Rinia bashkautore e Programit të PS
Do doja ta vazhdoja këtë bisedë duke e filluar me një pyetje dhe pyetja është: Ku është rinia sot?
Në qoftë se i përgjigjemi drejt kësaj pyetje do ti japim, me siguri, drejt edhe përgjigjet për të nesërmen: Ku duhet të jetë rinia nesër. Rinia sot është e çoroditur, papunësia rinore është pjesa më e thellë e plagës së papunësisë në tërësi. Ndër 1 milionë të papunë shumica dërmuese janë të reja dhe të rinj. Universitetet janë kthyer në streha vorfënore të mjerimit akademik. Mbushur plotë e përplot me të reja dhe të rinj, që qeveria i drejton masivisht, duke i shtyrë brenda në dyert e universiteteve, për të mos u përballur me papunësinë rinore. Politika e qeverisë për universitetin, kjo politikë, e shqyerjes së dyerve të universiteteve dhe e shtyrjes së të rinjve thuajse forcërisht, në pamundësi të çdo alternative tjetër brenda në universitet, është një minë me sahat që shpërthen në duart e çdo të riu me të dalë nga universiteti në rrugën e papunësisë. Çdo vit kjo minë sakaton me dhjetëra mijëra të rinj, që e mbarojnë formalisht universitetin, pa mbaruar praktikisht një cikël të besueshëm formimi universitar.
Financimet në sistemin publik mungojnë.
Kushte normale të jetës universitare në fakultetet publike mungojnë.
Motivimi i trupës pedagogjike nëpër universitet publike mungon.
Universiteti publik është katandisur në një zgafellë përvit e më të errët, ku luhet farsa rrënqethëse e rritjes së përvitshme të numrit të studentëve dhe rënies së përvitshme të cilësisë së shkollimit në universitete. Zgjedhjet në universitet skanë të bëjnë asgjëkundi as me autonominë e universitetit, as me çuarjen përpara të universitetit. Por me mbajtjen me pahir të një statukuoje rrënuese në funksion të një politike rrënuese, të një qeverie që po e rrënon vendin dhe sigurisht të ardhmen e afërt të të rinjve. Universitetet private, nga ana tjetër, shtohen përvit, por jashtë çdo lloj kriteri dhe vetëm mbi bazën e parasë dhe të klientelizmit, që ushqehet nga pushteti shpërdorues i qeverisë. Reforma më e fundit që propozohet, për financimin e universiteteve ku është vendosur hapur shenja e barazimit mes publikut e privatit në shpërndarjen e fondeve publike, për të favorizuar padrejtësisht këtë të fundit, pra privatin, është në fakt, heqja e gurit të fundit të themelit në sistemin universitar shqiptar. Paskëtaj vjen vetëm shthurja e pandalshme e sistemit, sanksionimi i padrejtësisë në administrimin e fondeve publike për sistemin tonë universitar; çimentimi i korrupsionit dhe i klientelizmit partiak mu në zemër të këtij sistemi, në funksion të mbajtjes me çdo kusht dhe me çdo mjet të pushtetit.
Por, çorodia fillon më poshtë akoma, aty ku sistemi para universitar është kthyer i tëri në sistem punësimi dhe promovimi për shërbëtorët e partive të qeverisë në rolin e mësuesve apo të drejtorëve të mësuesve. Ndërsa vlerësimi i nxënësve sipas meritës ia ka lënë vendin një çorganizimi të organizuar me kriter themelor stimulimin e besnikërisë ndaj pushtetit. Shpëlarja e truve përmes tekstesh shkollorë me skarcitet të lartë alarmant dhe propagandës dhe presionit konstant mbi nxënësit tanimë është objektiv publikisht i shpallur. Kallja e frikës ndër më të rinjtë dhe asgjësimi i të gjitha programeve dhe praktikave që stimulojnë të menduarit kritik tek të rinjtë, është instrumenti më i preferuar për realizimin e objektivit antidemokratik dhe antisocial të kësaj qeverie, e cila po dobëson në mënyrë ekspotenciale kapitalin njerëzor. Shkollat në fakt e kanë humbur çdo prirje për të edukuar brezin e ri me liritë e të drejtat kushtetuese, me standardet demokratike dhe normat e bashkëjetesës qytetare dhe komunitare, me sfidat e me kërkesat përditë e më të larta për dije në botën ku jetojmë. Ato janë të keqfinancuara, janë të keqmenaxhuara, dhe më e keqja akoma janë të keqdrejtuara, të keqorientuara. Mungon tërësisht kultura demokratike në shkollë. Mungon tërësisht meritokracia në emërime. Mungon tërësisht bashkëpunimi i pazëvendësueshëm i shkollës me prindërit dhe me komunitetin. Jeta shkollore praktikisht nuk ka kulturë sociale. Aktivitetet krijuese dhe sportive për nxënësit kanë degraduar në një boshllëk të frikshëm që stimulon vetëm braktisjen e tyre.
