Kriza jonë në Përshëndetje!
Ka disa fjalë që vitet e fundit më vijnë të vështira në shqip. Jo, jo: jo fjalët e pisëta, se ato, me kalimin e kohës, më lehtësohen e më lehtësojnë duke u funksionalizuar natyrshëm në mënyra komplekse e të paparashikuara. Ka disa fjalë të tjera që më gërvishtin, kryesisht se shprehin impostimin social të përdoruesit me synim pretendimin e statusit elitar. Një fjalë (a fjalë-fjali) gërvishtëse konsideroj shprehjen pasthirrmore Përshëndetje! që së fundmi po shumëfishon shpejt frekuencën. Mesazhe të shkruara nga yuppies shqiptarë, shpesh nisin me këtë fjalë, sidomos prej grupit të të rinjve akademikë, gazetarë, anëtarë të shoqërisë civile apo politikanë, ose të atyre që mëtojnë këtë status. Mbaj mend që përdorej, sido që më pak se sot, edhe në kohë të socializmit; dhe kuptimi qe i ngjashëm. Sot përdoret për të informuar të adresuarin për disa elemente diskursive që më tej formësojnë gjithë komunikimin: 1.Se ka një distancë mes nesh, dhe mesazhi që ndjek nuk duhet marrë si informal, por i duhet dhënë rëndësia e kërkuar nga vetë distanca. 2. Që unë po sillem me respektin e domosdoshëm, por pozita ime është, në mos superiore, e barabartë me tënden. Jo po ta dish! 3. Që unë që po të shkruaj nuk jam lëng groshe, por me një lloj statusi fuqie, që më rrjedh nga një status edukimi dhe edukate elitare. 4. Që jam indiferent e i ftohtë ndaj teje, e personalisht nuk më digjet fort se si e merr ti këtë mesazh, por është më mirë për ty që ta marrësh ashtu si duhet. Më tej, mund të radhisja edhe plot inferenca të tjera që vijnë nga llafi i shkretë, lidhur me të shkuarën e të tashmen e personit, moshën, si dhe detaje lidhur me jetën e tij, por këto janë më subjektive. Me këtë lloj njeriu, sido që më ka qëlluar të komunikoj, unë nuk kam fort dëshirë të këmbej gjësend. Më duket se jemi qenie planetesh të ndryshme, me realitete dhe ëndrra fare pa lidhje. Dhe, sido që të gjithë impostohemi në një farë mase kur komunikojmë, këta tipat e Përshëndetje! impostohen për të përgatitur e zbukuruar për shitje bythën e vet. Gjë që në vetvete ma vulgarizon komunikimin. (Kjo lidhet me zbukurimin dhe jo me bythën.)
Kur është thënë përshëndetje natyrshëm në shqip? Asnjëherë. Më afër natyrshmërisë dhe funksionalizimit, ka qenë përdorimi i saj në vitet e socializmit gjatë fushatave militante apo të ekzaltimit politik të turmës, si thirrje e udhëheqësit të një forumi ndaj pjesëtarëve të tjerë në të, apo masave. Por tamam ky asociim, do ta bënte edhe më absurde ringjalljen e termit sot. Mendoj se rikthimi i saj sot, në rastin më të mirë, synon mbylljen sociale të elitës së re, rëndom arrogante, dhe ka vetëm një shpjegim diskursiv: atë të emetimit të diskursit elitar kondesendues (përfillës/denjues) nga ana e përdoruesve, që më pas përforcohet si pasojë e normalizimit të saj kulturor, nga vetë ata në kurriz të të cilëve fjala përdoret. Lidhja e saj diskursive brenda kllapave institucionale të së kaluarës, mund të jetë po ashtu e pranishme, por kjo duhet studiuar me një korpus më të madh të dhënash, që të sigurohemi. Përshëndetje! ka qenë gjithnjë ndër ato fjalë që nuk ka pasur mish e gjak që të gjallojë natyrshëm në shqip e të ngjisë variueshëm në shprehje e shprehi gjatë përdorimit. Ka mbetur e tkurrur dhe sakate në territorin hyrës në letra apo mesazhe elektronike, duke mëtuar thuajse me forcë, pozitën e salutimit/përshëndetjes më të përgjithshme formale e distante në korrespondencën e shkruar. Është po ai mjerim dhe krizë që përjetojnë përdoruesit e saj si grup dhe individualisht në mbretërinë e të pandërgjegjshmes.
