Kriza në BE s’duhet të pengojë Shqipërinë në marrjen e statusit
Ilir Meta, vizitë zyrtare në Vendet e Ulëta, takime në parlament
Në kuadër të një vizite dyditore në Mbretërinë e Vendeve të Ulëta, Kryetari i Lëvizjes Socialiste z. Ilir Meta u takua dje në Hagë me Kryetarin e Partisë “Demokratët 66” z. Alexander Pechtold, dhe me Eurodeputetin z. Ëim van der Camp (CDA). Z. Meta u prit në Parlament nga Kryetari i Partisë social-liberale “Demokratët 66”, z. Alexander Pechtold, të cilin e informoi rreth zhvillimeve të fundit pozitive në Shqipëri dhe mbi kontributin që Lëvizja Socialiste për Integrim vazhdon të japë në kuadër të procesit të integrimit evropian të vendit. Në këtë drejtim, z. Meta u shpreh se kjo vizitë synon forcimin e marrëdhënieve politike si dhe rritjen e mbështetjes së partnerëve të Shqipërisë në Vendet e Ulëta dhe në strukturat e BE-së. Z. Pechtold shprehu mbështetjen e Partisë së tij dhe Grupit Parlamentar për integrimin evropian të Shqipërisë, duke theksuar se vendet anëtare duhet ta inkurajojnë avancimin e axhendës së zgjerimit, sepse Evropa do të jetë më e fortë me të gjitha vendet e rajonit tërësisht të integruara në BE. Në këtë kuadër, u vlerësua politika rajonale e Shqipërisë, veçanërisht marrëdhëniet e mira me të gjithë fqinjët e saj, si një model i bashkëpunimit rajonal dhe si një garanci për avancimin e axhendës evropiane të rajonit. Z. Meta dhe z. Pechtold, ndanë gjithashtu mendimin se më tepër energji duhen përqendruar në avancimin sa më të shpejtë të reformave, duke punuar paralelisht për përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në Evropë, si dhe për evidentimin e vlerave evropiane e pozitive të shqiptarëve, veçanërisht pas liberalizimit të vizave me BE. Më tej, gjatë takimit me Eurodeputetin Ëim van der Camp, z. Meta theksoi se pavarësisht problemeve të shkaktuara nga kriza e përgjithshme në vendet e BE-së, synimi kryesor i politikës shqiptare në këto momente është përmbushja e prioriteteve të Bashkimit Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat. Z. Meta u shpreh se Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat brenda këtij viti dhe në këtë kuadër kërkoi mbështetjen e z. Van der Camp në Parlamentin Evropian por edhe në spektrin e brendshëm politik të Vendeve të Ulëta për përmbylljen me sukses të këtij procesi. Z. Meta dhe z. Van der Camp diskutuan gjithashtu mbi zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri, veçanërisht mbi ecurinë e realizimit të reformave të nisura në kuadër të integrimit evropian të vendit.