjta situatë është edhe në komunat e tjera, të cilat fatmirësisht nuk kanë pasur probleme në drejtim të emergjencave shëndetësore, pasi po të ndodhte një gjë e tillë ata do rrezikonin jetën e tyre. Policia Rrugore ndërkohë po monitoron me kujdes qarkullimin e mjeteve, duke mos lejuar udhëtimin e tyre pa pajisje dimërore apo pengimin e automjeteve të tonazhit të rëndë për t’u futur në aksin kombëtar. Ali Elezi, kryepolic i Kukësit, ka deklaruar se veç masave të marra, janë ndëshkuar edhe me masa administrative të gjithë ata drejtues automjetesh, të cilët kanë tentuar të lëvizin nëpër rrugë pa zinxhirë. Ndërsa prefekti i Kukësit, Elez Maçi, i cili është edhe drejtues i shtabit të emergjencës, tha se po synohet të pastrohet dëbora edhe në zonat e thella, të cilat janë mjaft të vështira. “Kemi kontaktuar me firmat “Marsi”, “Alb-Shpresa” dhe “Geci” dhe u kemi dhënë detyrë pastrimin e menjëhershëm të të gjithë akseve që janë të bllokuar. Ata po bashkëpunojnë edhe me Drejtorinë e Rrugëve dhe shpresojmë që puna të ecë e në këtë mënyrë të zhbllokojmë edhe fshatrat apo komunat e izoluara”, shprehet kështu kryetari i shtabit të emergjencave në Prefekturën e Kukësit. Edhe gjatë ditës së djeshme kufizimet e energjisë kanë qenë të shpeshta në zonat e thella, por edhe ato fushore.