Dhuna sociale, alkooli, cigarja, droga, bastet dhe bingot kanë gjetur fushë të lirë në këtë boshllëk. Ikja nga mësimi është bërë normë, kurse disiplina në shkollë është kthyer në fjalë boshe. Mësuesit më shumë se të keqpaguar janë të keqtrajtuar. Rrogëtarët të demotivuar që kanë humbur bashkë me autoritetin edhe ambicien për të guxuar të kërkojnë më shumë nga shkolla, të kërkojnë më shumë për një drejtim dhe orientim të mirë të shkollë, e kështu të kërkojnë më shumë edhe nga nxënësit, padyshim edhe nga vetja. Periferitë ku shkolla duhet të luante një rol social transformues në mentalitet, e vuajnë edhe më shumë këtë degradim të përgjithshëm. Politika ka shkatërruar me shembullin e saj të mbrapshtë vetë moralin e shkollës. Dhe sot një politikë e re për rininë, e cila duhet ti ketë rrënjët tek shkolla është domosdoshmëri jetike sot për vendin.
Qeveri, mësues dhe prindër duhet të bëhen bashkë. Unë e pashë me shumë interes edhe një nismë së fundmi që vjen nga shoqëria, për përfshirjen e komunitetit të prindërve në përzgjedhjen e mësuesve dhe të drejtorëve dhe në mbajtjen në vijimësi të një të drejte gjykimi për cilësinë e mësimdhënies për fëmijët e tyre. Kjo ka qenë qysh në vitin 2009 pjesë e programit tonë qeverisës dhe është baza e programit tonë sot për të filluar transformimin e kulturës sociale në shkollë. Pa e transformuar kulturën sociale në shkollë nuk kemi çfarë presim nga tekstet sado bukur që ato të shkruhen dhe as nga vetë mësuesit, sado fjalë të bukura tu adresojmë, apo sado tu rrisim thjesht rrogën. Më shumë sesa për tu paguar më mirë, mësuesit kanë nevojë për tu trajtuar më mirë. Për tu trajtuar si autoritet i pakontestueshëm dhe njëkohësisht si pjesë e këtij bashkëpunimi të pazëvendësueshëm me prindin dhe me qeverinë, përmes të gjithë strukturave vertikale, nga qeveria qendrore deri në qelizë, që është shkolla.
Liri Barazi- Vëllazërim, është një shprehje e rrënjosur thellë në kulturën e bashkëjetesës së një vendi shumë të madh europian, siç është Franca . Liri barazi, vëllazërim, është një shprehje e stampuar edhe në faqen zyrtare të Presidentit të Republikës Franceze, sot e shumë vite më parë. Liri, barazi vëllazërim, është besoj unë, shprehja më kuptimplotë për të synuar një vizion të ri për shoqërinë tonë, po në radhë të parë për transformimin e jetës së të rinjve tanë. Liri për të gjithë pa dallim, një liri të pacënueshme për asnjë arsye tjetër, përveç kufijve që përcakton Kushtetuta dhe Ligji. Barazi mundësish mbi dy shina të palëvizshme, nga njëra anë konkurrencë dhe nga ana tjetër vlerësim sipas meritës. Dhe vëllazërim mes të gjithëve si normë e bashkëjetesës në komunitet, por dhe si vlerë dhe parim i qeverisjes kombëtare dhe vendore, në funksion të stimulimit të atyre që janë më të mirë dhe si më të mirë duhet të vlerësohen. Dhe të mbështetjes së atyre që nuk duhet të mbeten pas për shkak se nuk përballojnë dot një nivel të caktuar të konkurrencës. E, këtu vjen pjesa tjetër pastaj e transformimit rrënjësor të politikës me të rinjtë, duke mos u dhënë të gjithëve iluzionin simetrikisht të ngjashëm me iluzionin e piramidave financiare, që mund të bëhen akademikë apo mund të kenë të gjithë një diplomë, por duke u dhënë të gjithëve mundësinë që me aftësitë e tyre të mund të përballojnë jetën përmes arsimimit profesional. Shqipëria ka sot numrin më të madh të juristëve për metër katror në botë, por ama në 28 mijë kilometrat e saj shumë shpejt do ta ketë të pamundur të gjejë një zanatçi, të gjejë një hidraulik, apo të gjejë një elektricist, apo të gjejë një marangoz, apo të gjejë një teknik të mesëm të bujqësisë dhe kështu me radhë të gjitha ato zanate pa të cilat është e pamundur të ndërtohet një vend i zhvilluar dhe pa të cilat është e pamundur që Shqipëria të bëhet vendi ku investimet e huaja të mund të gjejnë terrenin për tu zhvilluar.
Është e pavërtetë që në Shqipëri ka rritje të investimeve të huaja. Ësht