Sikur familja e Hekuran Dedës ta kishte pranuar Berishën?
Prefekti i Dibrës po përfshihet në një betejë të sikletshme për ti hequr titullin Qytetar Nderi njërit prej katër të vrarëve në demonstratën e 21 Janarit. Presioni mbi të duhet të ketë qenë ekstrem, derisa ai po përpiqet të gjejë arsye teknike të ngjashme me arsyet që gjente drejtori i policisë së shtetit në urdhër- arrestet e gjashtë gardistëve për të mos i arrestuar ata.
Debati pason një dëshmi tronditëse të tre anëtarëve të familjes së Hekuran Dedës, të cilët kanë dëshmuar për medien se një oficer i Gardës që shërben pranë familjes Berisha u ka shkuar në shtëpi pas vrasjes dhe u ka ofruar para dhe privilegje në shkëmbim të pritjes së Sali Berishës në shtëpinë e tyre. Familjarët kanë refuzuar ofertën me dinjitet dhe e kanë denoncuar atë publikisht.
Debati që u hap pas këtij skandali ishte nëse i dërguari në familjen e të vrarit kishte shkuar nga zelli i tepërt i tij apo e kishte dërguar vetë Sali Berisha. Kishte argumente për të dyja. Gjesti i tanishëm tregon se njeriu i dërguar në shtëpinë e Hekuran Dedës është nisur personalisht nga Sali Berisha. Nëse Sali Berisha nuk do ta kishte dërguar vetë lajmësin tek shtëpia e Hekuran Dedës, nuk do ta përjetonte kaq keq refuzimin e tij për ta pritur në shtëpi dhe nuk do merrej më tej me nderimet që iu bënë atij nga opozita. Fakti që Berisha ka vënë në siklet prefektin e Dibrës dhe po e fut dhe atë në një spirale armiqësie me një familje, të cilës i kanë vrarë djalin politikisht, tregon se inati i verbër i Berishës ndaj refuzimit në shtëpinë e Hekuran Dedës është ende shumë i fortë. Kjo shfajëson në një farë mënyre gjestin e badigardit të tij nga pikëpamja personale dhe e kthen këtë në një gjest të urdhëruar politik nga Sali Berisha. Prefekti i Dibrës, një ish- deputet i Berishës, është një nëpunës direkt i tij, i cili nuk bën asgjë pa u konsultuar me kryeministrin. Fakti që ai ka hyrë në një betejë të shëmtuar për të çuar deri në fund hakmarrjen e Berishës ndaj këtij qytetari, tregon përfshirjen e thellë të Berishës jo vetëm në vdekjen e këtij qytetari, por dhe në poshtërimin e tij pas vdekjes.
Pyetja që shtrohet tani është se si do të sillej Sali Berisha nëse familja e Hekuran Dedës do të kishte pranuar ofertën e Sali Berishës? Nëse dy vëllezërit dhe babai i tij do të pranonin paret dhe vizitën e Sali Berishës në shtëpi, sot prefekti i Dibrës nuk do ishte në këtë hall që është. Përkundrazi ai do të vraponte ti jepte ndonjë titull nderi me të lartë Hekuran Dedës dhe natyrisht do vlerësonte atë si qytetar aktiv duke fajësuar opozitën që e përdori atë.
Urrejtja e verbër e Sali Berishës, i cili nuk duron dot që atë të cilin ai e vrau mbi tavolinën e gazetarëve, ta shikojë tashmë si një qytetar të nderuar të Shqipërisë është rasti kur armiqtë e tij janë heronj të Shqipërisë dhe ai nuk e përballon dot këtë. Një tjetër aspekt i shëmtuar i kësaj vrasjeje është se ai është vrarë në tavolinën e gazetarëve. Hapja zjarr mbi gazetarët që filmonin ngjarjen, është një nga gjërat më të shëmtuara që ndonjë regjim ka bërë në ngjarje të tilla. Vetëm Sali Berisha dhe Bashari i Sirisë ka qëlluar mbi vendndodhjen e gazetarëve në një konflikt mes policisë dhe qytetarëve. Por Berisha ka shkuar dhe më tej se Bashari. Ai i ka anatemuar të dy viktimat e sulmit të pabesë mbi gazetarët. Fatos Mahmutajn e kërcënoi publikisht qysh në orën 19:30 të datës 21 janar në daljen e parë për gazetarët duke theksuar se ai mashtroi, pasi nuk e zuri plumbi, kurse viktimën tjetër, Hekuran Dedën po vazhdon ta poshtërojë dhe pas vdekjes në përpjekje për ta ndalur nderimin qytetar për të.
E gjithë kjo pasi Berisha më shumë se në çdo ngjarje tjetër kriminale në historinë e këtyre 20 viteve është i përfshirë personalisht në ngjarjen e 21 Janarit, duke diktuar zhvillimin e ngjarjes dhe duke urdhëruar me qetësi vrasjen e qytetarëve. Eshtë kjo arsyeja që ai vazhdon të bëjë betejë me ta dhe pasi kanë vdekur, duke mbrojtur vrasësit e tyre, duke poshtëruar gjykatat që të detyrohen të mos hedhin hekurat mbi të vetmin vrasës të provuar, dhe duke ndaluar me dhunë nderimin qytetar për këto viktima. E ka kot. Beteja me të rënët nuk fitohet kurrë. Ata kanë dorëzuar atë çfarë Berisha kërkon të shpëtojë, kanë dorëzuar shpirtin e tyre, dhe çdo betejë me ta është e pabarabartë. Derisa sa dhe gjurmuesi i vdekjes së tyre të japë shpirt.
