Lëkundet koalicioni qeveritar PDK-LDK në Kosovë
Tensionohet situata politike në Kosovë. Një njoftim i publikuar në mediat kosovare, se është prishur koalicioni ndërmjet PDK-së dhe LDK-së, ende nuk është konfirmuar nga zyra e kryeministrit të Kosovës. PDK-ja, e Hashim Thaçit, ka zhvilluar një mbledhje të gjatë rreth mesnatës dhe pas përfundimit të saj ka deklaruar se PDK ka vendosur ta diskutojë koalicionin qeveritar dhe eventualisht ta riformatojë koalicionin qeverisës. Zëvendëskryeministri Kuqi ka thënë se në mbledhjen e kryesisë së PDK-së, është konstatuar se LDK-ja, partner në koalicionin qeverisës, e ka shkelur marrëveshjen e koalicionit, por nuk ka dhënë detaje se çfarë nënkupton një gjë e tillë. Ai ka thënë se për këtë çështje mund të merret vesh më shumë gjatë ditës së premte. Por zëvëndëskryeministri i Kosovës dhe sekretar i përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramë Manaj, pak minuta para mesnatës ka deklaruar për BBC-në, se rreth orës 23.00 ka marrë një telefonatë nga kolegu i tij nga Partia Demokratike e Kosovës, zëvëndëskryeministri Hajredin Kuqi. Sipas tij, Kuqi e ka njoftuar se Partia Demokratike e Kosovës, që drejtohet nga kryeministri Thaçi, e ka prishur koalicionin me Lidhjen Demokratike dhe ka lidhur koalicion me Aleancën Kosova e Re dhe me Lidhjen Demokratike të Dardanisë. Pyetjes se cili do të jetë hapi i radhës i LDK-së, Zv/kryeministri Manaj iu përgjigj duke thënë se do të presin se çdo të ndodhë në ditët në vijim. Ndërkohë Behxhet Pacolli, kryetar i AKR-së, 15 minuta pas mesnatës nga Zvicra për të njëjtin burim, ka deklaruar se ai personalisht nuk ka asnjë dijeni për koalicionin dhe nuk ka arritur asnjë marrëveshje me askënd. Pacolli shtoi se as nuk është marrë vesh, as ka nënshkruar ndonjë gjë më ndonjë subjekt. ndërsa Lulzim Zeneli, nënkryetar i LDD-së, tha|: " Nuk mund të komentoj e as të them asgjë sepse nuk ka ndodhur asgjë. Më e keqja është se e tëra kjo është një formë spekullimi që po merr dimensione të një paranoje që jo vetëm e ngarkojnë skenën politike, por edhe krijojnë efekte negative. Ne si LDD i hedhim poshtë të gjitha këto informacione" vijoi Zeneli .