E hasa prapë Përshëndetje! në videoklipin e fundit të Komisionit Europian për thyerjen e klisheve negative dhe stigmës ndaj Turqisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndiomor. Ishte fjala që Shqipëria u drejtonte skeptikëve të botës së parë apo edhe botëve të tjera, thënë prej një vajze të vogël bukuroshe. Përshëndetje! në këtë spot televiziv, është një shartim pa fat, i kuptimit performativ të panatyrizuar të fjalës si në Salutime prej Shqipërie, dhe atij që unë shpjegova më sipër. Në të dy rastet, krejt të panatyrshme në gojën e së voglës.
Shqipja, si çdo gjuhë tjetër, ndryshon dhe sigurisht që fjalët ekzistuese mund të zgjerojnë apo ngushtojnë e ndryshojnë kuptimet e veta. Kjo prirje bëhet edhe më e fuqishme në rastin e shqipes së sotme që duhet me shpejtësi të mbulojë në kohë e hapësirë nevojat e zhvillimeve stilistikore, regjistrore, të formulave e klisheve, që janë të domosdoshme në komunikimin special të fushave e nën-fushave të boomit komunikativ të pas-socializmit. Por në këtë yrysh të shtrënguar nga rrethanat, duhet të kemi kujdes mos nxjerrim sytë në vend që të vemë vetulla. Emri fjali pasthirrmë Përshëndetje! në këtë çast nuk shërben në gjuhë si aktivizues diskursesh miqësore integruese e pozitive të barazisë, drejtësisë dhe përfshirjes shoqërore, por për të kundërtën. Nuk ka aspak këtë vlerë, fjalavjen, përdorimi foljor i po kësaj shprehjeje me kuptim përshkrues, si në rastet: E përshëndeti njerëzishëm/hundë e buzë.; Mos harro të përshëndesësh kur të hysh në dhomë! etj. Por në kuptimin performativ, si në Të/Ju përshëndes!, edhe folja i rimerr konotacionet përshkruar më sipër të emrit përshëndetje, sido që jo me të njëjtin agresivitet në afirmimin e ideologjive zyrtare që bart ky përdorim. Madje në këtë kuptim performativ, duket se folja është përdorur (fjalëformuar) në kohë, pas emrit, dhe jo para tij, siç do pritej. Përdorimi performativ pasthirrmor i emrit, madje as nuk është përfshirë në Fjalorin e Shqipes së Sotme të Toena-s 2002, gjë që përforcon më tej mos-hasjen natyrshëm të këtij përdorimi ndër shqipfolësit e zakonshëm e që nuk i takojnë grupit dominues të njeriut të ri.
Por çfarë duhet të përdorin shqiptarët si shprehje hyrëse kur i drejtohen një njeriu me të cilin nuk kanë lidhje afërsie dhe as informaliteti? Personalisht parapëlqej e dashur/i dashur që më duket se ndërton një diskurs përfshirës në vend të atij përjashtues, një urë lidhëse mes adresimit të miqve më të afërt dhe atyre që nuk janë miq aktivë, por që ska arsye pse të mos shihen në mënyrë miqësore dhe jodistancuese. Normalizimi dhe homogjenizimi i kësaj shprehjeje, ka edhe të mirën që lejon natyrshëm emërtimin direkt të të adresuarit menjëherë pas saj, duke krijuar një tjetër element pozitiv e lidhje-ndërtues në diskurs, atë të konfirmimit të të adresuarit nëpërmjet përmendjes apo njohjes (acknoëledgment); si, bie fjala, në E dashur Eda apo I dashur Profesor Shabani (dhe, mos më thoni, ju lutem, që emri i përveçëm duhej të qe i pashquar këtu). Por, për folës që ende e shohin këtë shprehje si tepër avancuese, personale ose emocionale (pra, joformale e jozyrtare), mund të përdoreshin fare mirë shprehje të natyrshme përshëndetëse si Mirëdita!/Mirëmëngjes! etj. Madje do sugjeroja si funksionale, edhe fjalë me kuptime të ngjashme por të pandotura si: të përshëndosh apo të përfalem. Mendoj se edhe shprehja Tungjatjeta, sido që e panatyralizuar në komunikimin ndërpersonal në këtë formë të gjatë, do ishte një tjetër zëvendësuese e mirë e Përshëndetje!. Format e saj Tung! me origjinë kosovare, si eko e transformuar (pas një udhë
